erion veliaj ols dado

Kontrata, fatura dhe transaksione bankare. Këto janë disa nga provat e reja që prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani i paraqitën Gjykatës së Apelit të Posaçëm në seancën ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe synon lirimin.

Teksa paraqitën provat e reja, prokurorët këmbëngulën në seancë se Veliaj duhet të vijojë të qëndrojë nën masën e arrestit me burg, pasi hetimi është në vijim dhe ekziston rreziku që ai të ndërhyjë dhe të prishë provat, si dhe të intimidojë dëshmitarët.

Po ashtu, kundër Veliajt u përdorën edhe shkrime në media të ndryshme që sulmojnë njerëzit e drejtësisë dhe mbrojnë kryebashkiakun. Për shkak se, për mbrojtjen, kjo ishte një lëvizje e papritur e prokurorëve, ata kërkuan kohë të njihen me këto të dhëna të reja dhe më pas t’i kundërshtojnë ato.

Burime të besuara thanë se provat lidhen kryesisht me kompanitë e Ajola Xoxës, bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë, e cila ashtu si Veliaj është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Por, sipas prokurorëve, Veliaj ka përfituar nga aktiviteti i bashkëshortes, dhe provat, sipas Dados dhe Dumanit, e ngarkojnë me përgjegjësi penale kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Seanca ndaj Veliajt dhe 4 biznesmenëve, Elman Abules, Meriman Palushit, Shkëlqim Fushës dhe Gentian Sulajt, pritet të rifillojë nesër në orën 12:30. Në seancën e së mërkurës pritet të flasë edhe vetë Veliaj dhe, me gjasë, tonet do të jenë të ashpra mes palëve. Më pas, Engert Pellumbi pritet të shpallë verdiktin për Erion Veliajn dhe të dyshuarit e tjerë, një vendim që pritet me interes të lartë./vna.al