Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me studentë të universiteti ‘Luigj Gurakuqi’ organizuar nga Komiteti i Helsinkit, ka deklaruar se nuk ka rëndësi pushteti dhe se kushdo do të duhet të japë llogari në SPAK kur t’i vijë koha.
I pyetur në lidhje me marrjen apo jo në pyetje të kryeministrit Edi Rama mbi çështjen “McGonigal”, Dumani tha se nuk kanë rëndësi emrat, por provat.
Pyetja: A do thirret Rama për tu pyetur për çështjen McGonigal?
“Nuk mund të përgjigjem për pyetje të caktuara. Nuk ka rëndësi emri por provat dhe nuk ka rëndësi pushteti që ka dhe në një moment do ti duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK apo gjykatë.
Ne jemi të ndjeshem ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e McGonigal. Të gjithë kritikët duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar”, u shpreh Dumani.
Pyetja: Në çfarë faze hetimi është Meta?
Dumani: Çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna.