erion veliaj ols dado

Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën dhe orën e seancës ku do të shqyrtohet ankimimi i Erion Veliajt dhe biznesmenëve Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi, të cilët kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë.

Seanca do të mbahet më 11 Mars, në orën 10:00, teksa gjyqtari që do të marrë vendimin është Engert Pëllumbi. Të akuzuarit kërkojnë masë më të lehtë sigurie, ku Erion Veliaj dhe Elman Abule iu është caktuar nga GJKKO “Arrest me burg”, ndërsa Shkëlqim Fushë, Gentian Sulë dhe Meriman Palushit “detyrim paraqitje”.

Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit me urdhër të SPAK, ku akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa ka rezultuar se Xoxa ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Ndërkohë, biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.