Departamenti amerikan i Shtetit tha se oferta e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime në Ukrainë, nuk është diplomaci e vërtetë. Duke folur për gazetarët në Uashington të premten, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytën e armës”.
Sipas tij, që kjo të ndodhë, duhet të ndalojnë veprimet ushtarake ruse në Ukrainë dhe forcat ruse duhet të tërhiqen. Deri më tani, shtoi Price, SHBA-ja nuk ka parë tregues se Putin ka vullnet që ta lë diplomacinë të jetë e suksesshme.
Më herët gjatë të premtes, Kremlini tha se Putin ishte i gatshëm për bisedime të nivelit të lartë me delegacionin e Ukrainës. Moska tha se këto bisedime do të mbaheshin në Minsk të Bjellorusisë. Kremlini tha se këto bisedime do të kishin në fokus “neutralitetin” dhe “çmilitarizimin” e vendit.