Në datën 28 Shtator në një takim me gazetarët, në rrugë informale, kreu i SPAK Altin Dumani, paralajmëroi zhvillime surprizuese në drejtim të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.
Ky i fundit është shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorëve, por kjo dosje nuk përbën telashin e tij të vetëm më drejtësinë.
Kjo e dielë ka nisur vrullshëm me informacione për Ahmetajn, i cili është marrë për herë të dytë si i pandehur nga SPAK, këtë herë për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, në kohën kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë.
Ka qenë prokurori Elvin Gokaj ai që ka marrë të pandehur Ahmetajn për akuzën e “shpërdorimit të detyrës“, ndërkohë që dëmi që llogaritet është rreth 700 milionë lekë të rinj.
Hetimet vijojnë dhe në drejtim të biznesmenit Lirim Fezollari, i cili në truallin ku ka qenë ish-fabrika e bukës tashmë ka ndërtuar qendrën tregtare Emerald. Prona në fjalë i përkiste familojes Myderizi.
Pavarësisht se konflikti për pronën ishte zhvendosur në disa shkallë të Gjyqësorit, Ahmetaj dhe disa vartës të tij i kishin hapur rrugën privatizimit të ish-fabrikës nga Fezollari, ndërkohë që pozitat e socialistit rëndohen për shkak se ka pasur dhe një udhëtim të përbashkët me biznesmenin në një nga shtetet e BE, që tregon për njohjen personale mes tyre.
Çfarë ka ndodhur me privatizmin e ish-fabrikës së bukës
Në Korrik të vitit 1995, një vendim i Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KPPP), i saktësuar nga një vendim gjyqësor i asaj kohe, i ka njohur një familjeje të vjetër tiranase pronësinë në një sipërfaqe 8980 m2 në zonën e “5 Majit”, nga e cila 4890 m2 ishte ndërtesë e fabrikës shtetërore të Bukës.
Dy muaj më pas, në Tetor 1995, është regjistruar shoqëria tregtare anonime “Buka” sha, në pronësi absolute të shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Pjesë e aseteve të kësaj shoqërie ishte edhe trualli, i cili i ishte njohur familjes tiranase. Në vitin 1996, Ministria e Financave vendosi shitjen e 49 përqind të aksioneve të saj, duke vijuar të ruajë kontrollin mbi shoqërinë “Buka” sha.
Në vitin 2000, Ministria e Financave ka llogaritur kuotat që i takojnë ish-pronarëve në shoqërinë “Buka” sha. Për ish-pronarët e truallit të kësaj shoqërie është akorduar vlera prej 8.8 milionë lekë të reja, që i korrespondon një pakete prej 3.1 përqind të aksioneve. Në vitin 2004, Ministria e Ekonomisë vendos të shesë aksionet e saj në shoqërinë “Buka” sha, në shifrën 47.65 përqind.
Trashëgimtarët e truallit kanë kundërshtuar në rrugë gjyqësore, si vlerën e kuotave që u është përcaktuar nga Ministria e Ekonomisë, po ashtu edhe procedurën e ankandit, derisa të sqarohet përfundimisht sasia e aksioneve në “Buka” sha. Ndër të tjera, vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për numër minimal kuotash, u hiqte të drejtën atyre jo vetëm të një vlerësimi të drejtë, por edhe të përfshirjen në ankand me të drejtën e parablerjes së aksioneve qeveritare.
Kërkesa e tyre pranohet nga Gjykata e Apelit në vitin 2006 dhe Ministria e Ekonomisë detyrohet nga gjykata që të anulojë ankandin, si edhe të vlerërojë trashëgimtarët e pronarit me vlerën e tregut. Ministria e Ekonomisë anuloi procedurën e ankandit, por për vite me radhë nuk zbatoi pjesën e vendimit për ri-llogaritjen e aksioneve të trashëgimtarëve dhe vlerësimin e tyre.
Në vitin 2014, Ministri i Ekonomisë së kohës, Arben Ahmetaj, shpall sërish ankandin për shitjen e 47.6 përqind të aksioneve shtetërore në “Buka” sha. Këtu është momenti kur shfaqet biznesmeni Lirim Fezollari. Në shtator 2014, ai fillimisht kishte blerë 15 përqind të aksioneve. Brenda tre muajve, deri në nëntor 2014, Fezollari arrin të blejë 40 përqind të aksioneve nga moria e ortakëve në minorancë (kryesisht ish-punonjës të “Buka sha).
Pra, në momentin e shpalljes së ankandit, Lirim Fezollari rezultonte efektivisht aksioneri i dytë më i madh i “Buka” sha, pas Ministrisë së Ekonomisë. Por, kjo situatë e aksionerëve nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, e cila kërkonte ri-vlerësimin e kuotave në shoqëri të trashëgimtarëve të truallit, ku gjendeshin godinat e “Buka” sha.
Pra, në momentin e shpalljes së ankandit, Lirim Fezollari rezultonte efektivisht aksioneri i dytë më i madh i “Buka” sha, pas Ministrisë së Ekonomisë. Por, kjo situatë e aksionerëve nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, e cila kërkonte ri-vlerësimin e kuotave në shoqëri të trashëgimtarëve të truallit, ku gjendeshin godinat e “Buka” sha.
Në Shtator 2014, Ahmetaj shpall procedurat e ankandit për shitjen e aksioneve të qeverisë në “Buka” sha., ndërkohë që nuk ishte zbatuar ende vendimi i formës së prerë, të marrë nga i Gjykata e Apelit në vitin 2006, për ri-llogaritjen e kuotave të ish-pronarëve në “Buka” sha. Në Qershor të vitit 2015, Komisioni i Ankandit, i ngritur pranë Ministrisë së Financave, e cila në atë kohë drejtohej nga Shkëlqim Cani, nënshkruar një marrëveshje paraprake me biznesmenin Lirim Fezollari, ku përcaktohen modalitetet e procedurës.
Në Gusht 2015, Ministria e Financave shpall biznesmenin Fezollari fitues të ankandit për blerjen e aksioneve (rrjedhimisht edhe aseteve) të shoqërisë anonime “Buka” sha.
Ndërkohë që zhvilloheshin këto procedura, trashëgimtarët e ish-pronarit i drejtohen sërish gjykatës, ku kërkohej anulimi i ankandit të shpallur rishtazi, si edhe rivlerësimin e pronës me çmimet e përcaktuara, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2001 dhe akteve pasuese të tij.
Ministria e Financave u tregua e paduruar për të mbyllur ankandin, ndërkohë që institucioni ishte i paditur në gjykatë dhe procesi gjyqësor ishte në vijim. Në tetor 2015, vetëm dy muaj pas shpalljes së rezultateve të ankandit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë u jep të drejtë ish-pronarëve, duke vendosur gjithashtu anulimin e pasojave të procedurës.
Çështja shkon në Apel, me ankimues Ministrinë e Ekonomisë, si institucioni që kishte urdhëruar zhvillimin e ankandit. Ndërkohë që çështja priste vendimin në Apel, rezulton se biznesmeni Lirim Fezollari, si aksioneri maxhoritar i “Buka” sha, shet asetet e shoqërisë, konkretisht trojet e saj, tek kompania “Tobbaco Holding”, e cila ishte gjithashtu në pronësi të saj.
Në nëntor të vitit 2017, Gjykata Administrative e Apelit u jep përfundimisht të drejtë ish-pronarëve, si për anulimin e ankandit, ashtu edhe për rivlerësimin e kuotave në shoqërinë “Buka” sha.
Ish-ministri Arben Ahmetaj vijon të jetë deputet, por prej 24 gushtit 2023 administrata e Kuvendit i ka ndërprerë page dhe shërbimet mbështetëse që vijnë për shkak të detyrës si pagesa për telefonin, automjetin, karburantin si dhe shpenzimet e banimit.
Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij.
Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet e SPAK, nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të ish-pronarit, familjes Myderizi, të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të truallit, ku gjendej më parë furra elektrike e “Buka” sha, në zonën e “5 Majit” në Tiranë.