Policia e Shtetit njoftoi se ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete të vendit duke çuar në pranga 25 persona. Operacioni i koduar “Sundimi i ligjit” ka në shënjestër persona të dyshuar për çështje droge, armësh dhe persona në kërkim. Mes të arrestuarve ka edhe persona të kërkuar nga drejtësia italiane.

Policia sqaron se në nisje të këtij operacioni u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga 25 shtetas, nga të cilët:

✅️19 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për vepra penale kundër personit, pronës dhe në fushën e narkotikëve;
✅️5 shtetas janë arrestuar në flagrancë, për armë e drogë.

Gjithashtu, janë sekuestruar:

✅️gjithsej 9 armë, zjarri, sportive e gjahu, një mjet prerës dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak;

✅️lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Në rang kombëtar, deri në këto momente:

-Në Dibër është kapur një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë;

-19 shtetas të tjerë të kërkuar kombëtarisht: për tentativë për vrasje të dyfishtë në Shkodër; për plagosje të rëndë me dashje ose për armëmbajtje pa leje në Dibër; për llogari të SPAK-ut; në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

-3 armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë dhe në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga.