Astrologia Meri Shehu ishte e ftuar sot tek “Rudina” ku dha parashikimin për muajin maj për disa nga shenjat e horoskopit. Meri Shehu ka vendosur në ato që kanë më pak fat pikërisht grupin e shenjave të Tokës.
Meri Shehu: Muaji Maj ka një intensitet akoma më të fuqishëm sepse Mërkuri në datën 10 do kthehet i kundërt. Me Mërkurin në prapavijë nuk mund të bëjmë një marrëdhënie të re, një bashkëpunim të ri apo fillim të ri sepse do hasë pengesa, por nëse kemi lënë diçka përgjysmë që duhet rishikuar e rikontrolluar, apo ngjarje nga e kaluara, do stabilizohet ndaj duhet shfrytëzuar për mirë. Prapavija do zgjasë deri më 24 Maj. Duhet të kemi kujdes me komunikimin, keqkuptimin, nuk duhet të bëjmë blerje të rëndësishme sepse mund të mos rezultojnë të mira. Duhet të mos planifikojmë pushime apo udhëtime në vende që nuk keni shkuar asnjëherë. Shenjat që do e kenë më të vështirë janë ato që do kenë Marsin si kundërshtar. Ky i fundit ndodhet në Peshk gjatë gjithë muajit dhe do kundërshtojë Virgjëreshat, Binjakët dhe Shigjetarët që duhet të jenë më të kujdesshme.
12. Bricjapi
Shenjë kardinale që vjen në këtë pozicion sepse Mërkuri i kundërt iu sjell probleme me punën e shëndetin. Duhet ta marrin me qetësi këtë periudhë dhe të mbarojnë punët prioritare, nuk duhet të bëjnë ndryshime të herëpashershme. Jupiteri në Maj, nga shenja e Peshkut në datën 11 hyn në Dash dhe ndryshon energjia e planetit. Në shenjën e bricjapit do sjellë disa strese në jetën familjare që lidhen me zgjerimin e saj, pronësinë e përbashkët apo bashkëjetesën. E gjithë kjo iu sjell stres dhe duke qenë tipa të përmbledhur nga ky zgjerim i Jupiterit në Dash, i cili është luftarak dhe me shpërthime emocionale, mund të mos iu shkojë dhe nuk do ndihen rehat.
11. Demi
Kaluan një eklips diellor, hëna e re jep më shumë optimizëm por janë në një moment kritik. Do ndryshojë jeta personale e familjare dhe do kenë gjëra tërësisht të reja nga ç’kanë patur. Urani në shenjën e tyre nuk do i lërë gjërat të sigurta, të parashikueshme. Mërkuri i kundërt në Binjak rikthen çështjet ekonomike që do kërkojnë vëmendjen e tyre për t’u stabilizuar që do hasin pengesa nga data 10 e tutje.
10. Virgjëresha
Marsi në Peshk përballë shenjës së tyre gjatë muajit, pavarësisht lajmeve të mira ekonomike që do kenë, duhet të kenë kujdes me provokimet, përballjet dhe antagonizmin që mund t’iu bëhet. Ndihen sikur janë gjithnjë në pritje të një ngacmimi apo të vendosur në qendër të vëmendjes ndaj duhet ta kenë kujdes. Mërkuri i kundërt sjell diçka lidhur me karrierën, një punë nga e kaluara që mund t’i sjellë fat me rikthimin e saj.
Astrologia do të na njohë me pjesën e mbetur të renditjes në puntatën e nesërme të programit “Rudina” në Tv Klan.