Në rezidencën “Delijorgji”, që gjendet në anën jugperëndimore të Rrugës së Kavajës në Tiranë, e cilësuar si zonë luksoze, në katin e parë të një pallati gjenden përbri njëra-tjetrës zyrat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë (UKT). Nga pozicioni, zyrat publike “konkurrojnë” me imazhin e tyre fasadat e bizneseve private. Por “reklama” e këtyre shoqërive aksionere me pronësi publike ka një kosto jo të vogël. Nga kërkimet në burimet e informacionit online, qiradhënia e ambienteve për zyra në këtë zonë, referuar vlerave të tregut të lirë, shkon më së paku 20 euro për 1 m2 në muaj.

OSHEE, Bashkia Tiranë, si dhe UKT, refuzuan të vendosnin në dispozicion kopje të kontratave të objekteve të marra me qira, që “INA Media” i kërkoi bazuar në ligjin “Për të drejtën e informimit”.

Posta Shqiptare, një tjetër shoqëri në pronësi të shtetit, raporton se për një njësi me  sipërfaqe 125.46 m2 në rrugën “Reshit Petrela”, pranë vendit të njohur si Stacioni i Trenit, paguan çdo muaj më shumë se 464 mijë lekë (rreth 4640 euro) – afro 37 euro për m2 në muaj. Posta Shqiptare në të gjithë qarkun e Tiranës ka marrë me qira 28 objekte, me një vlerë në total më shumë se 3.5 milionë lekë ose 35 mijë euro në muaj.

Në qarkun e Korçës, Posta Shqiptare ka marrë me qira 7 njësi. Për pesë prej tyre, nga të cilat katër gjenden në zona rurale, paguhet çdo muaj 207 mijë lekë në total. Për një ambient me sipërfaqe 54 m2 në fshatin Plase është lidhur qiraja për shumën 130 mijë lekë në muaj (1300 euro). Dy kontrata janë 15-vjeçare: një në bulevardin “Gjergj Kastrioti” në Korçë për një sipërfaqe 46.8 m2, për të cilën është lënë garanci shuma 8 milionë lekë, ekuivalente me vlerën 80 mijë euro, ndërsa për një njësi 103.70 m2 paguhet vlera totale prej 15 milionë lekësh ose 150 mijë euro. Nga këto të dhëna, për të parën përllogaritet qira mujore në shumën 444 euro, ndërsa për të dytën 833 euro.

Posta Shqiptare vendosi në dispozicion të dhëna edhe për qarqet Vlorë, Kukës, Lezhë, Fier, Gjirokastër, Elbasan, Berat, Durrës dhe Shkodër, ku ka marrë me qira 24 njësi.

Një prej njësive të marra me qira prej Postës Shqiptare në Shkodër është në bashkëpronësi të Behar Bajroviq, i akuzuar për vrasje, planifikim vrasjeje dhe se ka korruptuar funksionarë të drejtësisë. Ai u ekstradua nga Franca në nëntor 2023. Për sipërfaqen prej 25 metrash katrorë, Posta paguan një qira mujore 25 mijë lekë (250 euro).

Shoqëritë aksionere me pronësi publike nuk janë të vetmet që marrin prona private me qira. Institucione të tjera, si Tatimet dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), numrin më të madh të zyrave i kanë në ambiente private me qira. Madje edhe vetë bashkitë, që janë nga pronarët më të mëdhenj të pronave publike, marrin me qira pasuri të paluajtshme. E tillë është Bashkia Vorë, që pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019 është vendosur në ambiente me qira.

Kjo bashki ka nënshkruar më 26 maj 2023 një kontratë për marrjen me qira të një vile trekatëshe, me sipërfaqe 804 m2, e ndodhur në anën veriperëndimore të qytetit. Sipas kontratës së nënshkruar nga kryetari i bashkisë, Blerim Shera, qiraja mujore është në shumën 700 mijë lekë, e barasvlefshme me rreth 7000 euro.

Bashkia Vorë informoi se janë zhvendosur nga godina ekzistuese menjëherë pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe se në mars të vitit 2020 është shpallur si objekt i dëmtuar. Sipas Bashkisë Vorë, ndërtimi i godinës së re nuk ka nisur pasi është duke u zhvilluar ende procesi i shpronësimit të objekteve private që preken nga projekti.

Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk iu përgjigj pyetjes për koment lidhur me arsyet e nënshkrimit të një kontrate të majme në favor të privatit, por në kurriz të taksapaguesve.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit i auditimit tematik “Për zbatimin e rekomandimeve të lëna në auditimet e vitit 2023” zbulon probleme në një kontratë qiraje të nënshkruar mes UKT-së Tiranë dhe Kujtim Qefalisë, administratorit të Njësisë Administrative Dajt në Bashkinë e Tiranës. Sipas kontratës së nënshkruar më 12 qershor 2019, UKT Tiranë i ka marrë në përdorim Kujtim Qefalisë një ngastër toke me sipërfaqe 511.65 m2 kundrejt qirasë mujore 173,961 lekë ose më shumë se 1700 euro në muaj. Kontrata është nënshkruar për një vit, me të drejtë rinovimi. Toka që gjendet në fshatin Surrel të Njësisë Administrative Dajt është marrë me qira pasi është ndërtuar një depo uji.

Kujtim Qefalia ka qenë kryetar i komunës Dajt për periudhën 2007-2015. Prej vitit 2016 ai është administrator i Njësisë Administrative Dajt.  Por veç konfliktit të interesit në dukje në këtë kontratë qiraje mes një institucioni në varësi të Bashkisë Tiranë dhe një funksionari të kësaj bashkie, gjetjet e KLSH-së ekspozojnë përfitime të padrejta. Sipas KLSH-së, Qefalia ka përfituar më shumë se 1.5 milionë lekë më tepër nga sa i takonin, që konsiderohet si dëm ekonomik.

“Kjo është përfituar padrejtësisht nga qiradhënësi, si pasojë e diferencës ndërmjet planimetrisë në kontratën e qirasë dhe sipërfaqes sipas planimetrisë në fakt”, – konstaton KLSH.

Pas pyetjes së Bashkisë Tiranë mbi problemet e ngritura nga KLSH-ja dhe për konfliktin e interesit në dukje, bashkia Tiranë, përmes një komunikimi zyrtar u shpreh, ndër të tjera, se “Pas verifikimeve të kryera në Zyrën e Protokoll-Arkivit, nuk rezulton të kemi të administruar asnjë kontratë qiraje të lidhur nga Z.Qefalia me palë të treta. Nëse kontrata e qirasë për pronën private të Z.Qefalia, me palë të treta, është kostatuar si konflikt interesi e Z.Qefalia, jemi të mendimit që kjo është një marrëdhënie personale e Tij. Për sa më sipër cituam, ju bëjmë me dije se Njësia Administrative Dajt nuk ka informacion për ekzistencën apo jo të kontratës në fjalë,” duke mos i dhënë një përgjigje përfundimtare problematikës së ngritur.

Qefalia ishte i paarritshëm për t’u pyetur për koment.

Ndërkohë, UKT tha ndër të tjera se, me qëllim likuidimin e dëmit të konstatuar nga ana e KLSH-së, Qefalisë nuk i është paguar qira për një periudhë kohore, derisa është barasvlerësuar detyrimi me vlerën e dëmit. Lidhur me konfliktin e interesit, edhe UKT nuk paraqiti ndonjë koment apo qëndrim.

Megjithëse në përmasa më të vogla, diferenca mes vlerës së qiradhënies së pronave publike dhe asaj që paguajnë entet publike për të marrë me qira objekte private është e dukshme dhe kur krahasohet mes institucioneve të tjera lokale jashtë kryeqytetit.

Nga të dhënat e vendosura në dispozicion nga Bashkia Shkodër dhe FSDKSH rezultojnë diferenca në çmimin e qiradhënies dhe qiramarrjes. Bashkia Shkodër ka dhënë me qira një sipërfaqe prej 155 m2 pranë stadiumit “Loro Boriçi” me tarifë mujore prej 26 970 lekë ose 174 lekë për m2 në muaj.

Nga ana tjetër, Drejtoria Rajonale Shkodër e FSDKSH-së ka marrë me qira nga privati katin e parë me sipërfaqe 257.4 m2 dhe bodrumin 109 m2 për 288 mijë e 288 lekë në muaj, ose 786 lekë për m– rreth 4.5 herë më shtrenjtë nga sa është dhënë prej bashkisë me qira ambienti 155 m2.

Ngjashëm paraqiten edhe tarifat e tjera të qiradhënies së pronave publike dhe qiramarrjes së ambienteve private, që janë vendosur në dispozicion nga Bashkia Shkodër dhe FSDKSH.

Sipas të dhënave të siguruara nga “INA Media”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë me qira për më shumë se 25 mijë euro në muaj një objekt në Yzberisht.

Kontrata është nënshkruar nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi, më 28 qershor 2022 për një objekt me sipërfaqe 2931.78 m2 në zonën kadastrale nr.3866, në Yzberisht të Tiranës. Në kontratë përshkruhet se procedura e qiradhënies është bërë me konkurrim.

Në kontratë shënohet se marrja me qira e këtij ambienti bazohet në certifikatën e pronësisë, si dhe në deklaratën për përfshirje në procedurat e legalizimit, çka tregon se shteti ka marrë me qira një objekt pjesërisht ende të paregjistruar. Kontrata është nënshkruar për një vit, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit me marrëveshje. Qiraja mujore është përcaktuar të jetë në masën 25 mijë e 506 euro.

“INA Media” ka mësuar se kjo kontratë dhe të tjera akte të nënshkruara nga Klosi janë objekt i një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

I pyetur për koment për nevojën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të paguar qira mujore mbi 25 mijë euro në muaj për ambiente private, Klosi tha se është larguar nga pozicioni i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe se informacionet e kërkuara janë në institucion.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk iu përgjigj, deri në publikimin e këtij shkrimi, pyetjeve për koment lidhur me këto rrethana.

Klosi mori postin e drejtorit të Tatimeve në vitin 2021 dhe hoqi dorë prej tij në qershor të 2024-s, për t’u caktuar në muajin korrik si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

Shteti jep prona publike për 1 euro

Në një zonë më pranë qendrës së Tiranës se njësia Yzberisht ku gjenden ambientet e marra me qira nga organet tatimore për 25 mijë e 506 euro në muaj, qeveria dha për dy dekada, kundrejt tarifës 1 euro, një objekt me sipërfaqe ndërtimore të përafërt.

Me vendimin e qeverisë nr. 462 të datës 2 tetor 2019 u lidh kontrata e qirasë 1 euro midis ministrit të Financave dhe Ekonomisë si qiradhënës dhe shoqërisë MTSC SHPK si qiramarrës për pasurinë shtetërore “Ish-ndërmarrja metalike Tirana”, “Reparti i orëve”, me sipërfaqe të përgjithshme 4021.5 m2, nga të cilat sipërfaqe ndërtimore 1624.44 m2 dhe sipërfaqe funksionale 2397.06 m2, në zonën kadastrale nr. 8220, për 20 vjet. Më 19 shkurt 2020 u miratua një shtesë në kontratën e qirasë, për një sipërfaqe 872.6 m2 në godinën 1, brenda sipërfaqes së pronës, prej nga sipërfaqja ndërtimore e dhënë për tarifën simbolike 1 euro shkoi në total në 2497.04 m2.

Shoqëria përfituese e ushtron veprimtarinë në fushën e transmetimeve radio-televizive. E emërtuar ndryshe dhe “Report TV”, shoqëria administrohet 100% nga gazetari italian Carlo BollinoMedia që ai zotëron në vazhdimësi ka shfaqur qëndrime të buta kundrejt qeverisë aktuale. I pyetur nëse përfitimi i administrimit të kësaj prone publike për 20 vjet kundrejt tarifës simbolike 1 euro kishte lidhje me qëndrimin për qeverinë aktuale të medias që ai drejton, Bollino mohoi kategorikisht që të kishte pasur qëndrim të tillë ndaj qeverisë aktuale.

“… Përgjigjja është jo. MTSC ka nënshkruar një kontratë qiraje me shtetin konform ligjeve në fuqi, pa asnjë trajtim të veçantë dhe ashtu si shumë biznese dhe shumë media të tjera ndër vite dhe me çdo qeveri (si për shembull “Top Channel”, “Top Albania Radio”, “Klan”, “ABC”, “Ora News”, “Scan”, “News 24”, “TV Ballkan”, “Radio National” etj.)”,- tha Bollino dhe sqaroi se MTSC e ka fituar kontratën pas një gare publike, duke respektuar plotësisht ligjin dhe detyrimin për të plotësuar një sërë kushtesh ligjore, ndër të cilat edhe numri i të punësuarve dhe pagesa e rrogave plotësisht nëpërmjet bankës, pa shmangur detyrimet.

Bashkia e Tiranës refuzoi të jepte të dhëna për pronat publike që ka dhënë apo marrë me qira, por nga kërkimet në burime të hapura, “INA Media” siguroi pesë vendime në parim të këshillit bashkiak.

Më 28 shkurt 2013, Këshilli i Bashkisë Tiranë ka vendosur miratimin në parim të dhënies me qira të objektit “Reparti termik dhe mekanik instrumental”, me sipërfaqe totale 26 mijë e 857 m2, njësi e uzinës së pjesëve të këmbimit të automjeteve. Në vitin 2016 janë marrë dy vendime të ngjashme, konkretisht për objektin “Reparti i galanterisë”, me sipërfaqe totale 2766.5 m2, pjesë e njësisë së ndërmarrjes metalike, si dhe për një truall 10 mijë e 458 m2 në rrugën “Hamdi Pepa”, Njësia Administrative Nr.6. Në vitin 2017 është miratuar në parim dhënia me qira e truallit prej 4600 m2, ndërsa në prill të 2023-shit është miratuar dhënia me qira e një pjese të pasurisë “Akuadromi i Tiranës” prej 1284 m2.

Në këto vendime nuk përcaktohen vlerat e qirave, por kërkohet që procesi të kryhet nëpërmjet konkurrimit publik, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.54, datë 05.02.2014.

Dhënia me qira e qindra mijëra metrave katrorë të pronave publike për vlerën simbolike 1 euro kryesohet nga qeveria. Sipas të dhënave të publikuara në “Open Data Albania”, vetëm në vitin 2019  qeveria shqiptare ka nënshkruar tetë kontrata për subjekte ekonomike kundrejt çmimit simbolik 1 euro. Programi “Shqipëria 1 euro” synon t’iu japë punëdhënësve potencialë prona shtetërore në përdorim me qëllim rritjen e investimeve private dhe numrit të të punësuarve. “Open Data Albania” vëren se në total qeveria ka dhënë 537 503 metra katrorë për 916 vende të reja pune, për të cilat nuk ka ndonjë parashikim kontraktor që duhet të jenë të punësuar shtetas shqiptarë.

“Shqipëria 1 euro” është një skemë e qeverisë “Berisha 1”, në fuqi që nga viti 2007. Vendimi përcaktoi se tarifa e qirasë apo e enfiteozës e pronave publike, kur qiramarrësi kryen veprimtari prodhuese, do të jetë 1 euro.

Partia Socialiste, atëherë në opozitë, e kritikoi këtë nismë, por kur erdhi në pushtet ndryshoi qëndrim e vijoi ta aplikonte edhe vetë, duke ndryshuar edhe aktet nënligjore.

Me një ndryshim të 30 tetorit, qeveria u dha mundësinë përfituesve nga programi “Shqipëria 1 euro” që të privatizojnë pronat shtetërore.

“Qëndresa qytetare”, një organizatë jofitimprurëse, hartoi një raport monitorimi në vitin 2021 lidhur me ecurinë e programit “Shqipëria 1 euro”. Sipas autores së këtij raporti, Anila Salianji, nisma nuk ka pasur asnjë impakt real në ekonominë shqiptare. “Para 4 vitesh kam realizuar një hulumtim për mënyrën se si nëpërmjet kësaj nisme (të cilën gjatë kohës që ishte në opozitë e kishte kundërshtuar fuqishëm), qeveria socialiste po iu jepte prona publike për zhvillim biznesmenëve me lidhje të ngushta me pushtetin, pak a shumë në të njëjtën formë që po ndodhte edhe nëpërmjet ligjit për investimet strategjike”, – shprehet Salianji dhe sjell si shembull rastin e kompanisë “Rozafa sh.p.k.”, për pronarin e së cilës, biznesmenin Gjergj Luca, thotë se është i njohur për lidhjet e tij me pushtetin aktual.

Salianji nënvizon se Luca ka përfituar 5 kontrata me qira simbolike për 1 euro, me një sipërfaqe totale të përfituar 149,264.9 m2.

Biznesmeni Gjergj Luca tha për “INA Media” se kishte shkuar në Elbasan, Gramsh, Përrenjas dhe Maliq për fuqi punëtore. Pyetjes nëse ndihet i favorizuar nga pushteti, ai i përgjigjet se politika e ka ndihmuar duke e lënë të qetë dhe të lirë të bëjë punën e tij. Ai shton se ka filluar procedurat për privatizim që, sipas tij, i kushtuan shumë kohë, energji dhe para.

Anila Salianji, hartuese e raportit për skemën “Shqipëria 1 euro”, thotë se që prej vitit 2014 kur kjo nismë u rijetësua nga qeveria e re socialiste dhe deri në fund të vitit 2019, periudhë kur mbyllet hulumtimi, janë  dhënë me qira me tarifë simbolike 1 euro 975.050 m2, nga të cilat 87000 m2 janë objekte dhe pjesa tjetër është truall. Sipas saj, një nga problemet kryesore të këtij programi është mungesa e institucioneve kompetente dhe mekanizmave për monitorimin e kontratave dhe zbatimit të kushteve të tyre nga subjektet qiramarrëse. Për shkak të mungesës së këtyre mekanizmave monitorues nuk ishte zgjidhur asnjë kontratë, megjithëse KLSH ka evidentuar raste të mosrespektimit të kushteve të përcaktuara.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk ktheu përgjigje lidhur me monitorimin e këtyre kontratave. Tjetër problem, Salianji konsideron edhe mundësinë e privatizimit nga ana e subjekteve të pronave shtetërore të dhëna me qira.

Prona të zëna forcërisht

Bashkia e Shkodrës raporton se ndërtesa, troje dhe sheshe në këtë qytet janë zaptuar. Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga kjo bashki, 30 pasuri të paluajtshme janë zënë forcërisht dhe 39 të tjera të zëna nga qytetarët, një pjesë e të cilave drejt privatizimit dhe të tjerat të paprivatizuara.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i pyetur lidhur me këtë situatë nuk dha koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Albert Murçaj, i pyetur për këto rrethana pohoi, ndër të tjera, se kjo është çështje e bashkisë, që e zgjidh vetë me kapacitetet e saj.

Mungesë transparence

Rreth një vit më parë, “INA Media” u kërkoi bashkive Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Korçë, Elbasan, Berat, Sarandë, Vlorë, Himarë, si dhe OSHEE-së, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe FSDKSH-së, të dhënat për pronat që administrojnë, si dhe për kontratat e qiradhënieve e qiramarrjeve. Në vijim iu kërkuan të dhëna Postës Shqiptare dhe Bashkisë Vorë.

Vetëm bashkitë Shkodër, Himarë, Vorë, FSDKSH dhe Posta Shqiptare u përgjigjën në detyrim të ligjit për të drejtën e informimit.

OSHEE-ja refuzoi të jepte kopje të kontratave të objekteve të marra me qira. Pas vendimit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ky institucion, më 22 prill të këtij viti, nëpërmjet një email-i, bëri të ditur për Komisionerin dhe “INA Media”-n se do ta ankimonte vendimin pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke e penguar dhënien e informacionit.

Urdhri i Komisionerit për të vendosur në dispozicion kontratat e qiradhënies dhe qiramarrjes nuk u zbatua as nga Drejtoria e Tatimeve.

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara në “Open Data” për të ardhurat dhe shpenzimet e OSHEE rezulton se në vitin 2019, vlera monetare për qira përllogaritet rreth 60 milionë lekë, ekuivalente me rreth 600 mijë euro. Në pasqyrat financiare të viteve të tjera nuk përcaktohet me zë të veçantë ky shpenzim.

As Bashkia e Tiranës nuk vendosi në dispozicion të dhënat për marrjen me qira të objekteve private nga ana e UKT-së, shoqëri aksionere në administrimin e saj. Por, ndryshe nga sa veproi me OSHEE-në dhe me organet tatimore, në rastin e Bashkisë Tiranë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk realizoi asnjë seancë dëgjimore mes “INA Media”-s dhe përfaqësuesve të kësaj njësie vendore, më të madhes në vend, një prej pronarëve më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme publike. Më 3 mars, “INA Media” ankimoi pranë Komisionerit përgjigjen pa përgjigje të Bashkisë Tiranë, por ky ankim mbetet i patrajtuar.

“INA Media” i ka dërguar Komisionerit një kërkesë për informacion se përse nuk është realizuar asnjë seancë dëgjimore dhe përse ky institucion nuk ka dalë me një vendim pas ankimimit të kryer. Megjithatë, deri në realizimin e këtij artikulli, Komisioneri nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare./INA Media