Më ço 25 mijë euro! Si u mashtrua biznesmeni Erges Baxha nga nigeriani
Gjykata e Tiranës vendosi masën “Arrest me burg” në mungesë për shtetasin nigerian Sebastian Negbenedor, i cili i mori 25 mijë euro biznesmenit shqiptar përmes mashtrimit.
Biznesmeni Erges Baxha i cili prej 10 vitesh administron biznesin e vet në Sauk që konsiston në import detergjentesh kryesisht nga shteti italian dorëzoi kallëzimin në Policinë e Tiranës në datën 20 tetor 2020.
Ai përdor një adresë e-maili që komunikon me kompaninë bashkëpunuese në Bolonja të Italisë, ku pala italiane dërgonte mallin dhe biznesmeni dërgonte transfertën bankare në një prej degëve të bankave të nivelit të dytë.
Në datën 7 shtator atij i dërgohet një e-mail se ku duhej ta dërgonte shumën monetare, por kësaj radhe jo në Itali, ku kishte ndodhur zakonisht, por në Gjermani.
Ai nuk e kuptoi se do të dërgoheshin eurot nga Italia në Gjermani dhe transferoi 25 mijë euro. Disa kohë më pas kompania italiane e kontakton se duhej të kryente pagesën të cilën sipas tyre ai nuk e kishte bërë dhe në këtë situatë biznesmeni kupton se e kanë mashtruar.
Në vazhdim të hetimeve paraprake iu dërguan letër porosi për ndihmë gjyqësore autoriteteve gjyqësore në Republikën e Gjermanisë dhe Republikën e Turqisë për të identifikuar IP-në me të dhënat përkatëse.
Me mbërritjen e letërporosive u identifikua se autori i mashtrimit dhe përfituesi i 25.000 eurove ishte nigeriani i lindur në Warri, Nigeri dhe banues në Dublin të Irlandës.
Në përfundim të një hetimi dy vjeçar, Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin nigerian Sebastian Negbenedor, për Veprën Penale “Mashtrimi Kompjuterik” të cilën gjykata e pranoi, ndërsa autori ndodhet ende në arrati. /tch