Klodian Tomorri
Në vitin 1992, komandanti i skuadronit të parë të Rojës Bregdetare italiane të dislokuar në Shqipëri, ndodhej me leje në Trieste. Ndonëse në atë kohë, një ushtarak i thjeshtë, më vonë emri i këtij oficeri do të bëhej shumë i njohur dhe i dashur për shqiptarët. Bëhet fjalë për Paolo Muner, një nga albanologët më të mëdhenj italianë.

Gjatë qëndrimit në Trieste, një mik i përbashkët e prezanton ushtarakun Muner me një shqiptar të quajtur Salvadore Eftimiadhi. Aty oficeri i ri do të mësonte historinë tragjike të një familje të shquar vlonjate, e cila prej dekadash luftonte kundër një padrejtësie të madhe, grabitjes së pronave.

“Që në takimin e parë, Salvatore i mbivlerësoi mundësitë e mia duke menduar se unë mund ta ndihmoja, ashtu siç kishte bërë shpesh me të tjerë” shkruan ushtaraku italian i shndërruar në studiues në kujtimet e tij.

Por siç rezultoi më pas, as komandanti i Rojës Bregdetare dhe madje as qeveria italiane nuk arriti ta ndihmojë dot Salvatore Eftimiadhin të merrte pronat, fillimisht të sekuestruara nga komunizmi dhe më vonë të grabitura nga bandat dhe mafia politike e Shqipërisë.

Historia
Eftimiadhët ishin një familje e fuqishme tregtarësh në Vlorë. Në fund të viteve 800′, ata transferohen dhe e zhvendosin biznesin e tyre në jug të Italisë. Menjëherë pas mbërritjes në Bari, Eftimiadhët krijuan një ndërmarrje transporti detar dhe tregtie. Biznesi kryesor i familjes ishte import-eksporti.

Sipas dokumentave historike, familja e zhvilloi biznesin në Bari deri në vitet 1920. Më pas, Luka Eftimiadhi vendosi ta transferojë sërish familjen dhe biznesin, këtë herë në Trieste. Por përveç biznesit të madh tregtar në Itali, Eftimiadhët gjatë kësaj kohe, shfrytëzonin dhe pasuritë e trashëguara nga gjyshi i tyre Marko Eftimiadhi në Shqipëri. Bëhej fjalë për ndërtesa dhe mbi 200 mijë metra katrorë tokë në zonën e Portit të Vlorës dhe atë të Ujit të Ftohtë, të cilat familja i kishte dhënë me qira.

Gjithçka shkonte mirë. Deri në vitin 1944, kur në Shqipëri erdhën në pushtet komunistët. Toka e tyre në Vlorë u shtetëzua e gjitha nga qeveria komuniste, ndërsa vila e Eftimiadhëve në Ujin e Ftohtë u zgjodh nga Enver Hoxha si rezidenca e tij qeveritare. Bashkë me to, familjes iu sekuestruan edhe 10 milionë lireta, të cilat i kishte të depozituara në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, një shifër që me vlerën e sotme kuotohet në gati 50 milionë euro. Madje, ironia qe e madhe.

Në fund të viteve 40′ një kusheri i Eftimiadhëve, Mario Assenatto, i cili mbante postin e zv/sekretarit të Tregtisë në qeveritë italiane të bashkimit kombëtar De Gaspari-Togliati, u ftua nga Enver Hoxha së bashku me një delegacion të madh të komunistëve italianë, që të pushonin pikërisht në vilën qeveritare që iu ishte rrëmbyer Eftimiadhëve. Në atë vilë, më parë Assenatto kishte qenë i ftuar si familjar.

Me shpresën se marrëdhëniet e mira mes komunistëve italiane dhe Enver Hoxhës do t’a ndihmonin të merrnte pronat e tyre, Luca Eftimiadhi nisi që atë kohë përpjekjet. Por më kot. Enver Hoxha nuk çedonte ndaj askujt.

Pas dekadash të tëra përpjekje familja dorëzohet. Jo vetëm ngaqë kuptoi se pronat nuk mund t’i merrte dot më, por edhe nga fakti se ajo po tkurrej.

Luka Eftimiadhi kishte patur dy fëmijë nga martesa e tij. I pari, Marco Eftimiadhi iu bashkua partizanëve italianë në luftë kundër fashistëve dhe u vra tragjikisht nga gjermanët e SS-ve. I dyti, Salvatore Eftimiadhi, nuk kishte fëmijë dhe kishte mbetur Eftimiadhi i vetëm i gjallë. Kjo e shtyu të dorëzohej dhe t’i jepte fund luftës që zhvillonte prej dekadash për pronën e tij.

Nga komunistët tek mafia
Por zhvillimet politike të viteve 90, në Shqipëri, rikthyen tek Salvatore Eftimiadhi sërish shpresën se më në fund do të merrte atë që ishte pasuria e tij legjitime. I mbetur i vetëm nga dinastia e Eftimiadhëve, tashmë ai nuk i kërkonte më pronat për familjen, por donte të hapte në Vlorë një fondacion, i cili t’u mundësonte të rinjve vlonjatë të shkolloheshin në Universitetin e Triestes.

Megjithatë siç rezultoi më vonë, mafia politike që shtiu në dorë pushtetin pas viteve 90, ishte edhe më e pamëshirshme se komunistët e Enverit. Edhe pse Gjykata e Vlorës e njohu me ligj si trashëgimtarin e pronës në Ujin e Ftohtë duke përfshirë dhe vilën qeveritare, Komisioni i Kthimit të Pronave falsifikoi letrat.

Në atë kohë pak kush e dinte historinë e Eftimiadhëve, pronat e të cilëve kishin filluar të tjetërsoheshin me firmat e qeveritarëve të lartë shqiptarë. Por ajo do të merrej vesh një dekadë më vonë.

“Berlusconi më kthe pronat”
Në 17 tetor të vitit 2002, gazeta “Il Piccolo” do të hapej në faqen e parë me titullin: Berlusconi më ndihmo të marr pronat e mia. Artikulli doli një ditë para vizitës zyrtare të Silvio Berlusconit në Tiranë, ku ai do të takohej me kryeministrin shqiptar të kohës, Fatos Nano.

Në artikullin që shpjegonte kalvarin tragjik të familjes Eftimiadhi, gazeta akuzonte ish kryeministrin, Ilir Meta se përmes firmës së tij, kishte bllokuar kthimin e pronave të Eftimiadhëve. Por as thirrja për ndihmë e Berlusconit dhe as kërkesa zyrtare e ministrit të jashtëm Fassino drejtuar presidentit të atëhershëm Rexhep Mejdani nuk patën rezultat.

Shuarja e dinastisë
Salvatore Eftimiadhi ndërroi jetë në vitin 2008. Bashkë me të u shua edhe familja që dikur kishte qenë një nga më të fuqishmet, jo vetëm në Vlorë, por edhe në Trieste të Italisë. Eftimiadhët nuk arritën dot kurrë të merrnin pronat e tyre. Por Salvatore la pas Fondacionin Luca dhe Marco Eftimiadi, të krijuar enkas për të administruar pronën shqiptare për qëllime bamirësie ndaj komunitetit vendas.

I pafuqishëm për të çarë korrupsionin në Shqipëri, Salvatore Eftimiadi kishte përfshirë në bordin e fondacionit figura të fuqishme, përfshirë gjeneralin italian Francesco Lissi, ish shefi i Interpolit në Shqipëri, me shpresën se ata do të mund të realizonin dëshirën e tij, qoftë edhe pas vdekjes.

Por shpejt fondacioni do të zbulonte se një pjesë e pronës ishte tjetërsuar nga eksponentë të botës së nëndheshme. Në këto kushte Lisi vendosi të heqë dorë nga beteja gati një shekullore dhe negocioi me uzurpatorët duke arritur një marrëveshje.

Marrëveshje me bandat
Dy vjet më parë, gazetarja Lindita Çela publikoi një investigim, i cili ekspozoi për herë të parë emrat që qëndronin pas tjetërsimit të pronave të Eftimiadhëve dhe ata që e detyruan fondacionin të pranonte një marrëveshje për të rimarrë një pjesë të vogël të pronës.

Sipas dokumentave të publikuar nga Çela, fondacioni Luca dhe Marco Eftimiadi nënshkroi në vitin 2015 një kontratë me Artur Shehun, duke rënë dakord të pranonte tetë apartamente dhe tre hektarë vijë bregdetare. Asnjë nga këto prona nuk ishte fillimisht pjesë e pasurisë origjinale të Eftimiadhëve dhe fondacioni ra dakord të hiqte dorë nga çdo pretendim për tokën stërgjyshore. Marrëveshja e dhurimit u nënshkrua nga Pëllumb Petritaj, që përfaqësonte Artur Shehun dhe Alketa Ylli Orsini si përfaqësuese e fondacionit Eftimiadhi.

Por marrëveshja u prish shpejt. Fondacioni kishte menduar të ndërtonte një marinë të vogël që do të gjeneronte fonde për misionin e tij bamirës, i cili përfshinte ndërtimin e urave midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky plan u ndal kur fondacioni kuptoi se toka e dhuruar ishte fituar me dokumente të falsifikuara.

Tashmë toka në fjalë është e sekuestruar nga prokuroria. Por saga e pronës së Eftimiadhëve do të dilte sërish në sipërfaqe këtë herë, nga emisioni investigativ Report në Rai 3. Gazetarët italianë intervistuan gjeneral Lissin, duke e pyetur për mënyrën se si fondacioni “Luca dhe Marco Eftimiadhi” përfitoi tokën nga Shehu.

“Nuk e njihja këtë person. Rastin ma solli Ëngjëll Agaçi. Unë e besoja Agaçin, pasi ai ishte njeri i besuar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama” deklaroi Lissi.

Megjithatë zoti Agaçi ka një version pak ndryshe. “Më datë 31.03.2012, si Jurist, mora përsipër një detyrë formale nga Gjykata e Triestes, në emër të Kuratorit të atëhershëm, për të ndjekur ngjarjet dokumentare dhe materiale të Amanetit të Vërtetë të të ndjerit Z. Salvatore Eftimiadi. E kam ndërprerë veprimtarinë në fjalë pasi kam marrë funksionin institucional të sipërpërmendur dhe ia kam komunikuar kuratorit fillimisht verbalisht dhe më pas komunikuar zyrtarisht edhe nga Studio Juridike, pjesë e së cilës kam qenë” – thotë Agaçi që mohon se Artur Shehu kishte qenë klient i tij.

Një kalvar grabitjesh, e nisur gati një shekull më parë. Kjo është saga tragjike e Eftimiadhëve pronat e të cilëve i sekuestroi Enver Hoxha, por i grabitën krimi dhe qeveritarët e korruptuar të pas komunizmit.