Drilona Doçi dhe bashkëshorti i saj Kristian Boçi tashmë janë subjekt i drejtësisë. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, të dyve u janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 50 mln euro.
Por për ata që kanë vite që e ndjekin çiftin në rrjetet sociale, e dinë që shfaqja e luksit nuk është diçka e re. Përveç udhëtimeve, mjeteve dhe banesave në Tiranë dhe në jug të vendit (në një zonë ekskluzive), çifti tërhoqi vëmendjen e mediave edhe teksa festonin përvjetorin e 10-të të martesës.
Në ceremoninë që u mbaj në një prej ambienteve më luksoze të Tiranës ishin zgjedhur 30 mijë lule të freskëta natyrale më të cilat u dekorua i gjithë ambienti nga tavani në dysheme.
Vetëm këto lule pa shtuar asnjë detaj tjetër kushtuan 250 milionë lekë të vjetra. Por jo vetëm kaq! Për të ftuarit ishin zgjedhur pjata argjendi, qëndisma të shtypura me lazer, lule, efekte skenike, fotografë, orkestra speciale, ekran Led 300 metra katrorë.
Edhe pecetat ishin të personalizuara me logon e infinitit dhe inicialet e çiftit… Në hyrjen e sallës së koktejit priteshe nga zëri i këngëtares Marsela Çibukajt, e pak më tutje kishte dhe një kënd për foto ku ishte shkruar “Eroma”, emri me të cilin ka thirrur Drilona bashkëshortin e saj që në fillimet e historisë së tyre. Kuptimi i kësaj fjale duket se është anagrama e fjalës “Amore”, pra dashuri.
Për të shtuar detajet e luksit, Drilona kishte zgjedhur një fustan bojëqielli “Dolce & Gabbana”, të cilin e kishte shoqëruar me këpucë qelqi, për ta kthyer veten në një Hirushe. Dasma e bujshme kishte qindra të ftuar nga jeta e politikës, medias e showbiz, bëri që të flitej më së shumti për luksin e shfrenuar, sesa për dashurinë e tyre. Mes tyre, përmendim Bes Kallakun, Juliana Pashën, Kejsi Tolën, Olta Bokën, Valon Shehun, Xhensila Myrtezajn, Genën. Por luksi nuk përfundon këtu!
Në ekranet LED ndryshonin vazhdimisht efektet përrallore, binte borë, petale, shkëlqenin galaksitë, të komanduar nga një ekip prej tre personash, dy persona kujdeseshin për dritat e tavanit që ndryshonin vazhdimisht. Për të kapur të gjitha momentet e dasmës së tyre, çifti kishte marrë tre kameramanë dhe dy fotografët më në zë të momentit në Shqipëri, Endrit Mërtiri dhe Norik Uka.
Ëndërr pra!
“Unë kam bërë dasmë më para. Në fakt, eventi nuk ishte dasmë por festë 10-vjetori. Donim që të rikonfirmonim dashurinë tonë, të kënaqeshin fëmijët. Ku ka më mirë se të bësh një festë ku janë të pranishëm fëmijët e tu,”-rrëfeu Drilona tek “Rudina”.
Por tani, për të gjitha këto shpenzime, çifti duhet që të japë llogari para drejtësisë.