Një arrestim i zakonshëm i kryer nga policia e Sarandës pas vjedhjes së një shume të hollash në një apartament, ka zbuluar një vendim skandaloz gjyqësor se si plagosja e një personi, në mos tentativë vrasje ndaj tij, duke e qëlluar me shkop bejsbolli, thikë e armë ka përfunduar në pushim cështje e pafajësi.
Policia e Sarandës njoftoi sot arrestimin e 35-vjecarit Enrison Abazi. Ai dyshohet se më 11 tetor ka vjedhur në apartamentin e një shtetaseje në lagjen nr.3 të Sarandës, një cante me sende personale dhe një shumë parash.
Një kërkim i thjeshtë në rrjet të paraqet precedentët publikë penalë të Abazit. Konkretisht ai rezulton të jetë arrestuar ne prill 2019 në rrugën “George W. Bush” si person i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Sarandës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Sipas komunikatës së asaj dite, “më datë 19.12.2016, rreth orës 14:40, në lagjen Nr. 1 Sarandë, ky shtetas në bashkëpunim me vëllanë e tij, kanë qëlluar me sende të forta (shkop bejsbolli) dhe mjete të mprehta (thikë), shtetasin Xhejms Hyseni, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup”. Në fakt ndryshe sa e paraqet komunikata e policisë, ngjarja e 19 dhjetorit nuk ishte shkaktuar vetëm nga këto armë të ftohta, por edhe nga një armë zjarri, e cila cuditërisht nuk përmendet në komunikatën e policisë së 5 viteve më parë. Disa ditë pas arrestimit, Gjykata e liron Abazin duke i ndryshuar masën në “Arrest në shtëpi”, pasi prokuroria i kishte ndryshuar akuzën nga “plagosje e rëndë me dashje” në “plagosje e lehtë me dashje”. Por edhe pse në një masë të lehtë sigurimi, Abazi arrestohet sërish disa kohë më pas, pasi e thyen edhe atë dhe kapet jashtë banese. Kalon disa kohë në qeli dhe lirohet sërish.
Si u pushua cështja e plagosjes në bulevardin e Sarandës
Në 19 dhjetor 2016, në spitalin e Sarandës transportohet i plagosur shtetasi Xhejms Hyseni. Sipas kqyrjes fillestare, i riu i plagosur kishte plagë në kokë, parakrah, gjoks, kofshë dhe gju. Ekspertimi i mëvonshëm mjeko-ligjor nga eskperti Ermir Ibro përcaktoi se plagët tek viktima ishin shkaktuar nga mjet i fortë mbretës, mjet prerës – cpues, dhe nga kalimi (tangencial) i një predhe arme zjarri.
Në fakt Xhejms Hyseni ishte plagosur nga tre persona në hyrje të bulevardit të Sarandës. Rreth orës 14.30 të asaj dite ai është sulmuar nga 3 persona kur ka qenë duke lëvizur me biçikletë në bulevard, fillimisht me shkop bejsbolli, më pas me thikë dhe armë zjarri. Pas ngjarjes autorët janë larguar me një fuoristradë të zezë duke e lënë të plagosur në vendngjarje.
Policia në vendin e ngjarjes sekuestron një gëzhojë dhe një predhë, të cilat u përkasin fishekëve standartë luftarakë të fabrikuar të kalibrit 6. 35 mm, që përdoren si municion për pistoletat e kalibrit 6. 35 mm. Dëshmia e Hysenit identifikon si autorë të ngjarjes vëllezërit Arbër Abazi dhe Enrison Abazi. I pari, me emër të ndryshuar tashmë në Sokol Kristjani, rezulton një person me precedentë të rëndë penalë. Rreth 17 vite me parë, teksa ishte student në Gjermani, vrau me thikë shokun e tij të dhomës, nipin e humoristit Koço Devole. Për ngjarjen kreu disa vite burg dhe u rikthye në Sarandë. Në shkurt 2012, plagosi disa herë me thikë në Sarandë shtetasin K. M, por pas arrestimit u lirua nga Gjykata.
Në dëshminë e tij Xhejms Hyseni deklaroi se rreth orës 14.30, data 19.12.2016, ndërsa shëtiste me biçikletë në shëtitoren e qytetit, drejt tij ka shkuar Enrison Abazi dhe e ka goditur në kokë me një shkop bejsbolli. Pas kësaj drejt tyre është afruar dhe vëllai i këtij të fundit, Sokol Kristjani i cili e ka goditur në këmbën e djathtë me armë zjarri, lloji pistoletë, “e vogel, e nikeluar”. Ka ndjerë dhimbje mbi gjurin e këmbës së djathtë, ndërkohë që Sokoli e ka goditur me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit. Një person i tretë i shoqëronte vëllezërit dhe ka vepruar bashkë me ta, duke e goditur me grushta e shkelma në ky person nuk njihej prej të dëmtuarit dhe as është identifikuar më tej, megjithesë ai pretendon se po ta shohë mund ta njohë. Pas këtyre veprimeve këta persona që e sulmuan janë larguar të gjithë, me një “fuoristradë të zezë”, ndërsa vetë ka qëndruar i ulur në një bordurë të shëtitores, në gjendje jo të mirë dhe kishte dëmtime e gjakderdhje në pjesë të ndryshme të trupit. Aty e ka gjetur një miku i tij, i cili e ka përcjellë me një “mjet taksi” për mjekim në spitalin e qytetit të Sarandës. Gjatë ngjarjes ka patur dhe persona të tjerë që e kanë qëlluar, përveç atyre të përmendur me lart, por nuk ka mundur t’i shohë apo njohë. Nuk ka parë persona të tjerë aty rrotull që mund të kishin parë ngjarjen. Në spitalin e qytetit të Sarandës ka marrë mjekim dhe më pas ështe transferuar në Spitalin e Traumës në Tiranë (ish-spitali ushtarak”) ku ka qëndruar disa ditë nën trajtim mjekësor.
Dy vëllezërit shpallen në kërkim nga policia. Në datë 20.12.2016 prokurori Elidon Hysenaj ka rregjistruar procedimin penal për veprat penale; 278/1, dhe 88/1 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, pra për veprat “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “plagosja e rëndë me dashje”, të kryer në bashkëpunim. Në datë 29.12.2016 është kërkuar caktimi i një mase në mungesë ndaj të dyshuarve e cila është kryer me vendimin nr.23-2016-2563 dt.30.12.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, dhe konkretisht masa “Arrest në burg”.
Në datë 22.06.2017 Prokurori Edison Ademi ka rregjistruar procedimin penal nr. 802 për veprat penale të parashikuar nga nenet 89 e 25 të Kodit Penal dhe 278/1. Në po këtë datë 22.06.2017 ka vendosur “Pushimin e çështjes penale për veprën “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga nenit 88/1 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe ka vendosur gjithashtu “Pushimin e çështjes në procedimin penal nr. 802 të vitit 2016 për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga nenit 88/1. Pra tashmë nga “plagosje e rëndë” akuza ndryshon në “plagosje e lehtë”. Në datë 17.07.2017 prokurori Edison Ademi ka vendosur dërgimin e cështjes në gjykim me akuzat e mësipërme.
Në Gjykatën e Sarandës u rregjistrua çështja më 20.07.2017 dhe nisi procesi në mungesë të dy vëllezërve. Në shkurt 2022, kur ishin zhvilluar rreth 90 seanca dhe cështja po zvarritej për rreth 5 vite, një portal i njohur mediatik shkruan një artikull me temë: “U qëllua me armë, thikë e shkop bejsbolli në mes të Sarandës, 5 vjet gjyqe për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, vijon kalvari”. Artikulli denonconte jo vetëm zvarritjen e procesit por edhe ndryshimin e akuzave që kishin cuar në lirimin e Enrison Abazit pasi vëllai tij ende nuk ishte kapur. Por si për cudi 3 ditë pas artikullit, policia e Tiranës njofton kapjen e Sokol Kristjanit. U vetëdorëzua apo u kap? A kishte lidhje artikulli në media me kapjen e tij apo ishte rastësi? Kjo mbetet enigmë, por ajo cka erdhi më pas u duk mjaft mirë e koordinuar. Në 18 shkurt Gjykata e Sarandës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Sipas vendimit, ndaj tij rëndonte masa e sigurisë “Arrest në burg” e vendosur në 30 dhjetor 2016 për dy akuza, përfshirë atë të armëmbajtjes pa leje. Por në seancë prokurori Ilir Hoxha (këtë cështje e ndoqën 3 prokurorë të ndryshëm) kërkoi që ndaj Kristjanit të caktohej masa “detyrimi për t’u paraqitur ne policinë gjyqësorë” duke detyruar gjyqtarin Shkëlzën Licaj ta pranojë, në kushtet kur nuk mund të vendoste masë më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.
Mënjeherë pas vënies në dispozicion të drejtësisë edhe të Sokol Kristjanit alias Arbër Abazi, seancat ecin shpejt dhe në 22.12.2022, plot 6 vjet nga ngjarja dhe mbi 5 vjet nga nisja e procesit, jepet vendimi. Prokurori Ilir Hoxha kërkon pushimin e akuzën “plagosje e lehtë me dashje” ndaj Sokol Kristjanit dhe Enrison Abazit pasi vepra ishte amnistuar. Për këtë u përdor një vendim për amnistinë e disa veprave të kryera deri në 25 dhjetor 2016, përfshirë dhe këtë vepër. Në fakt aministia nuk parashikonte personat që i shmangeshin drejtësisë, por duke qenë se Gjykata kishte caktuar masë sigurimi për dy vëllezërit në 30 dhjetor 2016, u quajt kjo datë si data kur presupozohet se dy autorët janë shpallur në kërkim dhe si rrjedhojë në datë 25 ata nuk mund të quhet se i shmangeshin drejtësisë.
Nga ana tjeter prokurori kërkoi dënimin e Sokol Kristjanit me 3 vjet e 6 muaj burg për “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Por gjyqtarja Suela Xhani përvec pranimit të pushimit të akuzës për plagosje, vendos shpalljen e pafajshëm të Sokol Kristjanit edhe për armëmbajtjen pa leje. Këtë e bazoi në disa kontradikta mes ekspertëve mjeko-ligjorë lidhur me dëmtimet tek viktima por edhe në argumentat e avokatit.
“Në rastin konkret në vendngjarjë janë gjetur dy gëzhoja armës. Njëra e plasur dhe tjetra me vjaskë të padëmtuar. Me deduksion organi i akuzës ka konkluduar se meqënëse ka dy gëzhoja në vendngjarje ka pasur armë dhe viktima ka pohuar se i pandehuri Sokol Kristjani e ka qëlluar me armë. Me të drjetë mbrojtja ka ngritur dyshimin se si ka mundësi që në venngjarje ka pasur dy gëzhoja ku njëra ka qenë e paplasur. Tek dëmtimet e viktimës, nuk janë evidentuar plagë armë zjarri, siç ka dalë nga aktet e ekspertimit mjeko ligjor.
-Në banesën e të pandehurit është ushtruar kontroll dhe nuk janë gjetur armë zjarri. Dëshmitari O. D. që ka qenë dëshmitari më afërt me ngjajren ka deklaruar se nuk ka dëgjuar zhurmë arme zjarri. Vetëm viktima sipas deklarimeve të tij ka qenë i rrethuar nga disa persona dhe është përleshur me ta, e ka deklaruar se ka qenë Sokoli që mbante armë. Pra e gjithë akuza mbështetet në këtë pikë vetëm në thëniet e viktimës dhe nuk ka prova të tjera. Duhet thënë se fajësia nuk mund të përcaktohet vetëm nga një provë e vetme, por edhe nëse do të ishte kështu ajo duhet të krijojë bindjen tej çdo dyshimi të arsyeshëm tek Gjykata për ekzistencën e faktit penal. Nga aktet e ekspertimit mjeko ligjor, nuk rezulton që të jetë bërë ndonjë akt ekspertimi që të provojë ekzistencën e faktorëve qitës në veshjen e viktimës ose edhe në indet e dëmtuara. Prandaj duke qenë se çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit, për këtë vepër penale i pandehuri duhet të deklarohet i pafajshëm”, shprehet Xhani në argumentimin e saj.
Në fakt avokati i të pandehurit por edhe Gjyqtarja duket se e mbështetën mungesën e plagës me armë zjarri tek një kontradiktë mes ekspertimit të mjekut Ermir Ibro, i cili pranonte se kishte një plagë tangenciale me armë me atë të eskpertit që e kqyri për herë te parë në Sarandë, Hysen Korenica pdhe mjekut Besim Ymaj, të cilët nuk konstatonin plagë me armë zjarri. Në fakt Korenica rezulton më pas i arrestuar nga SPAK për “ekspertim të rremë” për një ngjarje tjetër duke u dënuar nga Gjykata e Sarandës për këtë vepër, ndërsa Ymaj është mjek privat dhe ekspertizën në rastin konkret e ka kryer privatisht.
Sic rezulton nga aktet e procesit, viktima Xhejms Hyseni në qëndrimin e tij ishte që këta persona të deklaroheshin fajtor dhe të dënohen, madje ai pretendonte që ndaj tyre akuzat duhet të ishin më të rënda.
Policia shkoi dy orë me vonesë në vendin e ngjarjes
Jo pak ka ndikuar edhe policia e Sarandës në ngatërresën e provave të kësaj ngjarje. Në fakt policia në asnjë komunikatë nuk ka përmendur përdorimin e armës në këtë ngjarje, cka është vënë në dukje edhe nga avokati i të pandehurve, i cili në seancë është shprehur: “në aktin e shpalljes ne kerkim të të dy te pandehurve të dates 19.12.2016 nga ana e Komisariatit te Policisë Sarandë nuk përmendet asnjë armë zjarri po vetëm armë të ftohta”.
Madje avokati nxorri në pah edhe detaje të tjera të rënda lidhur me punën e policisë, cka i përdori në favor të të pandehurve. “Gjatë shqyrtimit në themel të cështjes dhe debatit gjyqësor doli qartë se tabela fotografike nuk përputhet me procesverbalin e kqyrjes së vendit të ngjarjes e provuar katërcipërisht kjo dhe me dëshmite e shtetasve të thirrur në gjykim ku policet prezent në vendin e ngjarjes kanë shkuar në oren 16:30 kur nuk kishte ndriçim natyror dhe ngjarja ka ndodhur në oren 14:20 min pra vendi i ngjarjes për më shume se 2 orë është ruajtur dhe administruar nga shtetasi Murat Hyseni sipas deshmisë së tij para gjykatës Hyseni që deklaroi se prej orës 15:30 deri në 16:30 kam qenë vetem unë në vendin e ngjarjes dhe aty nuk ka pasur asnjë punonjës policie e cila bie në kontraditë me procesverbalin e kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe tabelën përkatese fotografike si dhe dëshmia e datës 04.07.2018 e shtetasit Xhejms Hyseni se Arber Abazi e mbante pistoleten drejtuar nga barku im në pozicionin të pritët nga e djathta në të majtë, se është fotografuar për plaget e tij në spital dhe se ka dhënë dhe shpjegime me shkrim po atë ditë akte te cilat nuk ndodhen në dosjen objekt gjykimi me qëllim sqarimin sa më transparent të asaj që ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur realisht”, u shpreh avokati në seancë.
Nëse kjo dosje është manipuluar apo jo me qëllim, kjo nuk dihet. Ajo cka mbetet fakt, është qenia në liri e një personi që ka kryer një vrasje dhe dy plagosje, në mos tentativa vrasje dhe e vëllait të tij, i cili sot u vu në pranga për një tjetër vepër, vjedhje. Kjo e sotmja mund të jete një vepër ndoshta e lehtë, por mungesa e drejtësisë mund të cojë në vepra më të rënda në të ardhmen.