Fushata dhe zgjedhjet nxjerrin në pah realitetin si funksion shteti. Së fundmi në rrjetet sociale po qarkullon një letër me firmën e kryetarit të fshatit Kudhës në Himarë që lajmëron banorët se nëse duan të legalizojnë shtëpitë e banimit, t’i dorëzojnë aplikimet pranë zyrës së deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj dhe jo në zyrën e Kadastrës së Bashkisë Himarë, siç e parashikon ligji për legalizimin e pasurive të paluajtshme.

Më tej ai thotë se zyra është e hapur dy ditë të javës, ndërsa për banorët që nuk ndodhen në fshat aplikimet do të bëhen në një fazë tjetër. Kryetari i fshatit lë në shkresë edhe numrin e telefonit për të dhënë sqarime.

Lajmërimi për banorët e Kudhësit
Të gjithë banorët e fshatit që duan të legalizojnë shtëpitë e banimit të paraqiten pranë zyrës së deputetit të Partisë Socialiste në Himarë z.Vullnet Sinaj për të bërë aplikimet.

Ju njoftojmë se zyra është e hapur çdo ditë të hënë dhe të premte.

Për banorët që nuk ndodhen këtu aplikimet do të bëhen në një fazë të dytë.

Për sqarime të tjera kontaktoni në numrin e telefonit 0685038868.

Kryesia e fshatit Kudhës

Kryetari Agron Velço