![IMG_9716](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_9716.jpeg)
Në Tiranë, një nga kryeqytetet më modeste në Evropë, ku paga mesatare është 600 euro në muaj; Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, dyshohet se shpenzonte mbi 100 mijë euro në vit vetëm për blerje në internet.
Hetimi i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka zbuluar rreth 130 deklarata doganore në emrin e saj ose të bashkëpunëtorëve të ngushtë midis 2016 dhe 2021, për një shumë totale prej 860 mijë euro.
Mallrat e luksit të importuara përmes shitësve online si Net-a-Porter, Moda Operandi dhe Mercedes Distribution Moda, përfshin një gamë të gjerë të fustanesh, bizhu, bikini, çorape, aksesorë, ‘make-up’, si dhe produkte të tjera luksi nga marka si ‘Louis Vuitton’ dhe ‘Prada.’
“Veprimet hetimore të kryera në lidhje me shpenzimet e bëra nga Ajola Xoxa dhe të afërmit e saj në shifrën e 86,721,175 (tetëdhjetë e gjashtë milion e shtatëqind e njëzet e një mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë për rroba, produkte kozmetike, buzëkuq, vathë, etj,” shkruan SPAK në kërkesën për masën e sigurisë ndaj Xoxës dhe Veliaj.
Kryebashkiaku jetëgjatë i Tiranës u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës Speciale nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Au dyshohet se ka krijuar një skemë të mirëmenduar korruptive për të përfituar ryshfete nga fondet e Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij.
Të mërkurën në mbrëmje, Gjykata Speciale konfirmoi masën e sigruisë ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, ndërsa la në ‘detyrim paraqitje’ Ajola Xoxën, duke qenë se është nëna e një fëmije të mitur.
Në një deklaratë në faqen e tij në ‘Facebook’, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se blerjet online të bashkëshortes ishin të ligjshme.
“Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje,” tha Veliaj.
“Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal,” shtoi ai.
Erion Veliaj është prej gati një dekade kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste në pushtet. Përpara se të zgjidhej në krye të bashkisë më të madhe në vend, Veliaj ka shërbyer si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Përpara ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, ai njihej si aktivist i shoqërisë civile dhe themelues i Lëvizjes “Mjaft!”.
Ajola Xoxa është një juriste shqiptare, e specializuar në të drejtën e energjisë. Ajo është bashkëthemeluese e platformës së artit bashkëkohor “Harabel“, e cila fokusohet në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri. Veliaj dhe Xoxa u martuan në vitin 2014 në një dasmë me qindra të ftuar në kështjellën e Gjirokastrës dhe janë prindër të një djali.
Me pamjen e saj të kujdesur dhe veshjet e stiluara, Xoxa ka qenë shpesh subjekt i faqjeve rozë dhe publikeme të lidhura me modën dhe stilin e jetës në Tiranë. Sipas SPAK, nga viti 2016 deri në vitin 2021, Xoxa shpenzoi mesatarisht 14.4 milionë lekë (140 mijë euro) për blerje online në dyqane mode dhe mallrash luksi.
Ndryshe nga sa shprehet kryebashkiaku i Tiranës, këto blerje nuk kanë qenë transparente dhe as nuk janë deklaruar në Inspektoriatin e Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI).
Sipas SPAK, jo vetëm që është shkelur detyrimi ligjor për të raportuar shpenzimet, por Xoxa gjithashtu ka krijuar një skemë për të kamfluar blerjet online, duke përdorur Erlad Ismailin – një nga punonjësit e kompanisë së saj ‘Partners Law’ për zhdoganimet.
Gjatë deklarimit në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Erald Ismaili ka rrëfyer se ndryshe nga sa sugjerojnë zhdoganimet, ai bën një jetë modeste, me të ardhura familjare rreth 2,4 milionë lekë në vit si dhe madje as nuk disponon automjet, për shkak se makina është shpenzim i madh për të.
I pyetur nëse kishte blerë ndonjëherë rroba të markave si “Louis Vuitton apo Prada”, shtetasi Erald Ismaili e ka mohuar një gjë të tillë. Kur është ballafaquar me faktin se për vitet 2016 deri në vitin 2021, në emër të tij janë paguar produkte të cilat janë zhdoganuar me 130 praktika doganore, në vlerë 55,4 milionë lekë, pa përfshirë pagesat doganore dhe taksat, Ismaili është shprehur i habitur dhe ka sqaruar se këto blerje nuk janë bërë nga ana e tij, por nga shtetësja Ajola Xoxa.
“Deklaruesi kujton se i ka dhënë Ajolës njëherë kartën e identitetit, pasi e kërkonte posta, por nuk ka dijeni se si është përdorur,” shprehet SPAK.
“Ky deklarim është në unitet me të gjitha provat e tjera të administruara, pasi shtetasi Erald Ismaili nuk ka asnjë mundësi financiare për të bërë blerje online të veshjeve dhe sendeve të tjera personale, si make up etj, në një vlerë të përgjithshme prej rreth 65 milionë lekë në harkun kohor të rreth 4 viteve (bashkë me TVSH),” shton organi i akuzës.
Gjatë deklarimit në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, edhe shtetësja Adela Kondakçiu – që ka shërbyer si financiare e Qendrës ‘Harabel’, ka mbështetur rrëfimin e Erald Ismailit.
Ajo ka treguar se si i “kanë paguar cash zhdoganimet e Eraldit me urdhër apo me kërkesë të Ajolës”.
“Lekët për pagesat e doganave i jepte gjithmonë Ajola,” deklaron Kondakçi. “Nga paketimi kam konstatuar se ishin marka të shtrenjta të rrobave,” ka shtuar ajo.
Hetimet e SPAK rreth mënyrës së jetesës së Xoxës nuk kanë të bëjë vetëm me zakonet e saj të blerjeve në internet, por shenjestrojnë me burimin e fondeve që financojnë këtë luks.
Edhe pse bashkëshorti i saj mbante postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, pagat zyrtare ishin të pamjaftueshme për të përballuar këtë nivel marramendës shpenzimesh.
Hetimet e SPAK hedhin dyshime se këto blerje luksi janë financuar nëpërmjet fondeve të transferuara në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi në kryeqytet.
Rasti i Ajola Xoxës ngjall krahasime me figura të tjera të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat u kthyen në ikona mode, si Imelda Marcos e Filipineve dhe Leila Ben Ali e Tunizisë – gra që përfundimisht u bënë simbole të korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor në vendet e tyre.
Reporter.al