Shqiptarët vijojnë të largohen masivisht, kryesisht në Europë, Angli apo edhe në Amerikën e Veriut. Nëpërmjet azilit, kontratave të punës apo edhe bashkimit familjar, mijëra persona kanë emigruar në këto vende për një jetë më të mirë.
Shpesh herë ata kanë rënë pre e mashtrimeve, duke u detyruar të paguajnë persona apo firma fantazmë mijëra euro. Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” kanë mbërritur disa denoncime për raste mashtrimi për viza pune në Angli dhe Europë.
Rasti i parë është për një zyrë ndërmjetësimi “B&M” grup që të mundëson viza 3 vjeçare angleze dhe kontratë pune për në Angli. Në rrjete sociale kjo zyrë ndërmjetësimi publikon mundësitë e punësimit si dhe profesionet e kërkuara.
Për ndërmjetësimin e kontratës dhe vizës fillimisht duhet të paguash 200 paund, viza dhe kontrata kushton në total 2600 paund. Qytetari që dëshiron të aplikojë sipas tyre duhet të bëjë 2 marrëveshje me shkrim me zyrën dhe pagesën prej 200 paund e bënë në zyrë me një mandat pagese të thjeshtë.
Rasti i dytë i mashtrimit është për një vizë pune në Suedi. Mashtruesi i ka marrë 1500 euro një qytetari, të cilin do e punësonte shofer te i vëllai në Suedi. Ai i ka dhënë 1500 euro, ndërkohë që mashtruesi për t’u bërë i besuar i ka lënë pasaportën dhe certifikatën e tij. Por, personi nuk shkoi kurrë në Suedi, ndërsa qytetari tashmë ka në dorë vetëm pasaportën e mashtruesit.
“2600 paund për kontratë dhe vizë në Angli”
Në redaksinë e Fiks Fare mbërritën 3 denoncime, për një zyrë e cila reklamonte se ofronte viza pune për në Angli. Qytetarët denoncuan se punonjësit e kësaj zyre iu kërkonin deri në 2600 paund për kontratë pune dhe vize 3-vjeçare për në Londër, Mançester dhe Liverpul.
Denoncimi i parë – “Përshëndetje, kam shkuar në një agjenci në Tiranë dhe kam aplikuar për një vizë pune angleze. Mendoj se është një agjensi piranjë. Kemi paguar nga 200 paund parapagesë dhe nuk jemi të vetmit”.
Pas disa ditësh, na vjen një tjetër mesazh – “Dua të denoncoj këtë faqen në instagram që kanë zyrën në qëndër të Tiranës, premtojnë kontrata pune dhe janë 100% mashtrim sepse kontaktova me kompaninë në Angli dhe ata mohuan çdo gjë dhe nuk bëjnë sponsorship viza. Janë mashtruar shumë njerëz dhe gjithashtu edhe familjarët e mi”.
Por, nuk përfundojnë këtu, pasi për të njëjtën zyrë një qytetare solli këtë denoncim me mesazh zanor – “Përshëndetje Fiks Fare, jam një qytetare që jetoj në Londër. Dua të denoncoj një të ashtuquajtur agjensi punësimi në Tiranë B&M Recruitment Group që ofron kontrata pune për në Angli. Si fillim ata kërkojnë një parapagim prej 200 paund. Familjarët e mi kanë aplikuar dhe paguar. Më kanë njoftuar dhe e kam kuptuar që është mashtrim. Unë vetë u interesova këtu në Angli, telefonova kompaninë në Liverpool dhe më konfirmuan, që ata nuk sponsorizojnë viza për punësim. Ky mashtrim duhet të ndalojë menjëherë që njerëzit të mos bien pre e tyre”.
Pas këtyre denoncimeve, gazetarët e Fiks Fare shkuan në këtë zyrë, e cila gjendet në qendër të Tiranës. Punonjësja e zyrës jep të gjithë informacionin se “B&M Group” ofron kontrata pune dhe viza 3 vjeçare në bashkëpunim me “B&M Retail Group” në 3 qytete të Anglisë, Londër, Liverpul, dhe Mançester. Sipas punonjësve të zyrës në Tiranë, “kompania angleze ofron kontratën e punës sipas profesionit që aplikanti kërkon”. Më tej ata vijojnë se kompania mëmë angleze të ofron akomodimin për 3 vjet dhe aplikon në Angli për leje qëndrimi. “Aplikanti fillimisht duhet të paguaj 200 paund paradhënie. Kontrata dhe viza e punës në total kushton 2600 paund ndërsa për fëmijë kushton vetëm viza 750 paund. Aplikanti ka mundësi ta paguaj në këste këtë pagesë. Viza merret brënda 15 ditëve nga aplikimi në ambasadë” pohojnë punonjësit. Ata garantojnë kthimin e parapagesës vetëm në rast se refuzohet viza.
Kompania angleze: Nuk bashkëpunojmë me zyra në Shqipëri!
Pas denoncimeve dhe premtimeve të zyrës së mundësonte vizën angleze për 15 ditë, Fiksi u interesua te Konsullata e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, nëse kanë ndonjë marrëveshje me ndonjë kompani për viza punësimi. Konsullata mohon kategorikisht të ketë ndonjë marrëveshje.
Fiksi kthehet dhe pyet sërish te zyra. Kësaj herë, punonjësja e zyrës thotë se aplikimin për vizë në konsullatën angleze në Tiranë së bashku me kontratën e punës e bën vetë kompania Angleze “B&M Retail Group”. Zyra dërgon dokumentat në Angli dhe ata mundësojnë takimin në ambasadë, ku aplikanti pas takimit brënda 5 deri në 15 ditë pajiset me vizë punë. Gjithashtu punonjësja tregon se deri në muajin dhjetor të vitit 2023 kanë kontratë me kompaninë angleze.
Punonjësit e zyrës këmbëngulën se aplikimin për vizë e bën kompania angleze, e cila quhet “B&M Retail Group Limited”. Fiksi, në bashkëpunim me një denoncuese, kontakton nëpërmjet e-mailit me kompaninë mëmë angleze, e cila citohet në marrëveshjen që aplikantët duhet të nënshkruajnë në zyrën në Tiranë. Sipas kësaj kontrate, emri i firmës që ofronte punë është “B&M Retail Limited”, me adresë “Dakota Drive” në qytetin e Liverpulit në Angli. Kodi i adresës është L24 8 RJ.
Fiksi bëri një vëzhgim në internet për emrin, adresën dhe kodin që ndodhej në këtë kontratë. Të dhënat janë të firmës “B&M Retail Limited”. Pra, adresa është e saktë!
Por, a është vërtetë firma angleze pas zyrës në Tiranë?! Në datën 23 mars 2023, Fiksi dhe qytetarja M.P., i dërgon një e-mail firmës “B&M Retail Limited”, në adresën ‘[email protected]’, e cila ndodhet në faqen zyrtare të internetit. Fiksi e pyet nëse kjo kompani bashkëpunon, ofron kontrata dhe aplikon për viza pune për qytetarët shqiptarë. Bashkëlidhur i dërgojnë edhe një kopje të modelit të kontratës, e cila u mundësohet aplikantëve në zyrën në Tiranë.
Pas 5 ditësh, në datën 28 mars 2023 menaxherja e rekrutimeve të kësaj firme, Victoria Read, dërgon një e-mail, ku shkruan se; “Mund të konfirmoj që ‘B&M Retail’ nuk po ofron sponsorizim dhe ky komunikim nuk është dërguar nga ne. Faleminderit që e sollët në vëmendjen tonë dhe ne do ta shqyrtojmë më tej”. Pra, e shkruar mjaft qartë se kompania angleze nuk bashkëpunon me asnjë zyrë apo firmë në Shqipëri!