Tre ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin ende nuk ka asnjë të arrestuar. Autori ishte i maskuar dhe u arratis me një motor. Dy janë të dhënat publike që kanë dalë për killerin, në njërën dorë nuk kishte dorezë dhe tha dy fjalë “Largohu dhe si kalut”.

Po sipas dëshmive, dialekti ishte nga veriu ose Shqipëria e mesme dhe autori ishte rreth 190 cm i gjatë. Eksperti Artan Rexhepi tha se nisur nga gjatësia e killerit mund të zbulohet fytyra e tij përmes programeve kompjuterike. Por si mund të bëhet kjo? Eksperti e shpjegoi në këtë mënyrë.

Në raport me gjatësinë për të nxjerrë përmasat, ka programe që mjafton të fusësh të dhënat, një lartësi të kolonës që ishte pranë autorit dhe dalin të gjitha përmasat gjeometrike të tij, lartësia, gjatësia, etj.

Ka programe që identifikimin e njerëzve e bëjnë edhe pa dalë fytyra, thjeshtë nga raportet gjeometrike që krijojnë gjymtyrët me njëri tjetrin. Nëse nuk i ka policia këto programe ta dërgojnë diku tjetër që ta bëjnë. Raportet gjeometrike që krijon një individ kur lëviz janë shumë personale.

Çdo njeri ka karakteristikat e veta dhe krijohet një algoritëm personal dhe krahasohet me lëvizjet e tjera dhe nëse algoritmi përputhet del se është i njëjti personal edhe pa ja parë fytyrën. Pra nuk është e pamundur gjetja” tha ai.