IMG_9305

Një 37-vjeçar italian është arrestuar nga policia e kryeqytetit ndërsa i vëllai i tij do të hetohet në gjendje të lirë pasi trafikonin nga Italia në Shqipëri mjete luksoze të vjedhura.

I arrestuari është identifikuar si Davide Simula.

Sekuestrohen 2 automjete (“Audi Q3” dhe “BMW X6”, prodhime të viteve të fundit), me vlerë rreth 150 000 euro.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në bazë të informacioneve se dy shtetas ishin të përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të automjeteve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Luxury Cars”.

Në kuadër të operacionit është arrestuar shtetasi italian Davide Simula, 37 vjeç, banues në Itali, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., banues në Itali.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura, kryesisht në Itali.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, tip “Audi Q3” dhe “BMË X6”, prodhime të viteve të fundit, me vlerë rreth 150 000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për të zbardhur raste të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.