Kryeministri Edi Rama, ka qenë i thirrur në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, në cilësinë e dëshmitarit, ku u pyet nga kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku për një sërë çështjesh në lidhje me inceneratorët.
Rama dhe Tabaku u përplasën ashpër për shifrat. Kryeministri pretendon se shifra 430 milionë euro është spekulative.
Pjesë nga debati në Komision:
Edi Rama: Me qetësi, me qetësi, se u bëre si Ilir Meta tani. Futi edhe dashurinë aty. Se edhe ai kur ishte në stres, thoshte me qetësi me qetësi!
Jorida Tabaku: Thesari i Shtetit dhe buxheti i shtetit nga viti 2014, në formë kumulative, për Elbasanin dhe Fierin, ka bërë atë volum pagesash. Për Tiranën, 35 milionë euro, ka shkuar në formën e mbështetjes së pakushtëzuar, mbështetjes buxhetore. Qyteti i Durrësit ka filluar pagesat për koncesionarin e Tiranës. Qyteti i Kavajës, ka filluar pagesat për koncesionarin e Kavajës.
Edi Rama: Kjo kërkon sqarim. Ky informacion ka një problem të madh. Se ky është thelbi. Këtu fle lepuri pra.
Jorida Tabaku: Me qetësi, me qetësi, te 100 milionëshi.
Edi Rama: Zonja Kryetare, jemi dakord deri te 55 milionë, me Elbasanin dhe Fierin. Por, me të gjithë operimin dhe trajtimin e mbetjeve me zero për qytetarët dhe bashkinë edhe në Fier edhe në Elbasan.
Jorida Tabaku: Fokusohuni te 100 milionë euro.
Edi Rama: Mua nuk më del llogaria kështu. Llogaria jonë është ndryshe. Sepse impianti i përpunimit të mbetjeve në Tiranë, ndërtohet me paratë e kompanisë 100%. Ama, çfarë janë këto pagesa dhe ishit e saktë në shifrën që thatë. Ekzaktësisht 2018-2021, në letrat e mia janë 36.9 milionë euro, deri në vitin 4047, shkojnë 360 milionë euro. Po çfarë janë këto? Janë pagesat për grumbullimin dhe trajtimin e plehrave. Natyrisht, paguhet për grumbullimin dhe trajtimin e plehrave. Bëhet edhe pa pagesë, por si në Porto Romano… Si në Sharrë, në Fier, në Elbasan, ku digjeshin rrugëve plehrat. Këto janë pagesa për kompaninë zonja Tabaku, jo për ndonjë aferë. Janë pagesa për ton. Tek pagesat për ton, një shërbim që sot është ekselent. Mjafton të shkoni në Sharrë. Mund të shkoni me fëmijët sot.
Jorida Tabaku: Jemi të interesuar për paegsat nga buxheti i shtetit. Ule tonin e zërit.
Edi Rama: Pse ngrihet toni i zërit kur ndërhyn ti? Vokalisht kur ndërhyn ke një ndikim negativ në kordat e zërit tim. Kjo teknika, që sapo del gjëja ndryshe, vjen thirrja për qetësi.