Për motive ende të panjohura dje është vrarë një person në “Interex” në Podujevë, teksa e plagosur ka mbetur gruaja e viktimës. Valmir Breznica që njihej me nofkën “Dhija” ka vdekur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri. Lidhur me këtë rast, tashmë është arrestuar një person për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”. Këtë e konfirmon Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Po ashtu është bastisur shtëpia e të arrestuarit dhe është gjetur një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja

“Lidhur me rastin, pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë vazhduar në lokacionin e cekur me ç’rast në vendngjarje është konstatuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete, ndërsa viktimës femër  pasi i është dhënë ndihma mjekësore është dërguar për hospitalizim në QKUK.

Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të  personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.

Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore”, thuhet në raport./Indeksonline/