Që të zbulosh se cili u korruptua dhe nga kush, nuk ekziston vetëm parimi hetimor ” ndiq paranë”, por edhe ndiq udhëtimet, hotelet e shtrenjta dhe ndeshjet e futbollit.

Kështu ka ndodhur edhe me ish ministrin Arben Ahmetaj i cili ndonëse u pagua për të udhëtuar e qëndruar në hotele luksoze, nga Klodian Zoto person i bashkëlidhur në dosjen e inceneratorëve, provat për të nuk u panë nga prokurorët e SPAK.

Më herët të njëjtët prokurorë që ishin edhe pjesë  e ish Prokurorisë së Krimeve të Rënda e  gjetën korrupsionin e 3 gjyqtarëve të apelit Durrës,  për të cilët në të njëjtat rrethana kërkuan shpalljen fajtorë të tyre mbasi ishin blerë me pagesat për udhëtime dhe qëndrim në hotele.

Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno rezultuan se u paguan nga biznesmeni Namik Sadik i cili u pagoi një udhëtim në Madrid  për të ndjekur ndeshjen El Clasico .

Ata udhëtuan në Itali dhe Spanjë në një kohë kur biznesmeni ishte palë e paditur për një çështje pronësie që u shqyrtua nga tre gjyqtarët e dënuar.

I njëjti precedent korrupsioni edhe në dosjen Arben Ahmetaj.

Në provat e depozituara nga gazetari Adriatik Doçi rezulton se për ish ministrin e  Financavem Arben Ahmetajn dhe bashkëshorten, biznesmeni në kërkim Klodian Zoto rezervon me e-mail në hotele si ai në Vjenë “Starlight Suiten Hotel Renngasse”, një hotel ky që konfirmon pagesën e Klodian Zotos në vitin 2013 për qëndrimin e Arben Ahmetajt që përkon me kohën e nisjes së bisedimeve për inceneratorët.

Rezervimi tjetër është ai në Hotel Principe di Savoia, në Milano, ku Zoto rezervon një dhomë Ambasador Suit për shtetasin Mirel Mërtiri, por në fakt i ftuar ka qenë ish-ministri Arben Ahmetaj.

Për këtë rezervim, në një nga hotelet më të mira të Milanos, Zoto ka paguar për Ahmetajn 1600 euro për 2 net qëndrimi.

Dhe rezervimi i tretë është ai i 2016-ës në “Mandarine Oriental Hotel”, sërish në Milano, por kësaj here për gruan e Arben Ahmetajt, znj. Erjola Hoxha.

Nuk dihet sesa është pagesa e kryer për znj. Hoxha, por vetëm një natë qëndrimi në këtë hotel nis nga 1.500 euro deri në 8.000 euro për suitën.