Erion Isai tenderi Kolonje

Kur Bashkitë drejtohen nga gaztorë mediokër, pushteti lokal menaxhohet me humor. Por, në rastin e Bashkisë së Kolonjës, që drejtohet nga ish-aktori i programit kabare “Portokalli”, Erion Isai, humori është i zi.

Larg prozhektorëve të kryeqytetit, Isai, i njohur edhe me nofkën artistike “Çuçka”, duket se nuk e ka aspak problem që të drejtojë një Bashki, e cila duket se funksionon vetëm për interesat e bashkëpunëtorëve dhe drejtorëve të tij administrativë.

Në foto: Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai (Çuçka

Mediat kanë raportuar më herët se Erion Isai shpalli “të pastrehë” disa prej drejtorëve të tij, të cilët do të përfitonin strehim nga lehtësirat e bashkisë.

Një prej këtyre zyrtarëve “të pastrehë” ishte edhe Petrit Kristo, Drejtori i Ndërmarrjes Pyjore në Bashkinë Kolonjë.

Kjo drejtori ka për detyrë që të ruajë, mbrojë dhe shtojë pyjet në zonën e Kolonjës, e cila dikur ishte tërësisht e pyllëzuar, por që aktualisht po vuan ndjeshëm mungesën e gjelbërimit.

Dhe, si për ta bërë situatën pyjore sa më të rëndë, duket se po mendon pikërisht babai i drejtorit të Pyjores, Artur Kristo.

Kristo “i vjetër” zotëron prej vitit 2003 shoqërinë “Kristo 03”, e cila ka për objekt të aktivitetit të saj “përpunimin, prodhimin, shitje e drurit, përgatitjen e mobiljeve, etj” dhe qendrën e ka në në fshatin Radovë të Leskovikut.

Në foto: Pamje panoramike nga fshati Podë, Leskovik

Disa denoncime të mbërritura në adresë të “Boldnews.al” tregojnë se kompania “Kristo 03” po rrafshon sipërfaqe të mëdha pyjore, të cilat janë pjesë e territorit të Bashkisë së Kolonjës.

Të dhënat tregojnë se “Kristo 03”, aktualisht, është duke prerë dhe shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjore në zonën e Podës.

“Kristo” u ngjall, pas emërimit të Isait

Kompania “Kristo 03”, megjithëse është krijuar rreth 20 vjet më parë, një pjesë të mirë të këtij harku kohor e ka pasur aktivitetin e pezulluar.

Në foto: Ekstrakti i kompanisë “Kristo 03”

Pezullimi i fundit në radhë i shoqërisë në 27 Mars 2019. Por, në Shtator 2020, shoqëria rikthehet aktive. Ndoshta për koincidencë, por rikthimi, tashmë pa ndalim, i aktivitetit të “Kristo 03” ndodhi vetëm pak muaj pasi Erion Isai merr mandatin e parë si kryebashkiak i Kolonjës, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019. /boldnews.al