Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Fotografi Hazir Reka i cili ka dokumentuar atë masakër të përgjakshme përmes fotove që u shpërndanë në gjithë botën, tregoi për Euronews Albania se hyrja në Reçak kishte qenë e vështirë për shkak të numrit të lartë të policëve dhe ushtarëve serbë.

Ai kujtoi se kur kishin hyrë në vendngjarje ishin përballuar me dhjetëra kufoma, kryesisht të moshuar, por edhe në moshë të re, shumica siç tha të ekzekutuar me plumb në gjoks. Reka tregoi se teksa lëviznin nëpër fshat për të kontrolluar ishte futur në një shtëpi ku kishte parë një vajzë të re të ekzekutuar, e shtrirë në tokë.

“Policët serbë kërkonin të manipulonin me kufomat. Ka qenë një ushtar i UÇK që ka vdekur 3-4 ditë më pas në mbrojtje të kufomave pasi kanë dashur t’i marrin. Kanë qenë të moshuar, por edhe të rinj, shumica të qëlluar në gjoks. Kemi nisur të lëvizim nëpër fshat, jemi futur në një shtëpi dhe aty pashë një vajë të re e ekzekutuar”, tregoi ai.