![mirton lika](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/01/mirton-lika-.jpg)
Kur SPAK sekuestroi disa javë më parë disa veshje të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në një apartament në Sky Tower, shumëkush e pa këtë veprim si të çuditshëm.
Në fakt, siç është provuar tashmë, Prokuroria e Posaçme synonte të verifikonte dyshimet për korrupsion ndaj kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, të cilat reflektoheshin edhe në jetën luksoze dhe shpenzimet e mëdha.
Hetuesit kishin vënë në shënjestër veshjet e shtrenjta të blera nga Ajola Xoxa, përfshirë fustane, çanta dhe bizhuteri me të cilat ajo ishte shfaqur në publik. Hetimi zbuloi se Xoxa ka shpenzuar vetëm për blerje online rreth 1 milion euro në 4 vite, ose afërsisht 200 mijë euro në vit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetasja Ajola Xoxa, vetë ose përmes personave të afërt, ka kryer blerje online në vlerën e 86,721,175 lekëve gjatë një periudhe 4-vjeçare. Këto shpenzime nuk figurojnë të deklaruara në asnjë nga deklaratat periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës apo personave të lidhur me të,” thekson SPAK.
SPAK thotë se gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja Ajola Xoxa., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lek.
Për Ajola Xoxën është caktuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa për bashkëshortin e saj, Erion Veliaj, është vendosur arrest me burg. Ai po mbahet aktualisht në bllokun e sigurisë pranë burgut 302 në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Po ashtu, është arrestuar biznesmeni kontrovers Elman Abule, ndërsa nën detyrim paraqitjeje janë vënë biznesmenët Gentjan Sula (Kodra e Diellit), Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Meriman Palushi dhe Fatmir Bektashi. Ky i fundit figuron edhe në dosjen “Partizani”, ku mes të pandehurve është edhe ish-kryeministri Sali Berisha./gazetajonë