Ish-Komandanti i Flotës Detare Artur Meçollari ka publikuar në rrjetin e tij social Facebool dokumente të zbuluara nga mediat që konfirmojnë se Kastrati Group tentoi futjen kontrabandë të 2200 ton naftë nga Libia duke shkelur edhe rmbargon e OKB.
Çuditërisht Kastrati ia hodhi pa u lagur nga kjo aferë në sytë e botës edhe pse perëndimi ia ka shënuar diku këtë akrobaci pasi ishte një ambasadë e huaj që informoi për anijen.
SHKRIMI MBI ANIJEN
Në 12 shtator 2022, anija “Queen Majeda”, e cila transportonte për herë të tretë drejt Shqipërisë ngarkesa me naftë Marine Gasoil me origjinë Libinë, u ndalua nga autoritetet shqiptare dhe ekuipazhi u akuzua për “Tregëtim dhe transport të mallrave që janë kontrabandë”. Tre muaj pas ndalimit të anijes, vetëm një pjesë e ekuipazhit ndodhet prapa hekurave, me asnjë të dhënë nëse kjo është hera e parë që kjo anije thyen embargon e Kombeve të Bashkuara ndaj tregtimit të naftës bruto nga Libia, dhe nëse ka dhe aktorë të tjerë në këtë aferë. Prokuroria në hetimet e saj pretendon falsifikim të dokumentave të origjinës dhe transportit. Letërporositë janë nisur, ndërkohë që procesi gjyqësor është bllokuar.
Autor: Redaksia INA
Nën flamurin e Kamerunit, në 12 shtator 2022, rreth orës 14.30, anija “Queen Majeda” që i përket kompanisë “Eldawadi Shipping LTD”, në pronësi të Nuri Eldawadi, përfundoi lundrimin nga Libia drejt Shqipërisë dhe po bëhej gati për tu ankoruar në portin e Porto Romanos, shpallur prej vitit 2019, zonë e lirë portuale. Si ekuipazh u identifikuan nëntë libianë dhe një sirian.
“Me dhjetë anëtarë në ekuipazh, anija naftëmbajtëse që i përket një kompanisë “Eldawadi Shipping LTD”, që është e rregjistruar në Republikën e Ishujve Marshall, ishte nisur nga Libia me një ngarkesë prej 2272,71 tonë naftë dhe
mbërriti në brigjet shqiptare me qëllim kryerjen e praktikave doganore për subjektin importues shqiptar “Kastrati” sh.a”, – shpjegohet në një nga shkresat e prokurorisë së Durrësit në dispozicion të INA Media.
Brenda pak orësh, ngarkesa disa tonëshe me naftë e cilësuar si “Marine Gasoil 1000 PPM”, ndryshe naftë për anije dhe jo për transport tokësor, u sekuestrua. Dyshimet jo vetëm të shqiptarëve por edhe të agjencive të huaja, se në Shqipëri po kontrabandohej naftë në bashkëpunim, në krye të katër muajve vazhdojnë të kenë në fokus vetëm ekuipazhin e përbërë nga nëntë libianë dhe një sirian.
Në aktet e gjykatës përmenden të njëjtat rrethana, – “Vlen të theksohet se kjo anije nëpërmjet “GK Maritime” me përfaqësues E.K. kishte bërë njoftim më parë për tu ankoruar në Porto Romano, me ngarkesë karburanti, me qëllim shitjen e saj subjektit shqiptar “Kastrati sh.a.” – shprehen gjyqtarët, në vendimin e siguruar nga INA.
Faksimile nga vendimi i gjykatës Durrës
Nën hetim është vendosur edhe një shqiptar i cili përfaqëson agjencinë shqiptare që merrej me procedurën për zhdoganimin e anijes libiane. Përmes zyrës së shtypit, prokurori Edmond Koloshi, i cili ka në procedim dosjen, i tha INA Media-s se “Çështja është nën hetim. Ka një shtetas shqiptar nën hetim dhe ai është konkretisht shtetasi E.K.“.
Prokurori shton se – “në këto momente nuk ka persona të tjerë shqiptarë apo kompani shqiptare nën hetim“.
Ekspertët shprehen për Investigative Network Albania, se vlera e naftës së sekuestruar llogaritet të jetë 1,5 deri në 2 milionë dollarë. Në të njëjtin zë, eksperti i ekonomisë, Zef Preci afirmon për INA Media se “duke marrë parasysh çmimet e tregut me pakicë të naftës së periudhës, sasia kontrabandë e kapur në mes të shtatorit, nëse do të hidhej në tregun e brendshëm vlerësohet në rreth 2 milionë euro“.
Duke theksuar rëndësinë e këtij vlerësimi, një zyrtar i doganave, nën kushtet e anonimatit, deklaroi për INA Media se deri në momentin e publikimit të artikullit, Drejtoria e Doganave nuk është njoftuar as nga policia dhe as nga prokuroria për të kryer penalizimin e anijes “Queen Majeda”, domthënë vendosjen e gjobës që do të jepte një përllogaritje zyrtare mbi vlerën aktuale të ngarkesës.
Për sa i përket procedurave të sekuestros dhe penalizimit të kondrabandistëve të dyshuar, ai thekson se, “pasi ngarkesa konstatohet, njoftohet dogana dhe vlerëson mallin. Ky penalitet nuk është vendosur sepse nuk na ka kërkuar askush. Kur konstatohet kontrabanda nga kushdoqoftë, ne bëjmë procesverbalin që i kalon policisë dhe gjithcka qëndron e ngrirë deri në shlyerjen e borxhit. Por nga ana tjetër nëse ka indicie se po kryhet kontrabandë, pritet derisa të shkarkohet, sepse kontrabanda presupozon hyrje të paligjshme” – pohon zyrtari.
Megjithatë, pavarësisht procedurës së shprehur më lartë nga zyrtarët e doganës, autoritetet shqiptare kanë kryer sekuestrimin e anijes, si dhe ngritjen e akuzave në mungesë të shkarkimit të mallit, apo edhe afrimit të anijes pranë portit të Porto Romanos.
Çështja është referuar për hetim nga policia kundër krimit ekonomik-financiar pranë Prokurorisë së Durrësit, për veprën “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Ruajtje dhe depozitim i mallrave që janë kontrabandë” (nenet 172 dhe 179 të Kodit Penal). Ndërkohë, rezulton se Prokuroria e ka rregjistruar çështjen penale nën akuzën e “Tregëtimit dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë” (neni 178), që ka një marzh dënimi në rast provueshmërie nga 5- 10 vjet burg.
Anija “Queen Majeda” në port
Mbi këtë vendim të prokurorisë, avokati Isuf Shehu këmbëngul se ky rast duhej hetuar drejtpërdrejtë sipas nenit 171 të Kodit penal (Kontrabandë me mallra të ndaluar ose të kufizuar) dhe nenit 25 (Kuptimi i bashkëpunimit), pasi aty flitet për mallra të ndaluar dhe të kufizuar që kupton mallrat e embargos.
“Kjo është akuza e drejtë që duhej ngritur, sepse ngarkesa përbën mall të ndaluar sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Plotësohet kriteri bazë ndalesa, ndaj akuza duhet të ishte kjo”, mbyll shpjegimin juridik avokati, për INA Media.
Akuza nuk u ka dhënë ende rrugë dyshimeve nëse kjo sasi nafte po tregtohej në mënyrë të përsëritur, pavarësisht sanksionimit nga rezolutat 2278, 2259, 2213, 2362 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bazë të të cilave përfshirja në shfrytëzimin dhe eksportit të paligjshëm të naftës së pa përpunuar në Libi është i sanksionueshëm.
Sakaq, i pyetur nga mediat për “Queen Majeda”, kryeministri i është përgjigjur se kishte besim tek drejtësia.
“Nuk merrem me anije, çështja i takon organeve të drejtësisë, policia ka bërë detyrën dhe nga ana tjetër sikur edhe media të bëjë detyrën e vet dhe të mos përdorë fuqinë e saj për të disinformuar apo për të sulmuar dhe për të vënë gjoba qoftë për autoritetet shtetërore qoftë për objekte biznesi, kjo do ishte një kontribut për ta bërë Shqipërinë më të mirë”, – deklaroi në atë kohë kryeministri.
Cfarë ndodhi në 12 shtator, furnizuesit u penduan por edhe porositësit
Me datë 5 shtator 2022, anija “Queen Majeda” niset nga Benghazi, Libi me një ngarkesë prej 2272,71 tonë naftë të destinuar në Porto Romano. Kjo anije iu afrua brigjeve shqiptare në datën 12 të po atij muaji.
Njoftimi për ankorimin i është lajmëruar autoriteteve përkatëse 24 orë përpara mbërritjes së anijes, edhe nga agjenti terreni i kompanisë shqiptare “GK Maritime”, rregjistruar në QKB në vitin 2021. Kapiteni i anijes libiane, Z.A. rezulton sipas prokurorisë se dërgoi paraprakisht përmes platformës “WhatsApp” dokumentat e anijes në format të fotokopjuar. Por ankorimi i anijes dhe zhdoganimi i naftës nuk u arrit të kryhej.
Prokuroria këmbëngul se kur “Queen Majeda” iu afrua brigjeve shqiptare, në datën 12 shtator, ora 9 e mëngjesit, dhe ekuipazhi po priste njoftimin e kapitenit për të ankoruar në Porto Romano, anijes i janë afruar shërbimet e policisë detare, të cilat e shoqëruan drejt portit të Durrësit.
“Naftën e kam marrë tek kompania nacionale libiane Brega e cila merret me shitjen e karburanteve me shumicë në Libi. Dua të shpjegoj se në momentin e mbërritjes në Porto Romano, unë komunikoj me kapitetin e portit aty dhe ai më orienton për tek kalata ku duhet të bëj shkarkimin, dhe nuk e di se për cilin operator është ngarkesa, pasi me këtë procedurë merret pronari i anijes” – tha para oficerëve të policisë gjyqësore, kapiteni i anijes Z.A.
I pyetur nga grupi hetimor për veprimet e anijes “Queen Majeda” në momentin e afrimit pranë brigjeve shqiptare, njëri nga doganierët e përfshirë në këtë çështje, shprehet se “Procedura është si vijon: agjensia detare bën lajmërimin 24 orë përpara mbërritjes së anijes dhe e sjell tek sekretaria e doganës dhe e protokollon atë. Në lajmërim jepen të dhënat mbi mallin e ngarkuar, natyrën e mallit, porti i ngarkimit, flamuri i anijes, pritësi i mallit, sasia e mallit.”
“Në këtë dokument shkruhet dhe data dhe mbërritja e anijes në Porto Romano. Në momentin që ankorohet anija në kalatë, agjenti detar mbledh grupin e praktikës, i cili përbëhet nga kapiteneria, policia, dogana, doktori dhe antikontrabanda, inspektori i ISHTI dhe survejori privat. Si procedurë praktike e lirë merren mostrat nga inspektori në prani të doganës për të bërë kontrollin e cilësisë dhe më pas survejori bën matjet vuloemtarike në prezencë të doganës dhe antikotrabandës dhe gjithashtu antikontrabanda bën matjet
dhe pritësi dhe dërguesi i mallit janë të përcaktuar” – shton ai.
Mes atyre që u pyetën në prokurori, rezulton se doganierët kanë shpjeguar origjinën e naftës.
“Ky dokument lëshohet nga dhoma e tregtisë, dogana respektive dhe rafineria ku prodhohet. Në rastin konkret, dokumentat janë lëshuar nga terminali me emrin RAS EL MUNGAR, Benghazi“.
“Në dokumentin e transportit dhe deklaratën doganore sipas dokumentave dalin dërguesit dhe pritës është “Kastrati” sh.a si dhe në të dy rastet e mëparshme. Në lidhje me mallin kjo anije ka sjellë karburant “Marine Gasoil” e cila shërben jo për qakullim të lirë në territorin shqiptar dhe përdoret për furnizim bordi për anijet. Unë si doganier fizik pasi bëj procedurat e letrave i dërgoj tek përgjegjësi dhe pasi shohin dokumentat dhe vlerësohet si janë të rregullta apo jo, jepet urdhëri i shkarkimit të anijes. Më pas plumboset tubacioni dhe orientohet shkarkimi për tek depot që subjekti ka përcaktuar se do shkarkojë mallin. Para shkarkimit kryhen matjet nëpër depo dhe më pas fillon shkarkimi”, – mbyll dëshminë, një tjetër agjent doganor, për grupin e hetimit.
Megjithatë, këto veprime për zhdoganim dhe shkarkim të naftës nuk u kryen, pasi palët pretendojnë se ajo që ndodhi mes tokës dhe detit paraditen e datës 12 shtator ishte një “qejfmbetje” për çmimin e blerjes dhe të shitjes së naftës.
“Konkretisht nisi njoftimi i institucioneve; kapiteneria, dogana, policia kufitare dhe pasi kam pritur, kam marrë dijeni nga shtetasi G.C. i cili ishte përfaqësues i firmës “Kastrati” që nuk do operojë kjo anije me ata. Nisur nga kjo situatë bëra përsëri njoftimet, që kjo anije të niste procedurat për shkarkim” – dëshmon për autoritetet, përfaqësuesi i “GK Maritime”.
Njoftim Mbëritje Ngarkese Pranë Porto Romano
Por teksa dokumentat vërtetojnë se ekipi libian njoftoi nëpërmjet kompanisë detare shqiptare “GK Maritime” pothuajse 24 orë përpara se të ankorohej, po aq papritur ekuipazhi kërkoi të largohej pa mbërritur ende në port. Anija me 10 persona në bord, që kishte lundruar edhe në raste të mëparshme drejt Porto Romanos, dhe kishte thuajse një jave që lundronte drejt Durrësit për të dorëzuar ngarkesën e saj të tretë, nuk vazhdoi procedurat e futjes në port, ku duhej të shkarkonte ngarkesën me hidrokarbure, me qëllim kryerjen e praktikave doganore, por kërkoi të largohej befas.
Grupi hetimor, në kushtet e anonimatit, këmbëngul për Investigative Network Albania, se i ka pyetur të gjithë protagonistët e kësaj çështje.
“Praktikat formalisht janë të gjitha në rregull. Ne mendojmë që dokumentacioni që kanë paraqitur libianët është fals, si dokumentacion është i gjithë dokumentacioni për të kryer një praktikë doganore. Si blerësi dhe autoritetet tona nuk mund të gjykojnë nëse janë false. Në certifikatën e ngarkesës përmbahet emri i kapitenit, pronari i “Alpha Green oil product trading LLC- Dubai” ose “Eldwadi Shipping LTD”, me destinacion për porositësin Porto Romano, Durrës“, thotë për INA Media njëri nga anëtarët e grupit të hetimit.
Si u zbulua “Queen Majeda”?
Gjykata nënvizon se policia e Durrësit mori informacion nga organet e tjera ligjzbatuese për lundrimin e anijes drejt Shqipërisë, e cila pritej të përpunohej në Porto Romano.
“Është vendosur që anija ti nënshtrohet kontrollit të plotë si nga ana e dokumentave dhe nga ana fizike. Nga dokumentacioni i anijes, nga manifesti i ngarkesës konstatohet se sasia e naftës ishte ngarkuar në portin e Benghazit, Libi dhe kishte kërkuar të përpunohej për shitje në Porto Romano, Durrës” shpjegon në shkresa prokurori i çështjes, Edmond Koloshi, i cili sipas hulumtimit të Investigative Network Albania, rezulton se mbas kontrolleve të flagrancës, lëshoi një urdhër sekuestro që mban datën 23 shtator 2022 për dokumentat origjinale.
Plot 11 ditë pas operacionit ku policia gjyqësore kqyri dhe mori shkresat shoqëruese të dërguara pranë Agjencisë Detare “GK Marine”.
Dokumentat e firmosura në datën 5 shtator në Benghazi të tilla si çertifikata e cilësisë, çertifikata e origjinës, çertifikata e analizave nga Ozu Marine Service LTD dhe Bunker Credit Delivery Note, paraprakisht, akuza i konsideron të falsifikuara.
Dokuementi i Origjinës së Ngarkesës
“Dyshohet se kjo sasi nafte është tërësisht kontrabandë dhe dokumentacioni shoqërues i saj është i falsifikuar“, konfirmon gjykata, duke mbështetur të dhënat paraprake të prokurorisë. Në dokumentat e bllokuara rezultojnë edhe shkresat e agjencisë të njoftuar për ankorimin, ku përfshihet porti i rregjistrimit, mbërritja në Shqipëri, të dhënat e anijes, sasia e ngarkesës dhe pritësi i mallit, në këtë rast subjekti “Kastrati” sh.a.
Embargo u shkel, por vetëm libianët janë të dyshuar për kontrabandë
Megjithë dyshimet se është shkelur embargo, në Shqipëri përpos katër të arrestuarve Z.A. 54 vjeç, A.A. 43 vjeç, M.A.A. 25 vjeç dhe B. T. 25 vjeç, të dyshuar si kontrabandistë, asnjëra nga kompanitë shqiptare të përfshira në procedurat e importit, zhdoganimit dhe deklarimit të naftës në fjalë nuk është e dyshuar dhe as nën hetim për veprat penale të ngritura nga Prokuroria e Durrësit.
Të identifikuar si drejtuesit e anijes çisternë, katër persona përfunduan nën arrest për kontrabandë në bashkëpunim, kurse 6 të tjerë, T.B., M.A., A.B., A.E., A.H. dhe A.K., prej katër muajsh jetojnë brenda anijes që është e bllokuar në portin e Durrësit si persona të hetuar në gjendje të lirë. Pas dhënies së masave të sigurisë nga gjykata e shkallës së parë, të dyshuarit nuk kanë dalë ende përpara apelit dhe gjithçka duket se ka ngecur tek letërporositë përcjellë prej 7 nëntorit 2022, nga Tirana zyrtare drejt Libisë.
Avokati i libianëve të arrestuar, Aleksandër Ndreraj i kontaktuar nga INA Media, thotë se pasi i përfaqësoi vetëm në gjykatën e shkallës së parë Durrës, ai u zëvendësua me një mbrojtës tjetër.
“Më gjetën familjarët e tyre dhe ambasada libiane, pastaj kur nisa të përkthej në Tiranë shkresat nga arabishtja, sepse në Durrës nuk ka një përkthyes të tillë, më kërkuan ta lë çështjen se kishin gjetur të tjerë” – shprehet ai për Investigative Network Albania.
Për prokurorinë, dëshmia e kapitenit të anijes qartëson se përse “Kastrati” sh.a u tërhoq nga kontrata e nënshkruar dhe përse ekuipazhi kërkoi të largohet menjëherë nga ujrat shqiptare. Kapiteni pranoi gjatë dëshmisë së tij, atë që dokumentat e konfirmuan, transportin e naftës nga Benghazi drejt Porto Romanos, dhe heqjen dorë nga shit-blerja e saj.
“Ne erdhëm në Durrës dhe ishim në pritje të dorëzonim mallin. Papritur na mori pronari i kompanisë dhe na tha se do prisni pasi kompania shqiptare kishte kërkuar ulje çmimi. S’kishin rënë dakord për çmimin, edhe pse paraprakisht kompanitë ishin dakordësuar“, – shprehet i dyshuari.
Kapiteni pranon se ai kishte lundruar me “Queen Majeden” për transport të naftës libiane drejt Shqipërisë, edhe në muajt korrik dhe gusht të vitit 2022.
“Kjo ishte rruga e tretë” – dëshmon ai.
Kjo deklaratë konfirmon dyshimet e prokurorisë se përtej ngarkesës aktuale, anija “Queen Majeda” kiste lundruar drejt Porto Romanos dhe dy herë të tjera, në datën 8 maj 2022, me një sasi prej 1750 ton naftë 1000 PPM dhe tre muaj më pas, në 7 gusht 2022, me 2235,90 ton naftë 1000 PPM.
Edhe për këto dy episode, prokuroria kërkon të informohet nga ekuipazhi nëse dokumentacioni i dorëzuar nga kapiteni (nën arrest tashmë) është lëshuar apo jo nga autoriteti përkatëse, apo është një dokument i falsifikuar.
“Kërkesa e Shqipërisë është e qartë”, deklaroi një burim pranë Ministrisë së Drejtësisë që u angazhua për tʻi dhënë rrugë, letërporosisë së prokurorisë së Durrësit. “Aty kërkohet verifikim i dokumentacionit jo vetëm për rastin e fundit por edhe për dy rastet e tjera. Kërkohet nëse Korporata Kombëtare e Naftës në Libi (NOC) e ka autorizuar apo jo eksportimin e kësaj sasie nafte. Nëse përgjigjja është negative, kemi një rast të pastër kontrabandimi në bashkëpunim”, – thotë zyrtari për INA.
Udhëtimet e mëparshme të “Queen Majeda”
Nga shkresat që disponon Investigative Network Albania, vërehet se e njëjta Korporatë (NOC), në maj 2022 dyshohet se kishte sinjalizuar për anijen “Queen Majeda” (IMO 91178806), se kishte ngarkuar produkte nafte libiane në Benghazi për eksport të paligjshëm dhe ishte drejtuar në portet shqiptare.
INA Media kërkoi koment nga Korporata Kombëtare e Naftës në Libi (NOC) mbi situatën e krijuar dhe dyshimet e ngritura nga organet shqiptare të drejtësisë. Deri në momentin e publikimit të artikullit, NOC nuk ka kthyer përgjigje.
E identifikuar si anije naftëmbajtëse, mjeti lundrues, i kontraktuar edhe më parë nga kompania shqiptare për importim të naftës “Marine Gasoil 1000 PPM”, në një nga udhëtimet e mëparshme drejt Shqipërisë, kishte hasur probleme me autoritetet italiane, në datën 25 maj 2022.
“Queen Majeda” përmended në shkresa të Guardia di Financa dhe më pas nga Seksioni Operativ Naval i Reggio Calabrias. Një gjyqtar italian i hetimit paraprak, në atë kohë lëshoi urdhër për sekuestro parandaluese të karburantit dhe të 13 telefonëve të ekuipazhit. Vendimi i Gjykatës së Reggio Calabria datës 30 maj 2022, erdhi mbas sinjalizimit të rojes bregdetare të Tarantos që e dyshoi anijen “Queen Majeda” për 53 shkelje të natyrës administrative që lidheshin me sigurinë e lundrimit.
“Për këtë arsye, iu nënshtrua ndalimit administrativ, me ndalimin e rifillimit të lundrimit pa u kryer më parë ndërhyrjet e nevojshme për zgjidhjen e çështjeve kritike të hasura dhe për të siguruar ngarkesën e transportuar“, thonë autoritetet italiane, në veprimet kontrolluese që ata kryen me rojen bregdetare të Tarantos.
Vendimi i Gjykatës Reggio Calabria
Por ngarkesa, në datë 10 qershor urdhërohet nga autoritetet italiane të lihet e lirë, për të udhëtuar më tej drejt Shqipërisë.
“Rezulton se kjo anije ka ardhur të paktën edhe dy herë të tjera gjatë periudhës qershor-shtator në vendin tonë”. – pohon një zyrtar i doganës për INA Media.
Ai më tej shpjegon se në deklarimet në doganë anija “Queen Majeda” figuron në 43 praktika doganore me origjinë Libinë. Agjensitë doganore të cialt kanë kryer veprimet në këto raste janë Celaman në 42 raste dhe Alushi Trans në një rast.
“Për rastet e pritësve të karburantit të transportuar prej saj, ky është një informacion i një natyre konfidenciale dhe mbulohet nga kushti i sekretit profesional. Kurse për rastin e fundit nuk mund të përgjigjem se kush është kompania pritëse, pasi nuk e kemi informacionin e kërkuar, në kushtet kur nuk ka patur një deklarim në doganë dhe nuk është plotësuar një deklaratë doganore, e cila do të përmbante të dhënat që kërkohen nga ana juaj” – mbyll shpjegimin e tij zyrtari i doganës për INA Media.
Brenda 2022, anija “Queen Majeda” ka udhëtuar drejt Shqipërisë me ngarkesa nafte në tre raste të ndryshme, me rastin e fundit si katalist për fillimin e një hetimi mbi mundësinë e falsifikimit të dokumentave të origjinës së ngarkesës dhe trafikimit të naftës bruto, në shkelje të rezolutave të OKB-së.
Megjithatë, shumë pyetje mbeten ende pa një përgjigje: Pse vetëm pas 3 udhëtimeve të kësaj anije u vunë institucionet e drejtësisë në lëvizje, kur akishte dyshime mbi falsifikimin e dokumentave edhe të udhëtimeve të mëparshme, dhe në rast të mngesës së dyshimeve të tilla, pse vetëm tani kërkohet hetim dhe i rasteve të mëparshme, kur ka që në muajin maj që është bërë sinjalizimi i parë për mundësi trafikimi të ngarkesës? Pse pas një udhëtimi një javor nga ana e “Queen Majeda”, kjo e fundit dhe blerësi heqin dorë nga kontrata në moment të fundit? Pse Prokuroria ka ngritur akuzë për kontrabandë, kur nuk është kryer asnjë veprim për zhdoganimin e mallit nga “Queen Majeda”? Pse u deshën 10 ditë që prokurorët e çështjes të kërkonin dokumentat origjinale të transportit? Dhe përfundimisht, pse deri në këto momente të dyshuar janë vetëm ekuipazhi i anijes që ka kryer transportin e një ngarkese të nisur nga kompania mëmë?
Shumë pyetje, që presin ende një sqarim, përmes një procesi të bllokuar në Gjykatën e Apelit, me 4 persona pas hekurave dhe 6 të tjerë që kane muaj të tërë që jetojnë në bord të një anije të ankoruar në Portin e Durrësit.