-640-0-tyt-1741949781

Në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit 2025, janë përfshirë disa individë që kanë lidhje familjare me deputetët aktualë.

Një shembull është Xhenis Çelaj, e cila është vajza e deputetit, Agron Çela.

Ajo është përfshirë në listën e mbyllur të qarkut Shkodër.

VoxNews ka bërë një hulumtim për “gjeneratën e re” që rimarrin karriget e deputetit që po lënë familjarët e tyre.

1- Deputeti socialist Ornaldo Rakipi, djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, mori në zgjedhjet e vitit 2021 gati 16 mijë vota personale në garën për Tiranën. Orlando kandidon sërish më 11 Maj në listen e hapur për të mbajtur karrigen e deputetit.

2- Kandidati i PS për deputet në listën e Tiranës, Erion Malaj është djali i Petrit Malajt, aktori i njohur ish-kandidat për deputet  në qarkun e Kukësit i cili nuk e fitoi mandatin. Por duket se ambicien e babait për të marrë karrigen e deputetit do ta arrijë djali i tij.

3- Admir Kadeli është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai renditet në listën e hapur së bashku me kandidatë të tjerë. Admiri është djali i Gjovalin Kadelit, një ish-deputet i njohur në politikën shqiptare. Gjovalin Kadeli ka shërbyer si deputet i Partisë Socialiste dhe më pas i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

4- Arben Pëllumbi është kandidati në listën e hapur për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës. Njëherësh ai është edhe djali i ish-deputetit socialist, Servet Pëllumbi, njërit prej themeluesve të PS-së. Deputeti Arben Pëllumbi, kandidon sërish më 11 Maj në listen e hapur për të mbajtur karrigen e deputetit.

5- Ish-deputeti Aqif Rakipi, përpos të birit Ornaldos, do të fusë sërish në Parlament edhe të shoqin e mbesës së tij Saimir Hasallën, kandidat i PS në Elbasan. Saimir Hasalla ka thyer herësin në vitin 2021 dhe u rëndit në listën fituese të deputetëve socialistë. Hasalla, kandidon sërish më 11 Maj në listën e hapur për të mbajtur karrigen e deputetit në qarkun e Elbasanit.

Rama kishte paralajmëruar më herët se lista e re do të sillte “gjak të ri“, duke bërë që një numër i konsiderueshëm deputetësh aktualë të mos jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm.

Por duket se dhe “gjaku i ri” që do hyjë në parlament, janë familjarët e ish-deputetëve të Partisë Socialiste. /gazetajone