Frekuentimi masiv i pishinave dhe plazheve gjatë verës ka sjellë edhe këtë vit një rritje të paicentëve që vuajnë nga infeksionet e veshit. Sipas mjekes ORL, Klodi Zaharia, më shumë kujdes duhet të tregojnë fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundjet bashkëshoqëruese.

E ftuar në “Ora News”, ajo tha:“Gjatë praktikës sonë të përditshme shikojmë shumë shpesh pacientë që shfaqen me sindromën e veshit të notarit, dhe kjo ndodh nga ekspozimi i ujit të pishinës, që është një ujë me klor dhe me ngarkesë mikrobiale dhe janë pacientë që vijnë me infeksionet e kanalit e llapës së veshit.

Fëmijët janë ata që notojnë në pishina dhe pjesën e cekët, ku uji është më i ngrohtë dhe probabiliteti për t’u zhvilluar mikrobet është më i madh, pra më shpesh shikojmë fëmijë, mosha pediatrike që vijnë me veshë të infektuar dhe pastaj të gjithë individët që kanë një sëmundje bashkëshoqëruese kronike. Nëse një pacient një qytetar është me diabet kronik dhe i frekuenton këto pishina sigurisht që ai është më i predespozuar se sa një individ që nuk ka  këto sëmundje bashkëshoqëruese”.

Edhe pse në disa raste shqetësimet mund të trajtohen në shtëpi janë disa simptoma që nuk duhen neglizhuar. “Në rast se kemi fillim të simptomave, pra është instaluar infeksioni dhe kemi dhimbje, ndjenjën e bllokimit të veshit, ndjenjën sikur ka bllokuar uji, unë do thosha që mirë është të kërkojmë ndihmë te mjeku specialist”.