Një atentat me armë zjarri ka ndodhur këtë fundjavë në Romë, që ka pasur si shënjestër 27-vjeçarin Giancarlo Tei, i njohur si bashkëpunëtor i afërt i ‘zotit shqiptar’ të drogës Elvis Demçe. Ai u plagos në rrugë, ndërsa kërkonte dëshpërimisht nënën e tij, dhe bërtiste për ndihmë, sikur të ishte ende një fëmijë.

Mediet italiane shkruajnë se edhe pse i plagosur, Tei u tërhoq zvarrë për disa metra, dhe u shfaq i përlotur. “Ndihmë, ndihmë. Më qëlluan, jam gati të humbas mendjen”, bërtiste ai.

Mediat italiane shkruajnë se jeta në stilin mafioz të Gomorrës ka një çmim, pas parave të lehta, ka dhimbje dhe dëshpërim. 27-vjeçaro ka qenë i akuzuar për vrasje, dhe ishte shumë pranë arrestimit disa ditë më parë.

Duke iu referuar hetimeve të prokurorëve antimafia ai ishte njeriu kyç në menaxhimin e trafikut të drogës në bashkëpunim me bosin e rrezikshëm shqiptar Elvis Demçe por edhe me bandat e fuqishme kalabreze të San Luca, me të cilët merrej drejtpërdrejt.

Ai vepronte gjithashtu si një ndërlidhës me aleatët e Tokës së Shqiponjave, por kërkesa e gjyqtarit për masë sigurie u refuzua pas mbylljes së hetimeve.

Tei, i cili u la i lirë, nga drejtësia, por jo nga armiqtë që janë gjithnjë të gatshëm, për të larë hesapet e tyre. Autorët e atentatit qëlluan 5 herë në drejtim të tij, por vetëm dy prej plumbave mbërritën në shënjestër. Qëllimi i autorëve ishte eleminimi i tij, por 27-vjeçari arriti që të vraponte në rrugë, edhe pse i plagosur.

“Bossi” nuk priti që të mbërrinte ambulanca, por nëna e tij M.B., gjithashtu me precedentë penalë, zbriti nga shtëpia, e mori në makinë dhe e çoi në spital. Kush ishin autorët dhe porositësit e atentatit së mbrëmjes të së shtunës, mbetet ende një enigmë për hetuesit karabinierë. Megjithatë ata i kanë të qartë skenarët.

Ambicia e Tei-t për të “zaptuar” tregje të reja të drogës shkaktoi pakënaqësi deri në pikën e prishjes së ekuilibrave delikate.

Si një “udhëheqës i shquar i sheshit”, Tei, “Lallo”, kishte bërë marrëveshje dhe mbante kontakte me njerëz të njohur të botës së krimit, duke filluar nga Vincenzo Vallante, i njohur si “Naruto” dhe krahu i tij i djathtë Pietro Longo.

Ai është gjithashtu bashkëpunëtori i Demçes, shqiptari i afërt me Fabrizio Piscitelli, i cili njihet dhe me nofkën Diaboliku. Por policia nuk përjashton as përplasje të mundshme që i riu mund të ketë me komunitetin maroken, të cilët janë zgjeruar ndjeshëm në trafikun e drogës në Itali.

Hetimet

Ditët e fundit Prokuroria e Romës i kishte dërguar “Lallo” dhe 29 personave të tjerë njoftimin për përfundimin e hetimeve paraprake me akuzën se ishin pjesë e një shoqate që synonte trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike me në krye Demçen. Në veçanti, Tei ka marrë pjesë rregullisht me Demcen në aktivitetet e blerjes dhe shpërndarjes me shumicë të ngarkesave të drogës.

Demçe u dënua dhjetorin e vitit 2022 me 18 vjet heqje lirie. Bashkatdhetari dhe armiku i tij i betuar Ermal Arapaj është dënuar me 16 vite burg.

“Unë jam Zoti”, tha Demçe kur u përgjua, ndërsa po mendonte të hakmerrej ndaj njërit prej magjistratëve që e hetuan: “Do të qëlloj Cascinin në Piazzale Clodio”.