Për më shumë se 6 orë, Agron Neza është marrë në pyetje me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi doli nga ambientet e SPAK, nuk ndaloi për të komunikuar me gazetarët, por u mjaftua duke thënë: Pyesni prokurorin përse më thirri.

Ndërsa jashtë, një person, i paidentifikuar bërtiste kundër tij, duke i përmendur të atin: O i biri i Bajram Nezës, i biri i spiunit!

Edhe pse ai vetë nuk e përmendi arsyen e thirrjes, burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Neza është paraqitur këtë mesditë në SPAK, me kërkesë të prokurorëve, ndërsa emri i tij është lakuar në dosjen e ish-agjentit të FBI. Sipas dosjes që është publikuar gjatë procesit gjyqësor në SHBA, në gusht 2017 McGonigal është takuar me Agron Nezën, një ish-agjent shqiptar, i njohur si personi ‘B’, i vendosur prej vitesh në SHBA dhe me pasaportë amerikane

McGonigal i ka kërkuar para Nezës dhe më pas të bëjnë udhëtime nëpër Europë ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.

Neza, shqiptaro-amerikan, del në dosje se i jep një shumë prej 225 mijë dollarësh McGonigal, që sipas akuzave të ndryshme në vendin tonë, përfshirë dhe ato të bëra nga opozita, janë dhënë për të ushtruar ndikim në favor të kryeministrit Edi Rama. Vetë Neza i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur shpifje të Sali Berishës. Neza thekson se paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë Mcgonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama.