
Nadir Causholli i përfshirë në fajde disa miliona euro, pistat e hetimit pas sulmit me armë te CFO Pharma
Detaje të reja dalin nga hetimet lidhur me sulmin me armë ndaj kompanisë farmaceutike CFO Pharma, ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës (17 Mars).
Pista ku po fokusohet grupi hetimor për sulmin ndaj CFO Pharma është aktiviteti i biznesmenit Nadir Çausholli, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në marrjen dhe dhënien e parave me fajde rreth viteve 2019-2022.
Gjithashtu një pistë tjetër ku po hetohet është edhe ajo e konkurrencës. Por, vetë biznesmeni Nadir Çausholli nuk ka dhënë asnjë detaj që mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorëve apo porositësve.

Hetuesit dyshojnë se autorët e sulmit janë paguar nga persona të tretë për të kryer sulmin me armë që ndodhi rreth orës 02:00.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ende nuk është zbuluar ndonjë provë e rëndësishme që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Pamjet e makinës së tyre nuk janë qarta.
SULMI NDAJ CFO PHARMA
Ngjarja e rëndë është shënuar pas mesnatës së të hënës në autostradën Tiranë-Durrës. Nga një automjet që lëvizte në drejtim të Durrësit është qëlluar me breshëri automatiku mbi një godinë e një prej bizneseve më të njohura në kryeqytetet dhe jo vetëm. Breshëria është adresuar në fasadën e xhamtë të depos farmaceutike “CFO Pharma” duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Sulmi sipas të dhënave të policisë ka ndodhur diku rreth orës 02.00, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të Vorës, ose të paktën dyshimet janë që mjeti i tyre është fiksuar edhe në afërsi të Vorës pas ngjarjes. Policia u njoftua për ngjarjen rreth 6 orë me vonesë, ndërsa bëri me dije se është ngritur edhe një grup hetimor që do të tentojë të zbardh krimin.
Për orë me radhë policia ka mundur të tregojë vetëm numrin e gëzhojave që ka mbledhur në vendin e ngjarjes, ndërsa është marrë në pyetje i zoti i biznesit, një emër jo pak i njohur në fushën e farmaceutikës dhe të transportit urban.
Nga rrëfimi i tij nuk është mësuar ndonjë detaj, ndërkohë që prokuroria ka nisur hetimet intensive për të mësuar se cili ka qenë qëllimi i atij sulmi me armë.
POLICIA PËR NGJARJEN
Sipas të dhënave të policisë është bërë me dije se për të mësuar se çfarë ka ndodhur pas mesnatës së të hënës janë hapur kamerat e disa bizneseve. Në fakt, ajo rrugë është një nga rrugët më të survejuara në vendin tonë, pasi është e pamundur që ngjarja të mos ketë dëshmitar.
Janë një mori biznesesh që ruhen me roje sigurie në shërbim 24 në 24 dhe se gjithë rruga monitorohet nga kamerat e tyre. Përballë depos së sulmuar policia ka mundur të nxjerrë pamjet nga sulmi ku edhe është dyshuar se në ngjarje kanë marrë pjesë dy persona, ku njëri ka qenë në rolin e qitësit dhe tjetri në rolin e shoferit, pra të drejtuesit të mjetit.
Referuar të dhënave që vijnë nga policia e Tiranës mësohet se po verifikohen të gjitha aktivitetet e biznesmenit, i cili nuk është i njohur vetëm në fushën e tregtimit të barnave, por edhe në atë të shërbimit urban. Jo pak herë emri i tij është lakuar në lidhje me aktivitetin e tij, sidomos pas shpërthimit të pandemisë në vendin tonë.
Megjithatë do të jenë prokurorët e çështjes që do të vijojnë me kërkimin e shkaqeve të atij sulmi me armë që bëri shoshë pjesën e xhamtë të ndërtesës që ndodhet në rrugën dytësore që lidh Tiranën me Durrësin. Hetimet vazhdojnë ndërkohë që priten të merren në pyetje edhe persona të tjerë. Nuk bëhet me dije nëse në ndërtesë ka pasur persona në atë moment dhe madje as rojë, por do të jenë të shumtë personat që do të dëshmojnë./panorama