
Me 73 vota “pro” të shumicës socialiste, Kuvendi miratoi të enjten projektligjin “Paketa e Maleve”, pavarësisht kundërshtive për mungesë transparence dhe klientelizëm.
Ky ligj, i prezantuar nga mazhoranca si nismë për zhvillimin e turizmit malor, lejon kalimin e pronës shtetërore te subjektet private me tarifa simbolike prej 1 euro. Gjithashtu, ofron 10 vite lehtësira fiskale, por kufizohet vetëm për 500 investitorë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si nismëtari i këtij ligji, deklaroi në Kuvend se synimi është të tërhiqen investime të drejtpërdrejta dhe të zhvillohen zonat me përparësi.
Por, deputetët e opozitës e konsideruan paketën ligjore si favorizim për oligarkët, duke argumentuar se ai nuk sjell zhvillim real për zonat malore dhe rrezikon të shkaktojë dëme të parikuperueshme në mjedis.
Kritikat nga shoqëria civile
Që në fazën e diskutimeve, organizatat e shoqërisë civile e cilësuan “Paketën e Maleve” si hapësirë për korrupsion, pasi lejon shitjen e pasurive shtetërore me tarifa simbolike, pa përcaktuar qartë zonat e prekura dhe pa kaluar filtrat gjyqësorë.
Brunilda Kosta, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, është shprehur me rezerva për këtë paketë. Nisur nga raportet dhe përvoja që ka pasur Shqipëria me investimet strategjike ajo gjykon se i lihet vend skemave korruptive.
“Sa herë që ka investime [të tilla], ka nivele të larta të hapësirave korruptive”, deklaroi ajo në një diskutim të organizuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Në tryezën e zhvilluar në muajin shkurt, ekspertja ligjore Zyhrada Kongoli ka vënë në dukje se, gjatë konsultimeve publike, projektligji njihej si “projektligji për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore të poseduesve faktikë jo pronarë në zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”.
Sipas ekspertëve, mungesa e një identifikimi të qartë të zonave të përfshira në ligj cenon interesin publik.
Miratimi i “Paketës së Maleve” në një periudhë parazgjedhore ka ngritur dyshime për qëllime elektorale. Më 11 shkurt, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vlerësoi se “miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për përfitime politike”.
Megjithatë, më 19 shkurt, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) i dha të drejtë Kuvendit, duke argumentuar se ligji nuk krijon përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe për këtë arsye mund të miratohej edhe gjatë fushatës elektorale.
Krahas “Paketës së Maleve”, socialistët miratuan me forcën e kartonit edhe shtatë projektligje të tjera, mes të cilave një hua prej 118.5 milionë dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për ngritjen e një sistemi vrojtimi me kamera digjitale nga policia, të afta për të identifikuar personat dhe targat./citizens.al