Janë publikuar pamje të reja të sulmit me thikë të shkrimtarit me origjinë indiane, Salman Rushdie, i cili para disa viteve u urdhërua të vritej nga Irani për shkak të shkrimeve të tij.
Ai u sulmua në skenë gjatë një eventi në Nju Jork, sipas një dëshmitari që foli për agjencinë e lajmeve Reuters.
Një person, 24 vjeç i identifikuar si Hadi Matar nxitoi në skenën e Institutit Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut dhe sulmoi Rushdie teksa po prezantohej, tha dëshmitari. Sulmuesi mësohet se është ndalur në vendngjarje. Ndërsa Salman Rushdie i është nënshtruar një operacioni.
“Ne kemi të bëjmë me një situatë emergjente. Nuk mund të ndaj detaje të mëtejshme në këtë moment,” tha një zëdhënës i Institutit Chautauqua kur u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters.
Rushdie, i cili ka lindur në një familje myslimane indiane, është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa myslimane thanë se përmbante pasazhe blasfemuese. Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.