Nga dritarja e apartamentit të tij ku ndodhet nën masën “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha denoncon çdo pasdite në orën 18:00 çdo “aferë” të qeverisë Rama, madje edhe lidhjet e pretenduara korruptive që shtrihen sipas tij deri në Uashington.

Por ka një gjë të cilën Berisha dhe grupimi i tij i “Rithemelimit” nuk po e zënë në gojë, e jo më ta denoncojnë duke i shërbyer kështu interesit publik. Bëhet fjalë për një kullë 41 kate dhe 140 metra të lartë, që do të ngrihet në një prej të paktave fusha sportive që kanë mbetur në kryeqytet.

Kulla në formë të çuditshme me kuba asimetrikë do të ngrihet në rrugën Muhamet Gjollesha, mbi fushën e kompleksit sportiv “Dajti”, nga biznesmeni i njohur për lidhjet e ngushta me familjen e Sali Berishës, Ilir Shtufi.

Shtufi me kompaninë e tij “Nova” nuk është i panjohur për publikun, pasi vetëm pak kohë më parë emri i tij u lakua se qëndron pas një tjetër kulle 58-katëshe në zemër të kryeqytetit, “Mali i Tiranës”, apo siç mori epitetin “Kulla e Foltores”. Edhe në këtë rast, Berisha dhe të tijët zgjodhën të mos e denoncojnë këtë kullë, madje disa figura pranë “Foltores” u hodhën në aksion në media duke sulmuar këdo që e përmendte.

A e ka blerë biznesmeni Ilir Shtufi opozitën? Berisha “mbyll

Kulla Hora Vertikale do ndërtohet mbi kompleksin sportiv Dajti

Por si është e mundur që Berisha dhe grupimi i tij nuk e denoncojnë një rast flagrant të tjetërsimit të tokës në Tiranë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të kësaj kulle gjigante? Përse nuk kërkon opozita edhe në këtë rast hetim për paratë që pastrohen me ndërtimin e kullave shumëkatëshe në kryeqytet? Kjo është shumë e thjeshtë të kuptohet nëse shikon lidhjet e biznesmenit Shtufi me familjen Berisha.

Ilir Shtufi është biznesmeni që i ka dhënë “me qira” simbolike vilën ultraluksoze ku jeton djali i Sali Berishës, Shkëlzeni. Ky i fundit e pranoi një këtë vetë gjatë një reagimi për media pak kohë më parë. Shkëlzen Berisha jeton prej vitesh në “kështjellën” luksoze në një zonë ekskluzive në periferi të Tiranës, ndërsa i paguan një qira “tallëse” Ilir Shtufit.

Bizneset e Ilir Shtufit kanë lulëzuar gjatë qeverisjes së socialistëve, ndërsa ka arritur të marrë dhjetra tendera rindërtimi, tendera të tjerë rikonstruksioni si dhe leje për kulla e parqe fotovoltaike, duke bërë që Shtufi ta meritojë titullin famëkeq “oligark”. Megjithatë, thuajse në asnjë rast të vetëm, Sali Berisha nuk ia ka përmendur emrin as atij, as kompanive të tij.

Shtufi ka marrë leje ndërtimi për ndërtimin e plot 7 kullave, ndër më të famshmet “Garden Building”, “Green House” që varjojnë nga 25 kate deri te dy më të lartat “Mali i Tiranës” me 58 kate dhe më e fundit “Hora Vertikale” që do ndërtohet mbi kompleksin sportiv “Dajti” me 41 kate.

Në këto rrethana nuk ka si të mos lindë pyetja; a është Ilir Shtufi biznesmeni që ka blerë opozitën duke arritur që t’ia mbyllë gojën për të mos guxuar t’ia përmendin emrin? Apo është opozita që ka zgjedhur Ilir Shtufin për ta përdorur si biznesmen që të pastrojë, nëpërmjet ndërtimit të kullave, paratë e pista të korrupsionit të njerëzve të Berishës, akuza për të cilat ish-kryeministri gjendet sot në “arrest shtëpie”.