Një avion pasagjerësh është rrëzuar dje në Sao Paulo të Brazilit, ngjarje që i ka marrë jetën të gjithë pasagjerëve që ndodheshin në bord. Aktualisht raportohet se janë 62 të vdekur, 58 pasagjerë, ndërsa 4 të tjerët ishin pjesë e ekuipazhit të avionit.
Avioni i modelit ATR-75-500, është parë të rrotullohet në ajër dhe më pas, bie mbi një shtëpi. Ky avion ka qenë pjesë e flotës së ish-kompanisë shqiptare të fluturimit “Belle Air”. Sipas “planespotters”, avioni është marrë për përdorim nga “Belle Air” në qershor të vitit 2010. Një muaj më pas, i ka kaluar “Belle Air Europe”, duke u përdorur kryesisht në Itali. Më pas, për periudha të caktuara kohore ka kaluar tek Nordic Aviation Capital, Pelita Air Service dhe në fund tek Voepass. Kompani për të cilën pati edhe fluturimin e fundit.
Faqja e internetit Flightradar24 raporton se avioni fatal është PS-VPB, një ATR72-500 14-vjeçar i ndërtuar në vitin 2010. Sinjali i fundit i marrë nga avioni ishte rreth një orë e gjysmë pas ngritjes. Për zonën ku avioni me dy motorë po fluturonte me 58 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 4 personash, ishte lëshuar një paralajmërim për një “mundësi të madhe për ngrirje” në një lartësi midis 3.6 km deri në 6.4 km, por avioni ishte 5.1 km mbi sipërfaqen e tokës. Ndaj deri më tani, mendohet se akulli ka shkaktuar përplasjen