Një ditë më parë, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino sqaroi në një deklaratë për mediat se 84% e testimeve nga ISHP për këtë virus janë kryer në muajin korrik.
“Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje zoonotike, pra që qarkullon kryesisht te zogjtë dhe që prek kryesisht kuajt në sistemin nervor qendror. Por në vendin tonë nuk kemi një monitorim të kuajve për “Ethet e Nilit Perëndimor”. Sa i përket zonave ku kemi pjesën më të madhe kemi Lushnjen, Fierin, Kurbinin dhe Beratin (pjesën në afërsi të Lushnjës, disa raste në Lezhë dhe në Shkodër. Nuk ka patur të prekur në zonat bregdetare,” u shpreh Bino.
Por çfarë duhet të dimë rreth këtij virusi?
Sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, “Ethet e Nilit” përhapen kryesisht te njerëzit nga pickimi i një mushkonje të infektuar.
Rastet regjistrohen zakonisht gjatë sezonit të mushkonjave, pra nisin në verë dhe vijojnë gjatë vjeshtës.
Nuk ka vaksina për ta parandaluar apo mjekime për ta trajtuar Nilin Perëndimor te njerëzit.
Megjithatë, për fat të mirë, kryesisht njerëzit e infektuar me këtë virus nuk kanë simptoma. Një në 5 të infektuar mund të kenë temperaturë apo simptoma të tjera të lehta.
Rreth 1 në 150 të infektuar mund të sëmuret rëndë deri në vdekje. Rrezikun e infektimit mund ta ulni duke parandaluar pickimet e mushkonjave.