Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë firmosur një marrëveshje për goditjen e fluksit drejt ishullit. Kryeministri Edi Rama ka publikuar paktin që ka rënë dakord me homologun britanik Sunak për kthimin dhe parandalimin e nisjes së shqiptarëve drejt Anglisë me vendosjen e oficerëve në Rinas. Në këmbim të bashkëpunimit, Anglia do të investojë në Shqipëri në disa fusha.

3. Çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme:

  • Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë aleate të palëkundura në kuadër të NATO-s dhe, aktualisht, bashkëpunojnë ngushtë në Këshillin e Sigurimit për nxitjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për pushtimin e saj brutal dhe të paligjshëm të Ukrainës.
  • Shqipëria është vend që po negocion anëtarësimin e saj në BE dhe një partnere e besuar në organizatat ndërkombëtare. Duke njohur përparimin që Shqipëria ka bërë për forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës përmes zbatimit të një reforme të thellë e të gjithanshme gjyqësore, Mbretëria e Bashkuar e konsideron Shqipërinë vend të sigurt origjine, sipas legjislacionit të saj.
  • Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë të dyja palë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), Konventës së Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (KEKT) dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe Protokolleve Përkatëse (Konventa e Palermos, 2000). Si anëtare të Këshillit të Evropës, Shqiperia dhe MB-ja punojnë së bashku për të përmirësuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në mbarë Evropën.
  • Ne jemi të përkushtuar të intensifikojmë më tej zbatimin e angazhimeve të përbashkëta ndërkombëtare, veçanërisht, në fushat e kontrollit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, përfshi të gjitha format e shfrytëzimit, si dhe migracionit të paligjshëm.
  • Përveç kuadrit të gjerë shumëpalësh, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një kuadër të fortë ligjor dypalësh për të luftuar si duhet migracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbi të cilin do të bazohemi për të vepruar shpejt dhe në mënyrën e duhur ndaj migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ju lutemi, shihni shtojcën për listën e plotë të marrëveshjeve ekzistuese.

3.1 Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer në veprimtaritë ligjzbatuese, me objektivin për të ndaluar dhe goditur migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale. Për këtë qëllim, dy qeveritë tona do të ngrenë një Grup të Përbashkët Pune në nivelin e Ministrisë së Brendshme /Home Office.

3.2. Në kuadrin e këtij Grupi Pune:

  • Do të forcojmë bashkëpunimin në nivel operativ midis Shqipëria dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë, por pa u kufizuar me ndarjen efektive të të dhënave dhe krijimin e më shumë grupeve të përbashkëta operative. Kjo Skuadët e Përbashkët Pune mund të mbështetet nga një komitet ekspertësh, i përzgjedhur nga Ministria e Brendshme/Zyra e Brendshme;
  • Të dyja palët angazhohen se do të kenë dialog sistematik lidhur me hapat praktike që do të ndërmerren në të ardhmen;
  • Mbretëria e Bashkuar do t’i ofrojë mbështetje të mëtejshme qeverisë shqiptare dhe organizatave përkatëse për mbrojtjen dhe shërbimet ri-integruese për të kthyerit.

3.3. Si palë nënshkruese të KEKT-së dhe të KEDNj-së dhe duke njohur përpjekjet e përbashkëta për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbështetur në marrëveshjen e ripranimit dhe objektivin për zbatimin e saj maksimal, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, përfshi ata mbi moshën 18-vjeçare, që janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne (sipas përcaktimit në legjislacionin e MB-së) dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (sipas përcaktimit në legjislacionin shqiptar). Këto kthime do të bëhen në frymën e KEDNj-së, duke respektuar të drejtat, sigurinë dhe dinjitetin e individit, si dhe statusin e çdo procedure ligjore që lidhet me faktin që personi është viktimë, dhe preferohet qe kthimet të jenë vullnetare. Lidhur me kthimin e migrantëve të paligjshëm, të dyja palët theksojnë rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit ndërmjet dy vendeve. Pas kthimit në Shqipëri, personit do t’i ofrohet mbështetje për çdo nevojë që lind dhe mbrojtje nga ritrafikimi, sipas përcaktimeve të KEKT-së.

3.4. Duke shprehur vullnetin e të dy kryeministrave për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare dhe dypalëshe, që synojnë të ulin migracionin e paligjshëm dhe të luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore, të dyja palët zotohen për një shkëmbim më efektiv e në mënyrë të sigurt të informacionit dhe të dhënave personale që do të mundësojnë identifikimin e saktë të personit të kthyer dhe marrjen e vendimeve lidhur me të, për të garantuar zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, të monitorimit dhe të detyrimeve përkatëse ndërkombëtare ligjore.
3.5. Me qellim që Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe dypalëshe, MB-ja angazhohet:

  • të mbështetë strukturat përkatëse shqiptare në forcimin e mekanizmave të referimit të viktimave për të marrë përkrahjen e duhur dhe rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Kompetent shqiptar dhe Mekanizmit Kombëtar të Referimit (MKR) për të fuqizuar proceset dhe vendimmarrjen në përputhje me KEKT-në.
  • të investojë në shërbime të mëtejshme mbrojtjeje, duke marrë parasysh aspektet specifike gjinore të personave që migrojnë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
  • t’i ofrojë mbështetje Shqipërisë për të hetuar trafikimin e qenieve njerëzore, në përputhje me detyrimet e parashikuara në Nenin 4 të KEDNj-së.
  • të ofrojë mbështetje për forcimin e sigurisë kibernetike dhe të komunikimit, që Shqipëria të rritë përputhshmërinë e saj me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave;

3.6. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare garanton se do të vazhdojë të zbatojë efektivisht angazhimet e përbashkëta të ndërmarra në kuadrin e KEKT-së dhe KEDNj-së për trajtimin e të kthyerve dhe parandalimin dhe identifikimin e viktimave të trafikimit, duke marrë parasysh dhe specifikat gjinore të të kthyerve.

3.7. Të dyja qeveritë do të monitorojnë nga afër ndikimin që do të kenë këto masa dhe zbatimi i tyre. Raporti i parë për zbatimin e masave më sipër do të paraqitet në fund të janarit të vitit 2023, përmes një Komiteti të Përbashkët Mbikëqyrës, në nivelin e Ministrisë së Brendshme/Home Office.

3.8 Për të përmirësuar më tej monitorimin dhe mbikëqyrjen, dy qeveritë bien dakord të punojnë me Grupin e Ekspertëve për Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA), me qëllim që të garantohet një raportim i pavarur mbi zbatimin e masave.

  1. Rritja dhe mirëqenia ekonomike
  • Ne do të vazhdojmë të punojmë më tej punën bazuar në Marrëveshjen tonë të Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit, e nënshkruar në shkurt të vitit 2021, për të nxitur tregtinë dhe investimet dypalëshe. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështetë qeverinë shqiptare në nxitjen e zhvillimit social-konomik dhe krijimin e aftësive dhe vendeve të mira të punës për të rinjtë.
  • Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rikonfirmon interesin e saj për të investuar drejtpërdrejt në Shqipëri, në sektorët strategjikë, si: energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, transporti e logjistika, shërbimet e TI-së etj.
  • Të dyja qeveritë shprehën interes të shtuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit (përmes shkëmbimit të informacionit në këtë fushë, praktikave më të mira të zhvillimit të produkteve turistike, promovimit të destinacioneve turistike në të dyja vendet etj.) dhe mjedisit, duke i kushtuar vëmendje të posaçme energjisë së ripërtëritshme dhe transportit inteligjent.
  • Të dyja qeveritë theksuan interesin e përbashkët për të hartuar projekte me ndikim rajonal në sektorët e infrastrukturës së transportit dhe energjisë.
  1. Rinia, kultura, arsimi.
  • Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë qeverinë shqiptare të rritë aftësitë për të ardhmen përmes Këshillit Britanik dhe Ministrisë shqiptare të Arsimit. Me anë të bursave britanike “Chevening” dhe Bursave për Sigurinë Kibernetike për Shqipërinë (dhe, më gjerë, për Ballkanin Perëndimor), Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’u ofrojë mundësi studentëve që të ndjekin atje studimet pasuniversitare.
  • “Shkollat e Shekullit të 21-të” është një program arsimor ambicioz i Këshillit Britanik, i financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, që synon të zhvillojë aftësitë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të zgjidhur problemet.
  • Qeveria shqiptare vlerësoi mbështetjen e deritanishme dhe premtimet e dhëna nga qeveria britanike për organizatat e shoqërisë civile, që synojnë t’u krijojnë të rinjve mundësi për të qëndruar në Shqipëri.

Marrëveshjet përkatëse dypalëshe

  1. Rritja e bashkëpunimit tonë mbështetet nga marrëveshjet dypalëshe në vijim:
  2. Memorandumi i Mirëkuptimit midis qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, “Për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me emigracionin”, nënshkruar më 16 maj 2022, në Tiranë.
  3. Marrëveshja midis Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, “Për transferimin e personave të dënuar”, nënshkruar më 26 korrik 2021;
  4. Marrëveshja midis Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për ripranimin e personave”, nënshkruar më 8 korrik 2021, në Tiranë;
  5. Marrëveshja e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 5 shkurt 2021;
  6. Marrëveshja Plotësuese e Konventës Evropiane për Ekstradimin, 1957, midis Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 5 prill 2017, në Tiranë;
  7. Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, “Për shkëmbimin e informacionit për të dhënat penale (6 korrik 2018);
  8. Marrëveshja midis Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin, 1957, nënshkruar më 5 prill 2017.
  9. Memorandumi i Mirëkuptimit midis Sekretarit të Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme që vepron përmes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, “Për përmirësimin e identifikimit, njoftimit, referimit dhe kthimit të asistuar vullnetar të viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore, nënshkruar më 4 dhjetor 2014, në Londër;