Kompania Infotelecom-AlbSolar 3 ka blerë për 1.95 milionë euro truallin ku ishte vendosur ish-Rafineria e Naftës në Ballsh.
Transaksioni është kryer nëpërmjet blerjes së shoqërisë që mbante në pronësi tokën, GreeNNat Solar Park Ballsh.
Kjo kompani ishte themeluar vitin e kaluar nga shoqëria SHIJAKU, me qëllim ngritjen e një parku fotovoltaik në territorin ku më parë ndodhej Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Por, pa e nisur ende investimin, SHIJAKU e ka shitur kompaninë te Infotelecom-AlbSolar 3, një shoqëri me objekt prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Infotelecom-AlbSolar 3 kontrollohet në masën 51% nga Gjonal Group Holdings dhe në masën 49% nga kompania ALBERG, shoqëri në pronësi të sipërmarrësit Agron Haxhiymeri.
Çmimi i shitjes prej 1.95 milionë euro është afërsisht i njëjtë me vlerën kontabël të truallit të ish-Rafinerisë së Ballshit, të mbajtur në bilanc nga kompania GreeNNat Solar Park Ballsh.
Në vitet e fundit, ka një interes në rritje nga investitorë vendas dhe të huaj për investimin në impiante fotovoltaike të prodhimit të energjisë.
Sipas Instat, për gjysmën e parë të këtij viti, prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga energjia diellore arriti në afërsisht 40 GWh, volum që përbën rreth 1% të prodhimit të përgjithsëm të energjisë elektrike në vend.
Rafineria e Ballshit u ble nga kompania Shijaku në vitin 2021 për 8 milionë euro prej një banke tregtare në Shqipëri, që e kishte riposeduar në formën e kolateralit për kredinë e pakthyer nga subjekti i fundit që e mbajti në pronësi rafinerinë në formë funksionale, kompania Allum Enterprises.
Kjo kompani, megjithatë, nuk e pati operuar asnjëherë direkt vetë rafinerinë, por e pati lënë me qira te një shoqëri me aksionerë të regjistruar në Zvicër, Tosk Energji. Pas dështimit edhe të kësaj të fundit, në vitin 2019, Rafineria e Ballshit u mbyll përfundimisht dhe nuk u arrit të gjendej një investitor tjetër i gatshëm për ta rivendosur në punë.
Përllogaritjet e investitorëve të interesuar treguan se rivendosja në punë e raferinerisë kërkonte një investim shumë të madh dhe kjo nuk u vlerësua me leverdi ekonomike.
Rafineria e Ballshit ishte ndërtuar në fund të viteve ‘70 me një teknologji të prodhimit kinez dhe prej asaj epoke investimet në të kishin qenë minimale. Përfundimisht, rafineria u çmontua në vitin 2022 dhe u shit për skrap, ndërsa në tokën ku ishte vendosur do të ndërtohet një park fotovoltaik.
Rafineria e Ballshit ishte aseti kryesor i ish-kompanisë publike të përpunimit të naftës, ARMO, që u privatizua në vitin 2009 për 128 milionë euro nga një konsorcium i udhëhequr prej biznesmenit Rezart Taçi.
Por, ky privatizim nuk solli rimëkëmbjen dhe modernizimin e rafinerisë, por fillimin e tatëpjetës dhe rrënimit përfundimtar të saj. Kompania që fitoi garën e privatizimit dhe disa kompani që e shfrytëzuan rafinerinë në seri dështuan, duke lënë pas shuma të mëdha borxhesh ndaj kreditorëve, furnitorëve, punonjësve dhe tatimeve.
Rafineria e Ballshit ishte i vetmi impiant i përpunimit të naftës bruto me qëllim prodhimin e karburanteve në Shqipëri. Për shkak të mungesës së investimeve, karburanti diesel i prodhuar në të ishte i një cilësie të dobët, por rezultonte me një çmim më të ulët se karburanti që importohet nga rafineritë e huaja. Prodhimi i karburanteve në vend mund të ndihmonte për të zbutur pjesërisht pasojat e shtrenjtimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria është një vend prodhues i naftës bruto.
Prej mbylljes së Rafinerisë së Ballshit, shumica dërrmuese e naftës bruto që nxirret në Shqipëri eksportohet, me përjashtim të një sasie të vogël që përpunohet për prodhim bitumi në Rafinerinë e Fierit.