Në 18 muaj shumë oficerë të inteligjencës ruse janë dëbuar nga ambasadat në kryeqytet evropiane.

Ama kjo nuk e ka penguar Kremlinin zyrtar që të përdorë metoda të reja për të mbajtur gjallë rrjetet e spiunazhit.

Kur tre shtetas bullgarë u akuzuan këtë javë për pjesëmarrjen e tyre në një komplot – i shkëputur nga faqet e një romani të Ian Fleming – ai ekspozoi rrugëtimin që regjimi i Vladimir Putinit duhet të bëjë për të marrë informacione potencialisht të vlefshme dhe rreziqet që merren përsipër.

Në pamje të parë bullgarët dukeshin thuajse normalë, secili me prejardhje shumë të ndryshme, të cilat mund të vihen re në profilet e tyre në mediat sociale.

Profili i Orlin Roussev në LinkedIn thotë se ai zotëronte një biznes të përfshirë në inteligjencën e sinjaleve, që përfshinte përgjimin e sinjaleve elektronike.

Ai gjithashtu thekson se në fillim të karrierës së tij ka vepruar si këshilltar në ministrinë bullgare të Energjisë.

Katrin Ivanova thotë në LinkedIn se punon si laborante për një biznes privat shëndetësor, ndërsa britanikja “BBC” raportoi se Bizer Dzhambazov e ka përshkruar veten si shofer i Urgjencës spitalore.

Dyshja drejtonin një organizatë komunitare që ofronte shërbime për bullgarët që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar.

Pra, çfarë na thonë këto profile për llojin e punës së spiunazhit që mund të kenë bërë bullgarët?

Së pari ne duhet të shohim gjendjen e operacioneve të grumbullimit të inteligjencës ruse.

Çfarë lloj spiunësh po drejton Rusia?

Rrjetet e spiunazhit të Rusisë në të gjithë Evropën – dhe në mbarë botën – përshtaten në katër kategori kryesore.

Si fillim janë spiunët rusë që punojnë në ambasadat e huaja duke u paraqitur si diplomatë.

Kategoria e dytë janë zyrtarë apo politikanë që Rusia ka arritur t’i kthejë dhe që paguhen për të dhënë informacion.

Më pas, agjentët e mbulimit të thellë nga Rusia, të njohur si “ilegalë”, të cilët bëjnë jetë në dukje normale.

Dhe në fund kemi spiunët e fjetur, si bullgarët e demaskuar me sa duket në Londër.

Misioni i tyre është të presin dhe të vëzhgojnë, të krijojnë kontakte dhe ndoshta të përpiqen të kenë qasje te njerëzit që mund të bëhen objektiva spiunazhi.

Për sa i përket asaj se kush merret me spiunët, tradicionalisht GRU ishte shërbimi i inteligjencës së jashtme të Rusisë, ndërsa FSB ishte shërbimi vendas i spiunazhit, por këto role kanë ndryshuar disi tani.

“Sistemi rus është i tillë që ju duhet të mjegulloni kompetencat, apo edhe të dyfishoni kompetencat, kështu që agjencitë mund të kontrollojnë njëra-tjetrën”, shpjegon Ryhor Nizhnikau, një ekspert i Rusisë në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, FIIA për “Euronews”.

Ambasadat ruse janë zhveshur nga spiunët

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, qindra spiunë rusë u shpallën persona non grata dhe u dëbuan nga ambasadat e tyre nëpër Evropë.

Kjo e privoi Kremlinin nga një infrastrukturë agjentësh, të cilët mund të kontrollonin operativët në terren, ose të drejtonin operacionet e tyre të mbledhjes së inteligjencës.

“Shumë diplomatë rusë dhe spiunë janë dëbuar. Burimet e tyre njerëzore janë zvogëluar jashtëzakonisht”, shpjegon Maxime Lebrun, Zëvendësdrejtor i Kërkimit dhe Analizës në Qendrën Evropiane të Ekselencës Kundër Kërcënimeve Hibride, Hybrid CoE, e cila mbledh ekspertë nga 33 vende të ndryshme në Helsinki, dhe punon ngushtë me BE-në dhe NATO-n.

Ryhor Nizhnikau konfirmon se Rusia kishte nevojë të “mbushte boshllëkun” e spiunëve në ambasadat e tyre dhe “filloi të zgjonte disa nga këta agjentë të fjetur” për të bërë punë që zakonisht mund të bëheshin nga operativët e inteligjencës në misionet diplomatike jashtë vendit.

Çfarë lloj pune mund të bëjë një agjent rus?

Ka pasur shumë shembuj të kohëve të fundit të agjentëve rusë të kapur në flagrancë në Evropë.

Nga një mbulesë e thellë “ilegale” që u përpoq të depërtonte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, te një roje në Ambasadën Britanike në Berlin që u rekrutua për të spiunuar për Moskën, dhe shumë të tjera.

Në Norvegji, një kolonel i GRU-së po pozonte si student masteri nga Brazili në Universitetin e Tromso-s.

Aty ai ishte i përfshirë në një grup kërkimor që punonte me agjencitë qeveritare norvegjeze për kërcënimet hibride të lidhura me rajonin e Arktikut, sipas shërbimit të sigurisë PST të Norvegjisë.

“Ky aspekt mashtrimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të përshkruar këta individë të rastësishëm që mund të kalonin si studentë dhe të njihen me mësues ose sekretarë që morën fonde për një projekt sigurie”, thotë Maxime Lebrun nga CoE Hybrid.

“Ky lloj spiunimi i rastësishëm është shumë i vështirë për t’u dalluar”.

Një rast tjetër i kohëve të fundit përfshinte një agjente ruse, e cila pretendonte të ishte nga Peruja dhe zotëronte një dyqan bizhuterish në Napoli, pranë Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s.

Gjatë gati një dekade, ajo u bë shoqe me zyrtarë të lartë të NATO-s dhe madje pati një lidhje me një prej tyre.

“Është normale në kuptimin që kur diskutojmë zyrtarë të lartë të MB-së ose NATO-s, ndonjëherë ata mund të rekrutohen drejtpërdrejt, ata mund të bëhen spiunët tuaj”, thotë eksperti i Rusisë Ryhor Nizhnikau.

Agjentët e fjetur, shpjegon Nizhnikau, mund të jenë normalë apo edhe të mërzitshëm, thjesht një mik i familjes “dhe nuk do ta bëni kurrë lidhjen se një operacion i huaj zbulimi po ndodh rreth jush”.

Pse bullgarët do të bënin spiunë të mirë rusë?

Për ekspertët që ndjekin botën e errët të spiunazhit ndërkombëtar, nuk është shumë e habitshme që bullgarët mund të përfshihen si agjentë të fjetur të Kremlinit.

“Një bullgar mund të jetë më i hapur ndaj detyrimit për të spiunuar për Rusinë sesa një britanik”, thotë Maxime Lebrun nga CoE Hybrid.

Pasi të rekrutohet, një aset i ri rus mund të marrë para për t’u zhvendosur në Britani, mund të ketë para për të filluar një biznes ose për të jetuar një jetë normale – dhe ndoshta as që të mos kërkohet të bëjë asgjë në fillim, përveçse të vendoset.

Për Ryhor Nizhnikau ka një shpjegim edhe më të thjeshtë pse bullgarët mund të rekrutohen nga Rusia.

“Vendet që ishin pjesë e këtij ish-blloku komunist janë një nga burimet kryesore për rekrutimin e FSB-së dhe GRU-së”

“Kjo i bën ato kombe një objektiv më të lehtë sesa rekrutimi i një personi britanik, apo dërgimi potencial i agjentëve rusë atje”.

“Euronews”