Sot shënohen 12 vite nga 21 janari i vitit 2011 ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës, asokohe PS-së gjatë protestave para kryeministrisë kundër qeverisë së PD-së. Për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën ende nuk ka asnjë drejtësi, ndërsa familjarët presin që kjo të ndodh sa më shpejt.
Edhe në këtë përvjetor socialistë dhe familjarë të viktimave pritet që të bëjnë homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet në nder të 4 protestuesve të cilët humbën jetën. Ky është një ritual që ndiqet çdo vit nga kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga familjarët e viktimave, por dhe anëtarë të kabinetit qeveritar duke vendosur lule në bulevard.
Në vendet ku u vra secili prej 4 protestuesve qëndron një pllakatë përkujtimore. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënuan nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” . Katër viktimat janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’ por drejtësia për këtë ngjarje të rëndë nuk është vënë në vend.