Reshjet e dendura të dëborës, i kanë lënë vendin ngricave. Pas së shtunës, kur pjesa kryesore e vendit u përfshi nga mot me reshje të dendura dëbore dhe shiu, temperaturat kanë rënë ndjeshëm në vlera negative deri në 13 gradë celsius, duke shkaktuar ngrica.

Në qarkun e Dibrës, termometri shënoi këtë të diel -13 gradë celsius në zonën e Kalasë së Dodës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë temperaturat janë -7 gradë. Rruga Peshkopi – Bulqizë – Klos është e kalueshme, pavarësisht se në të ka pasur prezencë akulli. I bllokuar mbetet segmenti Klos- Qafë Murrizi i rrugës së Arbrit, për shkak të dëborës e cila është kthyer në akull. Kalimi i mjeteve bëhet nga aksi i vjetër.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës i kalueshëm me zinxhirë, ka pasur probleme në një segment nga Qafë Kalaja drejt Vasies, për shkak të erës së fortë. Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd i kalueshëm me zinxhirë deri në Njësinë Administrative Ostren, më tej i bllokuar. Janë hapur një pjesë e rrugëve të njësive Administrative, më të afërta me qytetin, ndërsa vijojnë të jenë të bllokuara shumë prej tyre. Në Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos të cilat kanë qenë më të goditura nga moti i keq, nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.

I goditur nga moti me reshje të dendura dëbore ka qenë dhe qarku i Kukësit. Rrugët kombëtare janë të hapura, ndërsa është bërë kriposja e tyre për të shmangur prezencën e akullit në rrugë. Në bashkinë Kukës, janë të bllokuar rrugët e të paktën pesë njësive administrative, me izolim të dhjetëra fshatrave. Në qytetin e Kukësit, për shkak të uljes së temperaturave, dëbora është shndërruar në akull, duke u bërë i rrezikshëm për kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Në  bashkinë Has janë të bllokuara rrugët e fshatrave Nikoliq dhe Vlahen, ndërsa rruga Krumë Cahan kalohet me vështirësi. Të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme. Ndërkohë, mbi 20 fshatra në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë janë pa energji elektrike. Në qarkun e Lezhës, ka pasur gjithashtu disa zona ku ka rënë dëborës, kryesisht në bashkinë e Mirditës, ku ka pasur ngrica në rrugë, ndërsa kalimi bëhet me zinxhirë.

Në njësitë administrative Orosh dhe Fan, disa rrugë janë bllokuar nga dëbora, ndërsa raportohet që në disa fshatra të Lezhës dhe bashkive të tjera nuk ka energji elektrike. Rreshjet e borës kanë vijuar edhe përgjatë mbrëmjes ku temperaturat janë ulur ndjeshëm edhe në qarkun e Korçës. Lartësitë mbi 1200 metra bora ka shkuar deri në 50 cm. Në Dardhë, Voskopojë dhe Qafa e Qarrit trashësia e borës ka shkuar deri në 50 cm dhe mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë. Edhe fshatra si Lubonjë, Vithkuq dhe Gjanç bora ka shkuar nga 30- 40 cm. Edhe në qytet trashësia e dëbores ka shkuar deri në 25 cm.

Momentalisht po punohet për pastrimin e rrugës që të çon në Panarit. Problematike paraqitet rruga Ersekë – Leskovik. Mbrëmjen e djeshme disa automjete kanë ngelur në kthesën e Barmashit. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses në Kolonjës për ti zhbllokuar. Ditën e sotme ka prani të akullit në rrugë. E rënduar paraqitet situata me energjinë elektrike ku rreth 1700 abonentë janë pa energji.

Nga dëbora është përfshirë dhe qarku i Shkodrës, duke shkaktuar probleme në akset rrugore ndërsa dëmet më të mëdha janë në mungesën e energjisë elektrike. deri më tani, raportohen dhjetëra fshatra pa energji elektrike në të gjitha bashkitë e Qarkut Shkodër, kryesisht në zonat e thella të Alpeve. Në bashkitë që mbulojnë këto zona, gjithashtu dëbora është kthyer në akull, duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në disa rrugë të Malësisë së Madhe, Pukës, Fushë Arrëzit dhe Bashkisë Vau i Dejës. Ndërkohë, reshjet e shiut që shkaktuan fryrje të lumit Ishëm, kanë përmbytur tokat bujqësore në fshatin Murqinë të Krujës.