Azgan Mernica ka pranuar vrasjen e policit të forcave “Shqiponja”, tre ditë më parë në Fier.

Po unë e vrava”, raportohet të ketë dëshmuar Menrica pas arrestimit mbrëmjen e së mërkurës.

Një videon e publikuar mbrëmjen e djeshme, dëgjohet një grua ku i thotë “Azgan… Zoti para, hajde rrugën e mbarë”.

Ndërsa në një video tjetër një i afërm i tij e këshillon dhe i thotë “nëse të luan njeri aty brenda…”, ndërsa Azgani e qetëson, nga mimika e tij lë të nënkuptojë që është shumë i qetë dhe se nuk ka aspak frikë.

Azgan Mërnica mbrëmjen e djeshme (15 maj) është vetëdorëzuar në policinë e Fierit. Për kapjen e tij kërkimet vijuan prej dy ditësh.

23-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij. Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej.

Në videon e publikuar ndërsa hipën në makinë për tu dorëzuar në polici, 23-vjeçari u shfaq i qeshur dhe i qetë. Ndërkohë Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj Azgan Mërnicës, vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si ndodhi ngjarja

Efektivi Cenalia, i cili ishte prej 4 vitesh pjesë e komisariatit të policisë në Fier, vetëm disa javë më parë kishte kurorëzuar martesën e tij.

Mesditën e të hënës ai kishte veshur uniformët e “Shqiponjave” dhe po i drejtohej komisariatit për të marrë shërbimin. Rrrugës, në fshatin Baltëz automjeti i tij ndalon dhe nga një makinë përballë hapet zjarr.

Novruz Cenalia merr një plumb në kokë dhe për pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes.

Efektivi do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz. Në nder të tij, këtë të mërkurë u mbajtën homazhe në hollin e Teatrit Bylis në Fier.

Me lot në sy, kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë atij lamtumirën e fundit. Në homazhe mori pjesë mes të tjerëve edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u shpreh se “gjaku i policisë është gjaku i shtetit”.