Në fillim të viteve ‘90, qyteti i Rrëshenit, ishte nën dominimin e dy familjeve me influencë në zonë: Reçi dhe Bardhi. Dy fiset, kishin ngritur reputacionin e tyre përmes forcës dhe traditës. Secila prej tyre njihej për një ndjenjë të thellë kontrolli territorial. Ilir Reçi, në atë kohë 20 vjeç, që njihej si i forti zonës ishte personi që ndezi konfliktin mes dy familjeve. Ai u ndesh me një nga vëllezërit e Martin Bardhit, ku me një ton kërcënues, i tha se asnjë anëtar i fisit Bardhi nuk duhej të vinte në qytetin e Rrëshenit, duke e konsideruar si territor të Reçëve.
“Identifikimin e saktë të autorëve vrasjes, dënimin e tyre sipas ligjit dhe më pas, policia të monitoronte dhe të kishte kujdes të shtuar për familjet që ishin në konflikt, dhe të mos neglizhonte asnjë informacion apo indicie që kishte të bënte me ecurinë e vazhdueshme të këtij konflikti”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
“Janë 4 fise që nga vitet 1995 deri në ditët e sotme vazhdojnë një sagë vrasjes së njëpasnjëshme. Janë 4 fise të cilët kanë kryer vrasje të ndërsjellta ndërmjet tyre”, u shpreh avokati Alfred Bari.
Kërcënimi i Ilir Reçit u përhap shpejt në zonë si lajm dhe godiste reputacionin e Bardhëve. Pjetër Bardhi vëllai i madh i familjes, nuk mund ta kalonte lehtë kërcënimin e Reçëve. Ai ndërmerr një udhëtim nga Shkodra ku ishte oficer ushtrie, drejt Rrëshenit, për t’u përballur me Ilir Reçin. Pa shkuar fare në banesë, ai ju drejtua qendrës së qytetit. Sapo u përball me Ilir Reçin, pa i thënë asnjë fjalë, e qëlloi me armën e shërbimit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
“Në familje ku ka hasmëri, ku ka gjakmarrje, dashur pa dashur njerëzit dhe anëtarët e këtyre familjeve, rriten me frymën për të pasur kujdes si për veten, edhe për familjen e tyre”, u shpreh avokati Alfred Bari,
Pas vrasjes, Pjetër Bardhi u arratis dhe u zhduk nga Rrësheni. Edhe pse u dënua në mungesë, ai kurrë nuk vuajti asnjë ditë burg. Teksa kaluan 28 vite nga ngjarja, dënimi i është parashkruar. Pjetër Bardhi, këto 3 dekada vazhdoi jetën e tij larg Shqipërisë.
“E rëndësishme në parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ose në ndërprerjen e zinxhirit të gjakmarrjes është fuqia parandaluese nëpërmjet dënimeve të tyre penale”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Flet avokati i familjes Reçi: Plagosja e Saimirit pas konfliktit të momentit…
Pas gjithë këtyre viteve, ku shumë mendonin se dy fiset kishin gjetur një formë paqeje, e vërteta ishte ndryshe. Ata jetuan në një heshtje të rrezikshme, duke shmangur konfliktet, por pa harruar asnjëherë pasojat që kishte lënë ngjarja tragjike e tri dekadave më parë. Ajo heshtje nuk do të zgjaste përgjithmonë. Tensioni i akumuluar shpërtheu më 26 mars të vitit 2023 kur u plagos Saimir Reçi. Atë ditë, dy familjet do dilnin hapur kundra njëra-tjetrës. Pakti i heshtur u shkel nga të rinjtë. Një ngjarje që u duk mëse banale , rezultoi që ishte e mirëorganizuar nga Erind Bardhi… Referuar dosjes hetimore, Saimir Reçi që shpëtoi mrekullisht, dëshmon se disa persona të panjohur po filmonin banesën e tij. Kjo e vuri në alarm nisur nga hasmëritë e familjes.
“Në lagje pashë një automjet ‘Mercedes Benz’ 220, të drejtuar nga F.LL, djali i një punonjësi policie. Në sediljen e pasme, ishte një shtetas tjetër, i cili mbante një aparat celular, ku po filmonin banesën time”.
Pas këtij momenti, Reçi ndoqi fqinjin e tij dhe pasi e ndaloi në rrugë, e qëlloi me shuplakë. Në këtë moment, nga automjeti del edhe Enrik Bardhi alias Marku, djali i Martin Bardhit. Sipas dëshmisë së Reçit, edhe këtë të fundit ai e ka goditur duke i shkaktuar disa plagë.
‘Për mua incidenti që ka ndodhur me Sajmirin mund të ishte mbyllur edhe me normalizim marrëdhëniesh midis palëve, pra duhet të kishin pasur dashamirësi palët mund të ishin mbyllur sepse ka qenë një incident i momentit, një konflikt që ka ndodhur më parë në rrugë midis Sajmirit dhe djalit të Martinit, dhe ajo që ndodhi më vonë atentati ndaj tij’ u shpreh avokati, Aleksander Ndrejaj
Disa orë më vonë, Saimir Reçi u përball me anëtarë të familjes Bardhi, të cilët i kishin ngritur një kurth. Ata i bënë pritë në qendër të qytetit dhe hapën zjarr drejt tij. Reçi shpëtoi mrekullisht falë veturës së blinduar me të cilën lëvizte.
“Kam dal me automjetin BMË seria 7, ndala përpara lokalit ‘Filopati’ dhe kërkova të blija një fishë telefoni. Atëherë, një automjet Audi A8 më bllokoi rrugën. Nga ai mjet zbritën Martin Bardhi, Kristian Bardhi dhe Erind Bardhi, të cilët mbanin armë në duar.”
“Objektivi i sulmit ka qenë me fat. Qitësi ka pasur precizion të lartë, duke qëlluar disa herë në xhamin e shoferit”.