“Loja” e Wizz Air me pagesat cash, 60 € për një çantë krahu, dy fatura të ndryshme për të njëjtin bagazh
“Wizz Air” njihet si një nga kompanitë me çmime ekonomike, por nuk janë të pakta rastet kur pasagjerët “suprizohen” në momentet e fundit para fluturimit.
Në televizionin Ora News ka mbërritur një denoncim në lidhje me këtë kompani. Një qytetar ka paguar biletën në Wizz Air e cila përfshinte një çante krahu. Pak para fluturimit në aeroportin Charleroi të Brukselit, është përballur me një situatë të cilën e cilëson si skandaloze.
“Nga stafi i Wizz m’u kërkua ta vendosë çantën te “masa”. Edhe pse çanta u fut brenda strukturës metalike m’u kërkua të paguaj 60 euro. Situatë kjo plotësisht skandaloze! Me anë të një emaili i kam kërkuar kompanisë të kthejë kamerat e sigurisë së aeroportit për të vërtetuar që çdo gjë ka ndodhur pikërisht kështu.
Edhe pse ishte e padrejte qe te paguaja 60 euro për një çantë krahu, për të mos humbur fluturimin kam kërkuar që ta bëjë pagesën me kartë. Kërkesa ime nuk u mor parasysh, por më është kërkuar që pagesën ta bëjë me para në dorë. Kam paguar cash 60 euro dhe me është dhënë dorazi kjo faturë që po ju dërgoj.”
Siç mund ta shihni qartë te kjo fature mungon emri i agjentit te biletës mungon edhe firma e tij. Mungon njëkohësisht edhe vula e cila i jep vlerë ligjore këtij dokumenti.
Për këtë situatë është vënë në dijeni me anë të një e-maili selia qendrore e Wizz Air në Hungari edhe ajo në Shqipëri. Kësaj kompani i janë drejtuar disa pyetje:
Pse Wizz Air refuzon pagesën me kartë krediti?
Mos pranimi i pagesës me kartë krediti është në politikat e Wizz Air, apo është abuzim nga ana Agjentit të biletës?
A mund të cilësohet e vlefshme një faturë pagese, e cila nuk ka emër, mbiemër, firmën e personit që ka marre pagesën?
Nëse po, deklarohen te organet tatimore pagesat që i merren “cash” udhëtarëve?
Katër ditë pas këtij emaili dhe 10 dite pas fluturimit, kompania detyrohet të kthejë përgjigje, dhe përgjigjja e vetme është kjo fature.
Këtu specifikohet se pagesa e bërë nga pasagjeri është 50 euro, por kjo shumë nuk është reale, sepse pagesa e kryer është nuk është 50 por 60 euro siç shihet qartë te fatura e dhënë dorazi.
Denoncuesi thekson se nuk është rasti i vetëm i kësaj situate, por ishin me dhjetëra qytetarë shqiptarë që i kërkohej të paguanin “cash” për çantat e shpinës dhe nëse pagesa refuzohej mund te humbisnin fluturimin.
Pyetja që duhet të marrë përgjigje është se si mundet që për të njëjtin bagazh të jepen 2 fatura me vlerë te ndryshme.
Nëse “Wizz Air” deklaron të ardhurat dhe tatohet në bazë të tyre, pse refuzon pagesat e udhëtarëve me kartë krediti?
Ka ardhur koha që trajtimi pa dinjitet i pasagjereve dhe abuzimi me to të marrë fund. /Ora News