Viti i ri, dekor i ri! Në fundvit bashkitë kanë menduar ta lëshojnë dorën kur bëhet fjalë për zbukurimet e festës së ndërrimit të viteve.
Vlera e shpenzuar nga vetëm gjashtë bashki për këtë qëllim i kalon 800 milion lekë. Ndonëse një pjesë e tyre janë të zhytura në borxhe, thënë ndryshe detyrime të pashlyera ndaj palëve të treta apo institucioneve të tjera qofshin ato dhe shtetërore, kjo nuk i ka penguar të prokurojnë shifra të larta për dekorin e festave.
Nëse do të bëjmë një renditje të tyre vendin e parë këtë vit e zë Tirana, me tre tendera të realizuar nga Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve me objekt:
- “Shërbim dekorimesh për Vitin e Ri” dhe vlerë 99.4 milionë lekë
- “Blerje Element dekorativ dhe drita të jashtme“ 90 milion lekë
- “Blerje shirita ndriçimi” 95 milionë lekë.
Pra në total 284 milionë lekë
Ndërmarrja Rruga Durrës ka shpenzuar për blerje dekori 2023 afërsisht 121 milion lekë.
Agjencia e Shërbimeve Elbasan përmes tenderit me objekt Blerje elementë dekori për festa ka shpenzuar këtë vit afërsisht 120 milion lekë gjithashtu.
Ndërsa Bashkia Vlorë ka shpenzuar mbi 51 milionë lekë për këtë qëllim.
Pas nuk mbetet as Bashkia Korçë, e cila përmes tre tenderave të realizuar një nga vetë Bashkia dhe dy nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike të qytetit ka shpenzuar në total 136 milion lekë. Ajo ka blerë:
- “Shirita dekorues me drita” 56.7 milionë lekë
- “Dekore për festa ” 45 milionë lekë
- “Instalacion për festat e fundvitit” 33.7 milionë lekë
Këtë vit dhe Pogradeci ka vendosur të shpenzojë 98.7 milion lekë për dekorin e fundvitit.
Përveç dy tenderave të zhvilluar nga Bashkia Korçë që i ka fituar “Selvije Abasllari”, të gjithë tenderat e tjerë janë fituar nga kompania “Iceberg Communication” me qendër në Tiranë.
/MCN/