
Nadir Çausholli, biznesmeni i kompanisë CFO Pharma, po jep shpjegime në Policinë e Tiranës lidhur me sulmin me armë ndaj biznesit të tij farmaceutik.
Burimet thonë se Çausholli pretendon se sulmi ka ndodhur për shkak të konkurrencës, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. Sulmi me armë ndaj kompanisë CFO Pharma ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, por policia u njoftua pothuajse gjashtë orë më vonë.
Roja i godinës ka deklaruar se dëgjoi një zhurmë që i ngjante të shtënave me armë, por nuk e kuptoi që ishte qëlluar ndaj kompanisë, pasi nuk kishte rënë asnjë copë xhami.
Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, konfirmoi përmes pamjeve të kamerave të sigurisë se ndaj godinës prej xhami, e cila ndodhet në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, është qëlluar nga një makinë në lëvizje.
Autorët kanë hapur zjarr me kallashnikov, duke shkrepur më shumë se 30 plumba.
Policia po heton disa pista, përfshirë konkurrencën, përfshirjen e Çaushollit në fajde, si dhe dyshimet për një përplasje të mundshme mes biznesmenit dhe Emiljano Shullazit, një emër i njohur i botës së krimit, i cili ndodhet në burg ku po vuan një dënim për gjobëvënie, ndërsa po gjykohet për akuza të tjera, përfshirë vrasjen. /VNA.AL