Kur kanë kaluar disa ditë nga atentati mafioz që la të vdekur 32-vjeçarin shqiptar Roan Brahimi, alias Sidorel Prendi, policia në vendin fqinj është e bindur se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh, që i riu ka pasur në vendin e lindjes. Mediat greke raportojnë se grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se ngjarja ka ndodhur për shkak të historive që lidhen me të shkuarën kriminale të Brahimit në Shqipëri, dhe në shtetin fqinj ai nuk ka pasur asnjë dosje të hapur.
Sipas raportimeve të mëparshmë nga mediat greke, në dijeni të vizitës së Brahimit në Greqi, nuk ka qenë as partnerja e tij Katerina Beqo, me të cilën kishte një djalë 7-vjeçar. Kjo tregon se 32-vjeçari shqiptar ishte i kujdesshëm për të mos u ekspozuar ndaj armiqve të tij, ndërsa prej kohësh jetonte në Dubai, dhe njihej për miqësinë me disa personazhe të botës së krimit, që e kanë zhvendosur aktivitetin e tyre nga Shqipëria në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Brahimi dyshohet se bënte jetë të dyfishtë, pasi dhe një Shqipëri ka familje, grua dhe fëmijë. Emri i 32-vjeçarit shqiptar është lakuar në disa ngjarje kriminale të ndodhura në zonën e Veriut të Shqipërisë, ndërsa cilësohej si kundërshtar i Ervis Martinajt, bosit të zhdukur të lojërave të fatit.