
Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar deputetin socialist Etjen Xhafaj nga diskutimet për listën e re të PS-së, pas kritikave të këtij të fundit ndaj SPAK. Burime për Gazeta Jonë bëjnë me dije se Xhafaj nuk është përfshirë fare në bisedimet e fundit në Vilën 30, duke sinjalizuar një distancim të qartë të tij nga lista e kandidatëve për Tiranën.
EMRAT/ Lista e kandidatëve të PS në 12 qarqe të vendit, ka SHUMË SURPRIZA
Vendimi i Ramës vjen pasi i tërhoqi veshin fillimisht Xhafajt para kolegëve deputetë.
Në një grup të WhatsApp-it të PS-së, kreu i qeverisë ka dhënë një urdhër të qartë: askush nga deputetët nuk duhet të sulmojë SPAK. Sipas të njëjtave burime, Rama ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se çdo deputet që sulmon SPAK-un duhet të dorëzojë më parë mandatin.
Ky reagim i fortë erdhi vetëm një ditë pasi Etjen Xhafaj, në një dalje televizive, kritikoi hapur SPAK-un për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Xhafaj e konsideroi veprimin e prokurorisë si të padrejtë dhe e cilësoi Veliajn si një politikan që ka transformuar kryeqytetin./gazeta jone