Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit në burg pa afat për 53- vjeçarin nga kameruni Jousou Ngankam, i cili u arrestua dy ditë më parë në Rinas me një valixhe ku mbante sipas prokurorisë një shumë prej 279 mijë euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Policia në njoftimin për mediat lidhur me operacionin pati raportuar sekuestrimin e 1 milion e 75 mijë eurove të falsifikuara dhe letra që përdoren për të prodhuar kartmonedha të prerjeve të ndryshme.
Por pas akt-ekspertimit nga prokuroria rezultoi se vetëm 279 mijë euro false ishin të rregullta.
Sipas dosjes hetimore 53-vjeçari në mometin që ka zbritur nga avioni dhe sapo kishte vulosur pasaportën për të hyrë në Shqipëri i është nënshtruar kontrollit nga policia kufitare.
Gjatë skanimit të valixhes së dorës është zbuluar edhe sasia e konsiderueshme e kartmonedhave.
Në deklarimet e tij paraprake 53-vjeçari është shprehur se është nisur nga Franca dhe pasi ka kaluar tranzit nga Stambolli ka mbërritur në Tiranë ku u priste një bashkombas i tij më emrin Toni.
I arrestuari ka pretenduar se do të takohej me këtë person brenda një lokali në Rinas. 53-vjeçari i arrestuar ka pretenduar se ka qenë pikërisht ky person që ia ka dhënë valixhen në Francë e ndërsa ai do e priste në Tiranë për të bërë më pas dorëzimin e kartmonedhave.
Ky deklarimi të arrestuarit u cilësua i pabesueshëm nga policia, e cila theksoi se kamerunasi ka ndryshuar disa herë dëshminë.
Sipas prokurorisë, 53-vjeçari kishte vizituar edhe njëherë tjeter vendin tonë pikërisht më datë 7 janar të këtij viti dhe ka qëndruar 5 ditë.
Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike më qëllim identifikimin e personave që mund ta kenë shoqëruar kamerunasin dhe që mund të jenë bashkëpunëtorë të tij.
Në sallën e gjyqit 53-vjeçari kërkoi masë më të lehte nga gjykata duke u shprehur se ishte punonjës sigurimi dhe se kishte 2 femijë të vegjël, por togat e zeza lanë në fuqi kërkesën e prokurorit për ta mbajtur në burg të dyshuarin deri në fund të hetimit.