
Si një gjysh i shqetësuar për zhdukjen e nipit, Volodomir Savinov, u ul para një kompjuteri në fillim të nëntorit 2024 dhe përmes email-it njoftoi ambasadën e Ukrainës me seli në Tiranë për atë që më pas do të ishte çelësi i një zbulimi të pazakontë në fushën e krimit të organizuar.
Savinov informoi se nipi i tij po mbahej pa dëshirë dhe po detyrohej të punonte forcërisht në Shqipëri. Adresa me sa dinte Savinov ishte qyteti i Vlorës.
Por nipi i tij, një i ri i talentuar në fushën e informatikës identifikuar më pas Zaremba Mykyta, ishte vetëm njëri mes shumë të tjerëve si ai, që mbasi u punësuan në mënyrë mafioze në Varshavë, u trafikuan drejt Shqipërisë ku dhe punuan nën terrorin e dhunës.
Ajo ishte një godinë një katëshe në lagjen “Demokracia”, gjendur pranë një shkolle jo publike. Në procesverbal shkruhet: “Godina një katëshe me porta, dhe dritare të mbyllura , të jep përshtypjen e një banese të pabanueshme. Nga ana e policisë u kontaktua me pronarin e banesës dhe bashkë me të shërbimet kanë shkuar tek objekti. Fillimisht derën e ka hapur shtetasi Mark Petrenko, i cili u ka thënë se në banesë gjendej me familjen. Për të verifikuar informacionin shërbimet e policisë u futën në banesë, ku në sallonin e kësaj banese u gjetën 6 shtetas të tjerë me shtetësi ukrainase, të cilët para tyre mbanin një kompjuter portativ dhe ishin duke shkruar në aplikacione të ndryshme”.
Mes tyre policia gjeti edhe nipin e denoncuesit Zaremba Mykyta.
Si një i ri me shtetësi ukrainase, por i lindur në Krakov të Polonisë Zaremba kishte ambicie vetëm punën e zyrës. Ndaj, siç rrëfehet për policinë ai, nisi kërkimet në fushën ku ndihej më i fortë, atë të IT.
“Pashë një njoftim në aplikacionin Telegram, ku flitej për punësim. Komunikova në Telegram me një person me emrin Fresko dhe më informoi për intervistë në qytetin e Varshavës, Poloni. Do të kryeja testin e poligrafit”.
Në Varshavë testi për gjurmimin e gënjeshtrës u krye sipas një adrese të cilin i riu ua ka vendosur në dispozicion autoriteteve të drejtësisë shqiptare.
“Më lajmëruan pas dy ditësh se e kisha kaluar testin e poligrafit dhe se isha pranuar në punë. Më pas jam trajnuar për tre ditë. Erdhi njëri nga kryesorët quhej Yuri dhe më tha që do shkoja në Shqipëri me punë pasi kishte kushte të mira pune. Biletat mi preu personi me emrin Mark, por që njihej si “e premtja“.
Në aeroportin e Rinasit u prit nga i njëjti person me të cilin udhëtoi drejt Vlorës e së bashku me ta edhe dy ukrainas të tjerë që kishin qenë në të njëjtën linjë fluturimi. “Në fillim vajtëm në një shtëpi tjetër, por aty nuk kishte vend pasi kishte edhe shumë të tjerë. Na dërguan në një shtëpi tjetër që ishte bosh vetëm për ne”, shprehet Zaremba. Ditët në vazhdim i riu pa se si shtëpia u mbush edhe me ukrainas të tjerë në të njëjtën moshë me të. “Personi me emrin Kika na mori pasaportat dhe na tha se nëse nuk do zbatonim rregullat e tyre do përfundonim si disa persona që i kishin regjistruar në video. Aty shfaqeshin pamje ku disa persona dhunonin në mënyrë të frikshme duke ju thyer edhe gjymtyrët, kurse në një video tjetër dukeshin duke i djegur shtëpinë”.
Duke u bindur, të rinjtë ndoqën udhëzimet e trafikantëve dhe anëtarëve të grupit, dhe dërgonin linqe interneti nga programe me robotë, ku përmes dark-ëebeve seleksiononin personat që u bëheshin oferta për të transportuar drogë. “Kur këta persona pranonin ofertën, – thotë i riu, – i rekrutonim dhe pastaj ia kalonim personit me emrin Kika që ia kalonte personit me nofkën Mustangu”. Ajo që rrëfejnë edhe specialistët e tjerë të IT është një skemë e mirëfilltë kriminale e krimit të organizuar. Për çdo rekrutim paguheshin 25 dollarë ndërsa u ishte premtuar se paga e tyre do të ishte e përjavshme prej 250 dollarësh
Prokuroria e Posaçme shkruan në fashikull se “nga kqyrja e faqeve të ndryshme dhe adresave të hapura në kompjuterat portativë nga drejtoria e Krimeve Kibernetike u konstatuan se në to kishte komunikime që tregonin mënyrën e rekrutimit të shtetasve në shtetet e Evropës me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike”
Nga fashikuj që posedon Faktoje rrëfimet e ukrainasve që e gjetën punën përmes Telegram, tregojnë identitete trafikantësh të cilët ende janë nën hetim nga SPAK.
Aktualisht Shqipëria i ka strehuar specialistët e IT në një qendër shtetërore, ndërkohë që në hetime është angazhuar edhe gjyqtarja e çështjes, që për të siguruar provat me kërkesë të SPAK, po dëgjon dëshmitë e secilit prej të trafikuarve, të cilët po ballafaqojnë identitetet e shtetasve që i kanë dhunuar dhe të huajve të tjerë që ju morën pasaportat
Kirlie Gvaramadze, 24 vjeç është nga Bjellorusia dhe është njëri prej atyre shtetasve që u gjet në një banesë të dytë të përshtatur nga organizata kriminale e huaj për të njëjtin qëllim. Ai tha në gjykatën e posaçme të njëjtën skemë, por me ndryshimin e vetëm ku si trajner kishte pasur një person me emrin Veterineri
“Kur nisa punën çdo gjë dukej e çuditshme dhe mbaj mend që bëra një gabim gjatë procesit. Kika më ka rrahur dhe një tjetër me nofkën Veterineri filmoi dhe këtë video e dërgoi tek të mëdhenjtë për tu treguar se më ndëshkuan për gabimin që bëra.
Na kanë treguar video ku për gabimet thyheshin gishtat dhe i kërcënonin se do i hiqnin qafe.
Ne kishim një grup në chat ku pjesëtarë ishim edhe ne edhe eprorët ku dhe merrnim kërcënime dhe presion të vazhdueshëm. Kam parë një video ku dikujt i urinonin në gojë dhe ky grup ishte krijuar enkas që në të punonim më shumë dhe të bënim kujdes që këto ngjarje mos të na ndodhte edhe neve”, rrëfehet 24 vjeçari.
Me një listë konkrete të dyshuarish, SPAK beson se, nga të dhënat që disponon, në Shqipëri organizata KHIRPROM, me qendër në Rusi përfaqësohej nga Nazar Khamuio me nofkën “Kika”
“Organizata kriminale ku personat e mësipërm bënin pjesë quhet Khimprom, me qendër në Rusi e cila është një organizatë shumë e fuqishme kriminale që merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe ka përhapje të madhe në shumë vende“, detajohet në një nga këto shkresa të vëna në dispozicion të Faktojes.
Është kjo arsyeja se përse përballë këtij karteli SPAK ka vendosur me sigurimin e provës dhe marrjen e dëshmisë të ukrainasve të trafikuar, të cilët sipas dyshimeve përballë kartelit mund të jenë objekt i kanosjes. Deri në publikimin e këtij lajmi SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar.
Por kush është organizata Khirprom që dyshohet se fshihet pas trafikimit të ukrainasve bazuar në të dhënat që disponon SPAK?
Pavarësisht emrit origjinal për një grup të organizuar kriminal, kjo organizatë nuk merret vetëm me zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e drogës, por gjithashtu operon një rrjet të gjerë qendrash telefonike (call center). Nuk dihet me saktësi se kur u shfaq “Khimprom”, por hapat e parë u hodhën në qytetin rus të Sterlitamakut, jo më vonë se në vitin 2012.
Aty, tre të rinj gjetën një mënyrë për të përfituar nga një boshllëk në legjislacion dhe nisën shitjen masive të përzierjeve sintetike, të njohura si “spice”. Ndërsa shteti i ngadaltë ndalonte njërën prej tyre, ata ndryshonin përbërjen kimike të drogës dhe e rikthenin atë në treg. Të tre të rinjtë studionin në degën lokale të Universitetit Shtetëror të Teknologjisë së Naftës në Ufa.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse, deri në vitin 2017, xhiroja vjetore e “Khimprom” tejkalonte dy miliardë rubla, dhe në strukturën e tij ishin të përfshirë të paktën një mijë persona. Informacionet e deritashme tregojnë se, “Khimprom” kishte mbrojtje të fortë, nuk rrezikonte dhe nuk sillte drogë sintetike nga Kina; ato prodhoheshin në laboratorët e tyre brenda Rusisë.
Në të paktën 12 rajone të vendit u hapën qendra logjistike për produktet e gatshme. Përpos përpjekjeve të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për të bllokuar burimet në internet, “Khimprom” shiste hapur drogë në faqen e tij me të njëjtin emër. Qendrat e thirrjeve më tej u organizuan në Ukrainë.
Rekrutimi bëhej përmes njoftimeve në gazetë, në televizion ose në fletushkat në metro, ku ofrohej punë si korrier me një pagë të mirë nga 6 deri në 8 mijë dollarë në muaj. Vetëm gjatë intervistës për punë, njerëzit mësonin se puna përfshinte udhëtime në Rusi. Ndër ata që përgjigjeshin ndaj njoftimeve, zhvillohej një proces përzgjedhjeje ku njerëzit ndaheshin sipas detyrave te posaçme si punëtorë magazinash, prodhues droge, punonjës të qendrës së thirrjeve. Çdo person i nënshtrohej një testi me poligraf (detektor gënjeshtrash).
Më pas, pasonte një muaj “praktikë” në Ukrainë, varësisht nga drejtimi i punës. Shumë punonjës merrnin pasaporta të falsifikuara ruse.
Falë përdorimit të mesazherëve anonimë, kriptovalutave dhe metodave të konspiracionit, blerësit ose punonjësit e zakonshëm të kësaj organizate nuk mund të jepnin informacione për hierarkinë më të lartë të organizatës në rast arrestimi — ata thjesht nuk kishin kontakt me ta.
Por forcat e sigurisë ruse që në fillim ishin të bindura se drejtuesit e vërtetë të sindikatës ndodheshin në Ukrainë. Kjo pasoi disa aksione të
Shërbimit Federal për Kontrollin e Narkotikëve nga Ukraina, aksione që datojnë nga viti 2016. Sipas të dhënave që disponon SPAK, në Ukrainë, organizata në fjalë mundi të funksiononte pa pengesa deri në vitin 2019 me zyrat e tij në qendër të Kievit.
Në mars 2019, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, kreu një operacion të posaçëm për arrestimin e drejtuesve të organizatës. Megjithatë, një prej tyre arriti të largohej nga Ukraina.
Fillimisht qëndroi në Amerikën Latine, Panama, më pas në Miami dhe u vendos përfundimisht në Meksikë.
Aksioni i gjerë i policisë në bashkëpunim me SPAK ndodhi në Vlorë. Më herët, Faktoje ka raportuar se si hyrjet e shtetasve rusë në Shqipëri që raportoheshin për turizëm, po sillnin edhe një fenomen të errët që lidhej me veprimtari të dyshimta të disa shtetasve rusë duke vënë në alarm shërbimet inteligjente dhe ato të anti-terrorit.
Ndërkohë, me nisjen e agresionit në Ukrainë, Shqipëria, duke iu bashkuar shteteve që morën masa shtrënguese ndaj Rusisë, ka raportuar sanksione të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve të caktuar.
Paralelisht me fenomenin janë raportuar gjithashtu rritje e numrit të shtetasve rusë me leje qëndrimi në Shqipëri, ndërsa vërehet një interes i shtuar investimi në fushën e pasurive të patundshme në bregdet, veçanërisht në Vlorë./Faktoje.al