Deputeti i PD, Saimir Korreshi, mbajti fjalën e tij në foltoren e kuvendit ku foli me tone të ashpra sa i takon rritjes së çmimeve për karburantin dhe ushqimet në vend.

Korreshi sfidoi deputetët në sallë qëtë blinin produkte bujqësore për të parë sesa kishte rënë vlera e tyre dhe sërish po mbeteshin pa shitur.

Mes të tjerash, deputeti demokrat, përmendi edhe “çunat e Londrës” duke iu referuar amnistisë fiskale dhe u shpreh se i vinte turp që kishte nxjerrë sytë duke studiuar.

Hë e shkreta parti sa mbrapa është. Ne po hamë djathë me niseshte o të nderuar. Fshatari po blen qumësht në qytet, nuk ka më lopë. Ku janë këto subvencionet e famshme? Po nafta? Të gjithë ata të PS po e shesin naftën me 2 mijë lekë, këta të tjerët të shkretët s’kanë marrë pikë. Ky është realiteti. Sa mirë ju dolët e bëtë foto me shalqi para tre javësh. Shkoni pra sot e bëni ndonjë foto aty te tregu, se sa shitet shalqiri dhe a blihet. Sot duhet të keni guximin të shkoni, të shihni a u shit dhe a morën ndonjë kokërr leku ata të shkretët.

Gjatë javës na trumbetuat dhe për çunat e Londrës, po na vjen turp që kemi studiuar, kemi shqyer sytë e kemi ndryshuar 7 herë numrin e syzeve, i kishim rënë shkurt si çunat e Londrës, 2 milionë euro, ligjëruar. Ke frikë të shkosh në jug, se të thotë ti i shalqinjve dil këtej, se s’ke ardhur si çunat e Londrës. Ata me jahte, ne me gomordare zisi. Kjo është situata, turp të keni”-tha Korreshi.