Gazetari investigativ Artan Hoxha akuzoi se institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit vendos gjoba me dosjet që përgatit. Hoxha zbuloi edhe skemën si vepron KLSH me institucionet duke u nisur paraprakisht një raport të fortë dhe më pas kur mbyllet auditi gjithçka shfryhet.
Referimet që dërgon në SPAK, Hoxha tha më tej, se KLSH i bën në rastet kur institucioneve që ka vendosur në shënjestër u jep kohë “që të reflektojnë në rrugë korruptive” por që nuk e bëjnë.
“Fakti që i drejtohen SPAK-ut, padyshim që duhet respektuar se mbi të gjitha tregon besim te organet e reja. Por problemi me KLSH qëndron se ka një historik shumë negativ të kallëzimeve që bën.
KLSH e ka si praktikë pune, kur auditon një institucion harton një raport paraprak, që vazhdimisht është shumë i fortë, i çohet institucionet të reflektojë, i jepet kohë të reflektojë edhe në rrugë korruptive dhe raporti përfundimtar gjithmonë është krejt tjetër nga ai paraprak.
Dhe kjo ndodh ose për shkak të ndërhyrjeve deri në nivel politik ose të korrupsionit, të pagesave që bëhen që të mos u hapen telashe drejtuesve të institucioneve në prokurori.
Dhe në rastet kur KLSH për të justifikuar punën, i çonte dosjet në prokurori, në pjesën dërrmuese, këto cështje ktheheshin pas, sepse ose ishin materiale të mbledhura keq ose kishte shkelje, ose provat nuk ishin të mjaftueshme. Nëse dëgjoni në parlament, opozita i referohet KLSH, që përgjithësisht konstaton qindra milionë euro shkelje, por që nuk ka masa.
Deri tani i vihej faji edhe prokurorisë, por unë kam parë dosje të qepura mirë që prokuroria nuk ka ku të shkojë. Uroj që meqë KLSH ka ndryshuar drejtuesit, të mos ndjekë të njëjtën praktikë, të çojë sa më pak dosje por të qepura mirë.
Duhet që të dokumentohen mirë. Unë uroj që në rastin konkret të mos ketë ndodhur e njëjta gjë, që bën KLSH kryesisht, që kur nuk gjen marrëveshje me institucione ja çon prokurorisë dhe pastaj mundohet të bëjë një marrëveshje treshe dhe në rastin konkret të mos dërgohen dosje për t’u bërë medatike dhe zhurmë.
Më mirë një hetim korrekt, një material i qepur mirë, që SPAK të çojë një dosje të plotë në gjykatë. Nuk ka vlerë ajo që ka bërë KLSH deri tani, që çon një referim prokurorit, prokurori e çon në gjykatë dhe gjykata jep një vendim pafajësie dhe në fund thuhet ja gjykata e ka fajin. KLSH ka pasur deri tani, që ka bërë edhe hetime selektive për interferenca politike.
Gjatë viteve të fundit KLSH ka qenë pjesë e opozitës, drejtuesi ishte i zgjedhur nga opozita dhe drejtuesi gjente qeverinë me 1.2 mld euro shkelje dhe në fund të mos ketë asnjë të dënuar, kjo është qesharake.
Atëherë si është e mundur? Ka edhe raste të tjera selektive për të favorizuar kompani të veçanta në tenderat e infrastrukturës, që për shkak të hetimeve të KLSH dilte jashtë loje një nga kompanitë që do të merrte pjesë në tender dhe kur tenderi ishte zhvilluar pushohej hetimi ndaj kompanisë” deklaroi ai.